Sht. Dhj 21st, 2024

11 për qind e popullsisë së Kosovës është mbi moshën 65 vjeç

UNFPA në Kosovë, në bashkëpunim me Agjencinë e Statistikave të Kosovës (ASK), kanë prezantuar gjetjet e Indeksit të Plakjes Aktive, duke theksuar rëndësinë e promovimit të plakjes aktive në vend, raporton Ekonomia Online.

Ky indeks, i pari i këtij lloji në Kosovë, synon të matë mundësitë dhe sfidat me të cilat përballet popullsia mbi moshën 55 vjeç, duke ndihmuar politikëbërësit në hartimin e strategjive efektive.

Indeksi i publikuar shpalosi sfidat në disa fusha, përfshirë punësimin dhe arsimin, ku Kosova shfaq një hendek të theksuar gjinor dhe mesatarisht përformon më dobët se vendet e BE-së.

Visare Mujko-Nimani, udhëheqëse e Zyrës së UNFPA në Kosovë, ka thënë se Indeksi do t’iu mundësoj politikbërësve që t’i identifikojnë përparësitë dhe boshllëqet në politikat që lidhen me të moshuarit, duke nxitur stare gji që sigurojnë përfshirjen dhe mbështetjen për ta.

“Një nga sfidat është trendi i plakjes globale. Njerëzit sot jetojnë me gjatë dhe më shëndetshëm se kurrë me parë. Me jetëgjatësinë në gjysmën e vendeve të botës që kalon mbi 75 vjet. Kosova e njohur për popullatën e saj vibrante dhe rinore nuk është e përjashtuar nga trendi i plakjes. Të dhënat nga cenzuesi i viti 2024 tregojnë se 11 për qind e popullsisë së Kosovës është mbi moshën 65 vjeç. Ky kalim po ndodh me shpejt se sa pritje duke kërkuar vëmendje të menjëhershme dhe proaktive. Kjo nënvizon nevojën urgjente për të forcuar sistemet e kujdesit për të moshuarit, duke përfshirë masat e tilla si politikave të përshtatshme demografike, adresimin e mungesës së kujdestareve, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe të moshuarve. Duke njohur këto nevoja kemi zhvilluar indeksin e plakjes aktive, një mjet që mat se në çfarë mase të moshuarit mund të jetojnë në mënyrë të pavarur, të kontribuojnë në komunitetin e tyre dhe të ruajnë një cilësinë e lartë jetësore. Indeksi mundëson që politikbërësit t’i identifikojnë përparësitë dhe boshllëqet në politikat që lidhen me moshimin duke nxitur strategji që sigurojnë përfshirjen dhe mbështetjen për të moshuarit”, ka thënë ajo.

Selvete Shala nga Shoqata e Pensionistëve, ka thënë se si pensionist janë me shëndet të mirë dhe mund të japin më shumë për komunitete e tyre, por që ju duhet më shumë ndihmë nga institucionet shtetërore.

“Ne kemi nevojë për shumë jo vetëm për pension. Ne jemi me shëndet të mirë, mund të japim më shumë, unë jam gjyshe e 13 nipave e 7 mbesave nuk ndalna kurrë. Shoqatën e pensionistëve duhet ta ndihmojnë me të gjitha”, ka thënë ajo.

Albert Berila, hulumtues nga Universiteti i Prishtinës (UP), ndau gjetjet kryesore të indeksit i cili analizoj situatën e popullsisë mbi 54 vjeç në katër fusha kryesore.

Ai theksoi se te fusha e punësimit, hendeku gjinor në Kosovë është shumë i lartë – 22.4 për qind Sipas tij burrat e të gjitha moshave janë të punësuar në një përqindje më të lartë se gratë.

Te pjesëmarrja në shoqëri, ai tha se ekziston një nënvlerësim i kësaj fushe si pasojë e mungesës së 2 variablave dhe se hendeku gjinor është i shprehur në -13.6 për qind.

“Ky është indeksi i parë në Kosovë në këtë fushë. Indeksi mat situatën aktuale të popullsisë së moshës 55+ në 4 fusha dhe përbehet nga 22 variabla. Hendeku shumë i lartë në fushën e parë (shkalla e punësimit) një hendek -15.93%, mes të vendeve të BE. Edhe me keq del nëse e krahasojmë në Kosovë me – 22.4%. Kurse vlen të theksohet se burrat e të gjitha moshave janë të punësuar në një përqindje më të lartë se gratë”.

Berila ka përmendur konkluzionet duke filluar nga Fusha II pjesëmarrja në shoqëri.

