Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në Forumin Strategjik “Bled 2023” në Slloveni gjatë fjalës së tij ka pasur një polemikë me kryeministren e Serbisë, Ana Brnabiq pasi ajo e quajti Kosovën pjesë të Serbisë.
“Së pari duhet të them se është vendi im nuk janë dy vende, Kosova e ashtuquajtura Republika e Kosovës nuk është vend ndërkombëtarisht i njohur, nuk është pjesë e OKB-së. Dyshoj se do bëhet pjesë e BE-së, së paku jo derisa të ketë njohje nga vendet e BE-së”, ka thënë Brnabiq.
Pas kësaj deklarate, Kurti ka thënë se Kosova ka vënë sanksione ndaj Rusisë, ndërsa Serbia as nuk po i mendon dhe nuk janë distancuar nga Millosheviqi as nga Putini.
Gjatë kësaj deklarate të Kurtit kanë duartrokitur të pranishmit, teksa ka thënë se “nuk është e lehtë për ne. Dua t’i normalizoj marrëdhëniet dhe do ta bëja menjëherë këtë, nëse fqinjët e mi do ishin çekë e jo serbë”.
Kurti ka thënë se mbështetja në Kosovë për BE-në është 94% ndërsa në Serbi 36%.
“Normalizimi është i vështirë, mund të ndodhë, ta zbatojmë marrëveshjen bazë, që jemi pajtuar në Bruksel. Normalizimi në psikologji do të thotë mungesë e konfuzionit midis realiteti dhe fantazisë, unë këtu nuk mund të kontribuoj”.
Gjatë fjalimit të tij, Kurti ka thënë se është duke punuar me pesë shtetet mosnjohëse të BE-së.
“Jemi duke punuar me këto shtete në aspektin bilateral e diplomatik, atmosfera me këto vende është më e mirë se më parë, këto shtete duhet ti bashkohen shumicës dërmuese të vendeve që na njohin”, ka thënë Kurti.
Shefi i ekzekutivit ka thënë se njohja “De-facto” dhe “De-jure” janë të ndara në Ballkan kështu që kjo çështje duhet të përmbyllet e të zgjidhet.
Tutje, Kurti ka thënë se duhet të ketë shtensionim të situatës Kosovë-Serbi, ku siç ka theksuar ai, Kosova ka kontribuar në këtë duke ulur për 50% praninë e policisë në veri dhe duke pasur zgjedhje të parakohshme.
“Pajtohem plotësisht na duhet deeskalimi dhe tashmë për 2 muaj në komunat veriore të Kosovës nuk ka pasur ndonjë protestë apo incident të dhunshëm, kemi ulur për 50% praninë e policisë së Kosovës. Shpresoj të kemi zgjedhje të parakohshme, fushata të hapura për zgjedhje të hapura demokratike, na duhet ndihma e BE-së, besoj në atë që njerëzit e kanë kuptuar në Kosovë”, ka vijuar ai.