Në intervistën për gazetën greke “To Vima”, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur edhe për dialogun me Serbinë dhe zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit.
Kurti ka thënë se më 25 shkurt ishte arritur marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë bazuar në modelin e dy Gjermanive, megjithatë ka theksuar refuzimin e Vuçiqit për të nënshkruar marrëveshjen.
Numri një i Qeverisë së Kosovës ka thënë se Borell dhe Lajcak do të duhej të kishin insistuar që Vucic të nënshkruante marrëveshjen.
Kryeministri i Kosovës kur ka folur për dialogun, ka thënë se shpreson që Borell dhe Lajcak të insistojnë gjatë vjeshtës për zbatimin e marrëveshjes që Kosova ka arritur me Serbinë, duke përsëritur kërkesën e Kosovës për zbatim të shpejt dhe pa kushte.
“Më 25 shkurt e miratuam marrëveshjen mes Serbisë dhe Kosovës sipas modelit të dy Gjermanive, “jeto dhe lëri të tjerët të jetojnë”. Fatkeqësisht, presidenti Vuçiq refuzoi ta nënshkruajë dhe premtoi se do ta nënshkruajë në Ohër më 18 mars, së bashku me aneksin për zbatimin e tij. Edhe ne e kemi pranuar aneksin, por serbët nuk kanë nënshkruar.
Shefi i politikës së jashtme të BE-së Josep Borrell dhe i dërguari i tij i posaçëm Miroslav Lajçak duhet të kishin insistuar që Vuçiç të nënshkruante. Serbia votoi “Jo” pranimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, gjë që shkel nenin 4 të marrëveshjes.
Shpresoj që në vjeshtë z. Borel dhe Lajczak do të insistojnë që ne të zbatojmë atë që kemi rënë dakord. Ne duam zbatim të plotë dhe të shpejtë pa kushte”, ka thënë Kurti për “To Vima”.