“Edhe këtu siç e thash fatkeqësisht ekziston një nënvlerësim i kësaj fushe si pasojë e mungesës së 2 variablave hendeku gjinor është i shprehur në një vlerë mjaft të lartë -13.6%. Te fusha e tretë qasshmëria ndaj shëndetit në përgjithësi di të jetë ende e lartë me 68 %, kurse të mësuarit gjatë jetës është e pa zhvilluar në Kosovë krahasuar me mesataren e BE-së. Te Fusha III (jetesa e pavarur, e shëndetshme dhe e sigurt) ka perceptim të lartë të sigurisë fizike, me gratë që i tejkalojnë burrat +4.3%. Nivel jo i kënaqshëm i cenueshmrisë materiale: 61.8% e njerëzve të moshës 65+ janë jashtë privimit material (mund të përballojnë disa mallra dhe shërbime gjatë vitit që konsiderohen të nevojshme për shumicën e njerëzve: ngrohje dhe energji elektrike gjatë periudhës së ftohtë të vitit; pagesa për shpenzime të ndryshme; rimbursimi i kredisë bankare etj.) Fusha IV (kapaciteti dhe mjedisi mundësues për plakjen aktive), niveli i përdorimit të TIK-ut është i kënaqshëm: 89.16% (mbi mesataren e BE28: 59.1%). Arsimimi i arritur – nivel jo i kënaqshëm me 50.3% (mesatarja e BE28 67.7%) Arsimi i arritur në Kosovë: hendeku gjinor tejet i lartë me -46.5%. Pritshmëria e mbetur e jetës në moshën 55 vjeç: hendeku gjinor me +7.2% është i natyrshëm: femrat jetojnë më gjatë se meshkujt”, ka thënë ai.

Avni Kastrati u.d drejtor ekzekutiv i Agjencisë se Statistikave të Kosovës, ka theksuar rendësinë e përmirësimit të të dhënave statistikore.

“Thelbësorja është nëse analiza është bërë mirë. Nevojitet një kohë, por duhet të dimë se sa është saktësia e të dhënave. Disa varialbe që u prezantuan këtu janë shume reprezetative. Te kujdesi i nipërve dhe mbesave, dhe kujdesi për të moshuarit. Këto variable nuk i kemi nxjerr, por mund t’i nxjerrim në të ardhmen. Në Kosovë llogaritet që ekonomia e zezë, llogariten këto gratë që kujdesen për nipa e mbesa, nuk hynë në tregun e punës, por gjenerojnë të mira produkte”, ka thënë ai.

Antigona Spojani, koordinatore e Programit te Mirëqenies Sociale Kryqi i Kuq i Kosovës, tha se në vend është trend në rritje numri i të moshuarve që janë të vetmuar dhe që kanë nevojë për përkujdesje.

“Në listat e Kryqit të Kuq, nga 27 degët e Kryqit të Kuq në 27 komunat e Kosovës duke përfshirë edhe ato komuna të tjera ku ne nuk kemi degë aty, i kemi të regjistruar 742 persona të moshuar të vetmuar. Që kanë nevojë për asistencë të vazhdueshme. Fatkeqësisht trendi është duke u rritur, sepse në krahasim me projekt që kemi pasur, në vitin 2022 gjatë kohës së pandemisë kemi pasur 550 të moshuar të vetmuar. Kurse nga të dhënat e fundit kemi 742 që janë 200 raste më shumë”, ka thënë ajo.

Shaxhide Mustafa, koordinatore e Forumit Ekonomik i Grave, tha se ka një hendek të madh gjinor te punësimi.

“Më vjen keq shumë për këtë situatë dhe kemi hyrë në dekadën e tretë pas luftës dhe ne nuk kemi rezultate të mira. Nëse e shohim pjesëmarrjen e grave prej vitit 2012 deri tash nuk ka një diferencë të madhe që kanë ndërruar këto statistika. Hendeku gjinore në tregun e punës po vazhdon që të jetë prezent. Te mosha mbi 55 vjeç kjo është më e thelluar fatkeqësisht. Ky trend që po vazhdon, në vitin 2012 pjesëmarrje aktive e grave në tregun e punës ka qenë 17.8 për qind, ndërsa tash pjesëmarrja aktive e grave në tregun e punës është 24.2 për qind. Pra kemi shumë pak rritje për 12 vite. Kjo ka një shpjegim, në vitet e pas luftës ka qenë një trend i punësimit të grave të reja, edhe konkurset kanë qenë me moshë të caktuara”, ka thënë ajo.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *