Sot u mbajt takimi i radhës i Komisionit për Planifikim Strategjik, në të cilin krahas Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, të pranishëm ishin edhe zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, ministrat dhe zëvendësministrat nga resorët përkatës të Qeverisë, Shefi i Stafit të Kryeministrit, dhe drejtues të zyrave në kuadër të Zyrës së Kryeministrit.
Në këtë takim u diskutua për procesin e racionalizimit të agjencive, procesin e barrës administrative dhe lista prioritare për raundin e nëntë të aplikimit në Fondet për Ballkanin Perëndimor.
Kryeministri Kurti në takim tha se procesi i racionalizimit të agjencive është një ndër prioritetet tona në reformën e administratës publike sipas Programit tonë Qeverisës, e për të cilin vlerësoi se Strategjia e Reformës së Administratës Publike parasheh përmirësimin e organizimit të administratës publike me vija të qarta të llogaridhënies brenda dhe ndërmjet institucioneve.
“Qëllimet e racionalizimit të agjencive janë zbatimi më i mirë i objektivave strategjike të Qeverisë nëpërmjet konsolidimit të ekzekutivit për rritje të efikasitetit, efiçiencës dhe arritjes së rezultateve”, tha kryeministri Kurti dhe shtoi se për këtë qëllim, Ministria e Punëve të Brendshme ka miratuar metodologjinë për racionalizimin e agjencive, si dhe ka krijuar grupin punues për përgatitjen e planit që do ndiqet për dy vitet e ardhshme.
Ndërsa, sa i përket procesit të barrës administrative, kryeministri tha se tashmë Zyra për Planifikim Strategjik e Zyrës së Kryeministrit, si bartëse e procesit, ka marrë hapat e parë për qëndrueshmëri, koordinim dhe zbatim të Programit për Parandalimin dhe Zvogëlimin e Barrës Administrative.
“Në funksion të zbatimit të Programit, ka filluar procesi i thjeshtimit dhe digjitalizimit të shërbimeve në disa ministri dhe në disa të tjera pritet të fillojë së shpejti”, shtoi kryeministri Kurti.
Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, prezantoi disa prej të arriturave të procesit të barrës administrative. Ndërkaq zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Bardhyl Dobra, foli për rëndësinë dhe qëllimin e racionalizimit të agjencive.