Ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, ka bërë të ditur se 100 prokurorë do të jenë të angazhuar për zgjedhjet nacionale të 9 shkurtit 2025 në Kosovë.
Përveç tyre, do të jenë të përfshirë edhe 30 anëtarë të stafit administrativ. Në mbledhjen e Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Kelmendi theksoi se prokurorët do të jenë të pranishëm në të gjitha komunat për të monitoruar mbarëvajtjen e procesit zgjedhor dhe do të vazhdojnë kujdestarinë edhe pas përfundimit të votimit.
Gjatë mbledhjes, koordinatorja për Zgjedhje, Laura Pula, ka kërkuar që prokurorët e angazhuar të kompensohen për punën e tyre në ditën e zgjedhjeve, ndërsa shuma e pagesës do të caktohet nga KPK.
Kelmendi u shpreh se buxheti për pagesat mbetet një çështje e hapur, pasi kërkesat e Prokurorisë për fonde shtesë nuk janë miratuar nga Qeveria.
Megjithatë, ai theksoi se mëditjet për prokurorët janë të përcaktuara në Ligjin e Pagave.
Në përfundim të diskutimeve, KPK vendosi t’i drejtohet Komisionit për Buxhet dhe Financa për të siguruar mbulimin e këtyre pagesave.