Pre. Dhj 27th, 2024

​Dy komisione hetimore për një të vërtetë për energjinë

Të gjitha akuzat dhe kundërakuzat për keqpërdorim të parasë së buxhetit të shtetit në lidhje me çështjen e energjisë synohet të marrin një epilog pas ngritjes së dy komisioneve hetimore parlamentare për të njëjtën çështje. Komisioni hetimor i propozuar nga PDK do të hetojë menaxhimin e krizës energjetike gjatë qeverisjes aktuale, ndërsa komisioni hetimor i propozuar nga VV, do të përfshijë periudhën 2006- 2022.

Pasi votuan për themelimin e tyre, deputetët e pozitës dhe opozitës kanë dallime sa i përket edhe mënyrës së funksionimit dhe gjetjeve të këtyre komisioneve. Opozita pretendon të nxjerrë një të vërtetë që bazohet në dyshimet e tyre për keqpërdorim ndërsa pozita thotë se me ngritjen e dy komisioneve dëshmon se nuk ka asgjë për të fshehur.

Deputeti i PDK-së, Ferat Shala, anëtar i komisionit të iniciuar nga opozita, thotë për KosovaPress se Qeveria e Kosovës ka bërë propagandë me krizën energjetike në vend.

Duke numëruar dyshimet që sipas tij janë të bazuara, Shala thotë se shumë shpejt do të bëhet publik edhe plani i funksionimit të këtij komisioni.

“Dyshimet e para është pjesa propagandistike e qeverisë për ta bindur qytetarin që nuk kemi prodhim vendor, dhe ne do të argumentojmë që ka qenë jashtëzakonisht e dëmshme në nivel vendi sepse kemi prodhim vendor, dyshimet e dyta janë që kapacitet prodhuese nuk janë në shpërputhje me kërkesat e prezantuara nga institucionet relevante praktikisht kemi eksport e jo import dhe dyshim tjetër i bazuar është ndërhyrjet politike në rregullator dhe ngritja e çmimit e pamerituar në dëm të qytetarëve dhe taksapaguesve, sidomos pjesa e muajit shkurt, maj dhe prill, pastaj kemi subvencionin e qeverisë i ndarë për disa institucione i cili nuk ka qartësi juridike dhe presim të qartësohet dhe të shohim lëvizjet e mëdha të parasë në institucionet energjetike siç është, KEDS, KEK-u, Ministria e Zhvillimit Ekonomik, ZRRE, dhe KOSTT, pra kemi një lëvizje të madhe të parasë qindra milionëshe gjatë një periudhe tre-katër mujore të cilat nuk kanë qartësi as juridike e as bazike”, tha Shala.

Deputeti tjetër opozitar, Pal Lekaj nga AAK mendon se rritja e çmimit të energjisë elektrike ka qenë antikushtetuese dhe se është bërë në kohën kur Kosova nuk ka pasur import të farë të energjisë elektrike.

“Shtrenjtimi i energjisë elektrike së pari është diskriminim ndaj një shtrese të qytetarëve, është antikushtetuese dhe sidomos tani edhe me ndarjen dhe subvencionimin e importit të energjisë për kategori të caktuara kanë mbetur 100 milionë euro që nuk është bërë shpërndarja e tyre sepse siç dihet në mars nuk ka pasur import fare dhe pse është shtrenjtuar energjia elektrike dhe këtu janë dëmtuar qytetarët. Duke u nisur nga këto fakte ne të gjitha dokumentacionet do t’i kërkojmë, do të thërrasim në dëgjim të gjithë arteret politikë apo vendimmarrës që kanë mundur ta keqpërdorin këtë situatë”, tha Lekaj.

Në anën tjetër, anëtarja e mazhorancës në komisionin e iniciuar nga opozita, Jeta Statovci, ka theksuar se në fillim të paraqitjes së kërkesës nga opozita ka pasur mungesë dhe paqartësi për themelimin e këtij komisioni.

Sipas saj, themelimi i këtyre komisioneve ka treguar se nuk ka pasur asgjë për të fshehur dhe është treguar një vullnet politik.

“Ka ekzistuar vullneti duke mos pasur asgjë për të fshehur dhe duke treguar korrektësinë e procesit, ka ekzistuar vullneti politik që të mbështetet edhe çështja e propozimit të parë që vjen nga opozita, ku trajtohen zhvillimet e fundit karshi situatës së krizës energjetike mirëpo është edhe me interes që të shikohet në një gamë më të gjerë e gjithë zhvillimi brenda sektorit, siç ka të bëjë me investimet e mëdha përgjatë viteve por asnjë rritje me kapacitetet energjetike ne e dimë që të gjitha investimet në energji minimumi i kohës së tyre është gjashtë muaj e lëre që kërkohet për investime më të mëdha kohë më e gjatë, kështu që edhe përmes komisionit hetimor i cili përfshin një kohë nga 2006 e jep një pasqyrë më të qartë rreth procesit dhe si në raport me investimet në sektorin energjetik, ato kapitale që janë bërë por s’janë parë asnjëherë produktiviteti i tyre, e shumë anomali të tjera të cilat ne i shohim dhe jemi me interes që t’i kuptojmë tutje”, tha Statovci.

KP ka tentuar të marrë një qëndrim edhe nga kryetari i këtij komisioni Driton Selmanaj, por i njëjti ka qenë i pa qasshëm.

Komisioni hetimor, i iniciuar nga opozita, do të udhëhiqet nga deputet i LDK-së, Driton Selmanaj. Anëtarë Artan Abrashi, Enver Haliti, Jeta Statovci dhe Mimoza Kusari-Lila nga LVV, nga PDK-ja do të jenë Ferat Shala dhe Eliza Hoxha, ndërsa anëtarë tjetër nga LDK do të jetë Besian Musatafa dhe Pal Lekaj nga AAK. Kurse nga komunitetet jo shumicë do të jenë Adem Hoxha dhe Fridon Lala.

Komisioni hetimor, i iniciuar nga Lëvizja Vetëvendosje, do të kryesohet nga deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa. Ndërsa, anëtarë nga LVV do të jenë, Armend Muja, Haki Abazi, Arbër Rexhaj dhe Halil Thaçi. Anëtar tjetër nga PDK do të jetë edhe Rashit Qalaj, ndërsa nga LDK, Armend Zemaj dhe Rrezarta Krasniqi, kurse nga AAK, Time Kadrijaj. Anëtarë në këtë komision do të jenë edhe dy deputetë nga komunitetet jo shumicë në Kosovë.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *