Pre. Nën 22nd, 2024

BE-ja bën thirrje që të shpallen zgjedhjet e parakohshme në veri

Bashkimi Evropian (BE) ka bërë thirrje që zgjedhjet e parakohshme në veri të Kosovës të shpallen sa më shpejt, në mënyrë “që t’i jepet fund krizës aktuale”.

Një zyrtar i BE-së ka bërë të ditur se BE-ja mbetet e shqetësuar për tensionet në veri të Kosovës dhe vazhdon të bëjë thirrje për deeskalimin e menjëhershëm nga të dyja palët.

“Për më tepër dhe për t’i dhënë fund krizës aktuale, zgjedhjet e parakohshme duhet të shpallen sa më shpejt në të katër komunat dhe të organizohen në mënyrë plotësisht gjithëpërfshirëse. Kjo do të thotë me pjesëmarrjen e plotë dhe të pakushtëzuar të serbëve të Kosovës. BE-ja ka bërë kërkesa specifike për depërshkallëzimin për të dyja palët (sipas Deklaratës së Përfaqësuesit të Lartë në emër të BE-së të datës 3 qershor, propozimit të Përfaqësuesit të Lartë për të dyja palët më 22 qershor dhe konkluzioneve të Këshillit Evropian të 30 qershor). Në deklaratën e 3 qershorit, të rënë dakord nga të 27 shtetet anëtare, BE tha qartë se ishte e gatshme të merrte masa të vendosura në rast të dështimit për të de-përshkallëzuar”, thuhet në përgjigjen e BE-së për RTV Dukagjini.

Tutje, thuhet se BE-ja mirëpret njoftimin e Qeverisë së Kosovës për një reduktim të menjëhershëm prej 25% të pranisë së policisë në dhe përreth ndërtesave komunale në veri të Kosovës, si dhe përkushtimin për uljen e mëtejshme të shkallës pas vlerësimeve të përbashkëta të sigurisë nga Policia e Kosovës, EULEX-i dhe – nëse të përshtatshme – KFOR.

“Këto janë hapa në drejtimin e duhur, por nevojiten hapa të mëtejshëm. BE-ja i kërkoi Kosovës që të veprojë në mënyrë joshkallëzuese dhe të pezullojë menjëherë operacionet e policisë brenda dhe në afërsi të katër ndërtesave komunale në veri të Kosovës. Katër kryetarët e komunave duhet të kryejnë përkohësisht detyrat e tyre në objekte të ndryshme nga ndërtesat komunale”.

BE-ja thekson se është thelbësore që të ketë zbatim të shpejtë të Marrëveshjes për Rrugën e Normalizimit të Marrëdhënieve dhe Aneksit të zbatimit të saj, kështu duke përmendur edhe themelimin e “Asociacionit së Komunave me shumicë serbe”.

Ndryshe, tensionet në Kosovë janë rritur pas hyrjes së kryetarëve të rinj shqiptarë në ndërtesat e komunave në veri të Kosovës – Zveçan, Leposaviq, dhe Zubin Potok – të banuara me shumicë serbe.

Komuniteti serb dhe Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, i kanë bojkotuar zgjedhjet e prillit, por as nuk i pranojnë kryetarët e rinj.

Tensionet kanë kulmuar edhe me dhunë në mes të protestuesve dhe pjesëtarëve të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR.

Komuniteti ndërkombëtar ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia që t’i ulin tensionet dhe të ulen në tavolinën e negocimit.

Më 10 korrik, Kosova ka arritur marrëveshje me BE-në për ulje të tensioneve, dhe në të është përfshirë edhe mbajtja e zgjedhjeve të reja në veri.

Mirëpo, së fundi, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se zgjedhje nuk mund të ketë pa shtensionim të plotë të situatës në veri.

“Në do të sigurohemi që kjo përvojë e re që do ta kemi me ndërprerjen e mandatit të këtyre kryetarëve në veri, të ketë mbështetjen dhe garancitë ligjore dhe procedurale. Pra, duhet të sigurohemi që procesi i tillë të jetë aq e sigurt saqë të jetë e pasfidueshëm në kuptimin legal dhe juridik”, ka thënë Kurti gjatë një konference për media.

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka thënë se zgjedhjet e parakohshme mund të zhvillohen nëse 20 për qind e votuesve në një komunë nënshkruajnë një peticion për largimin e kryetarit të asaj komune.

Ky peticion, sipas Krasniqit, më pas do të dërgohej në Komisionin Qendror Zgjedhor (KQZ), që do ta verifikonte atë dhe më pas do të niste një referendum me pyetjen se a duhet të shkarkohet kryetari.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *