Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha të martën se paqartësitë rreth integrimit euroatlantik të Kosovës, po krijojnë terren të rrezikshëm për t’u shfrytëzuar nga armiqtë e demokracisë, ndërsa akuzoi Serbinë se po përpiqet të ndihmojë presidentin rus, Vladimir Putin, të çojë përpara synimet e tij në Ballkanin Perëndimor.
Presidentja Osmani e cila po merr pjesë në Takimin e Kopenhagës për Demokraci, tha se në kuadrin aktual gjeopolitik është thelbësore që organizatat ndërkombëtare të mbajnë dyert e hapura për vendet demokratike.
“Paqartësitë në rrugën e Kosovës drejt integrimeve euroatlantike krijojnë një boshllëk shumë të rrezikshëm, të gatshëm për t’u shfrytëzuar nga armiqtë e demokracisë. Kjo pasiguri krijon tokë pjellore për Rusinë dhe zgjatimet e saj për të dëmtuar të gjitha arritjet tona të përbashkëta. Është thelbësore për NATO-n dhe Bashkimin Evropian, tani më shumë se kurrë, që të zbatojnë një politikë të dyerve të hapura për demokracitë e konsoliduara si Kosova, për t’u siguruar se asnjë rajon nuk do të mbetet i cenueshëm ndaj forcave përçarëse të (Vladimir) Putinit”, tha ajo.
Kosova është e fundit në proceset integruese evropiane, ndërsa po përballet me trysni të shtuar nga perëndimi për të themeluar Asociacionin e komunave me shumicë serbe si kusht për anëtarësimin e saj në Këshillin e Evropës.
“Tani po na thuhet se duhet të themeloni Asociacionin por ne pyesim a do ta zbatojë Serbia pjesën e saj njëkohësisht, që nënkupton të votojë për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe askush nuk po kërkon nga Serbia ta bëjë një gjë të tillë. Prandaj mendoj se kjo mungesë e plotë e baraspeshës po shkatërron vërtetë besueshmërinë e dialogut dhe po nxit shumë pikëpyetje në Kosovë meqë nëse vetëm njëra palë do të duhet ta zbatojë atëherë ku është qëllimi i një marrëveshjeje?”, tha ajo.
Muajin e kaluar Kosova mori dritën jeshile nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës për t’u anëtarësuar në këtë mekanizëm. Por, përfshirja e saj në rendin e ditës së takimit të Këshillit të Ministrave që mbahet të enjten, duket se u pamundësua meqë Kosova refuzoi të hedh hapa drejt themelimit të Asociacionit.