Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, deklaroi të mërkurën se dakordimi mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian për katër çështjet nuk është tërheqje e kryeministrit Albin Kurti dhe e qeverisë së Kosovës.
Sipas saj, kërkesat e mëhershme të BE-së ndaj Kosovës ishin të tepruara dhe të papranueshme në momentin kur janë artikuluar.
Ajo përmendi kërkesën për tërheqjen e policisë nga komunat në Veri të Kosovës, që siç tha nuk mund të pranohej në kohën kur në këto komuna sundonte dhuna.
“Që në ditën e parë ku Serbia ka nisur të reagojë dhunshëm përmes grupeve ekstremiste kemi thënë që prania e policisë nuk është qëllim në vetvete, por domosdoshmëri nisur nga situata. Marrëveshja është që menjëherë të largohet 25 për qind e policisë jo nga Veriu por ndërtesat dhe zonat rreth tyre”, tha ajo për Euronews Albania.
“Nuk ka nevojë për polici nëse nuk nevojitet. Nuk është tërheqje e Kurtit, por maturi dhe mençuri në gjetjen e zgjidhjeve me partnerët. Kërkesat kanë qenë të tepruara dhe s’e kemi ndjerë veten komodë. P.sh, largimi në atë kohë i policëve kur aty ka pasur dhunë masive nuk ishte gjëja e duhur. Ka pasur shumë më tepër kërkesa ditën e parë, si tërheqja e menjëhershme e kryetarit të Leposaviçit”, shtoi ajo.