Gjykata Themelore në Prishtinë me aktvendimin e 19 gushtit 2023, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), duke ua caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh (secilit veç e veç), tre të dyshuarve për aferën me rezervat shtetërore, Irfan Lipovica, Hafiz Gara dhe Ridvan Muharremi.
Në vendimin e siguruar nga “Betimi për Drejtësi“, thuhet se në seancë dëgjimore, të dyshuarit dhe mbrojtësit e tyre, kanë kundërshtuar pretendimet e PSRK-së, në anën tjetër kjo e fundit ka thënë se janë siguruar dhe do të sigurohen edhe prova të tjera, të cilat do t’i vërtetojnë pretendimet e paraqitura në këtë fazë të procedurës.
Mbrojtja e Lipovicës: Prokuroria pretendon se Lipovica si person zyrtar ka bërë kërkesë pranë Qeverisë që çështja e furnizimit me rezerva shtetërore të bëhet me përjashtim të Ligjit për Prokurim Publik
Në vendim, thuhet se në seancë dëgjimore, fillimisht mbrojtësi i të dyshuarit Lipovica, avokati Durim Osmani, ka kundërshtuar në tërësi kërkesën e Prokurorisë Speciale për caktimin e masës së paraburgimit, me arsyetimin se nuk është provuar me prova të artikuluara dyshimi i bazuar e as ekzistimi i rreziqeve alternative.
Ai tha se Prokuroria pretendon se Lipovica si person zyrtar, ka bërë kërkesë pranë Qeverisë që çështja e furnizimit me rezerva shtetërore të bëhet me përjashtim të Ligjit për Prokurim Publik.
Tutje, thuhet se avokati Osmani theksoi se çështja e përjashtimit të Ligjit për Prokurimin Publik nuk rregullohet me Ligjin për rezervat shtetërore, por me Ligjin Special për Prokurimin Publik, të vitit 2011.