Hetuesia: Zyrtarët e arrestuar planifikonin që më 2021 të merrnin ryshfet 25 mijë euro për aplikues
Një nga të arrestuarit e paktë që nuk është zyrtar është Sali Statovci. Ai është vëllai i Luan Statovcit, drejtorit të pagesave në AZHB, i cili është po ashtu i arrestuar.
Fillimisht ai, sipas hetuesisë nuk kishte qenë i dyshuar, por është inkriminuar në fazën e hetimit kur zyrtarët ishin nën vëzhgim.
“I pandehuri Salih Statovci dyshohet se i ka ndihmuar vëllait të tij Luanit në fshehjen e provave, konkretisht të parave të cilat i ka përfituar përmes marrjes se ryshfetit, pasi që Luani vazhdimisht gjatë aplikimit të masave të fshehta të hetimit dëgjohet duke thënë së ka në posedim shumën e parave në vlerë prej rreth 600 mijë euro”, thuhet aty.
Një rast, sipas një dëshmitari, hetuesia thotë së për të përfituar subvencionin në vlerë 90 mijë eurosh kërkoheshin 30 mijë euro ryshfet.
Vëzhgimet e videoincizimet sipas hetuesisë dëshmojnë së këta zyrtarë planifikonin që edhe në vitin 2021 të merrnin edhe në raste të tjera ryshfet.
“Berat Nika dhe Hasan Maxharraj, të cilët bisedojnë, duke deklaruar se në disa raste së kanë marrë nga persona të cilët kanë aplikuar për subvencione, duke i përmendur të njëjtit me emra dhe duke përmendur shuma të ndryshme të parave për të cilat thonë së i kanë marrë nga ta dhe po ashtu duke bërë plane që në vitin 2021 të marrin ryshfet shuma të parave prej 25 mijë euro për aplikues”, thuhet në këtë dokument.
Mbi këtë argumentim, prokurori i rastit Rafet Halimi ka kërkuar që 11 të arrestuarve t’u caktohet masa e paraburgimit.
Për këtë kërkesë, Gjykata Themelore në Prishtinë do të vendosë sot gjatë ditës.
..
Vetëvendosje zyrtarizon kandidaturën e Bioken Abazit për zgjedhjet në Shqipëri
Lëvizja Vetëvendosje, Qendra në Shqipëri ka arritur të sigurojë nënshkrimet e nevojshme për ta kandiduar Boiken Abazin në zgjedhjet e 25 prillit.
Boiken Abazi do të kandidohet për deputet në qarkun e Tiranës, derisa LVV synon që të merr mbështetje edhe për dy kandidatë tjerë.
LVV thotë se do të angazhohen për të mbledhur nënshkrimet e nevojshme në Lezhë, në mbështetje të Iliaz Shehut, dhe në Gjirokastër në mbështetje të Kreshnik Merxhanit.
“Dorëzohen 3765 nënshkrime në mbështetje të kandidatit Boiken Abazi
Sot, 10 ditë para afatit, një dërgatë prej dhjetë vetash, anëtarë të komitetit nismëtar, përfaqësues e aktivistë të Lëvizjes VETËVENDOSJE! nga Shqipëria e Kosova dorëzuan në KQZ dosjet me nënshkrimet mbështetëse të 3765 qytetarëve të qarkut Tiranë për zyrtarizmin e kandidaturës së Boiken Abazit si kandidat nga zgjedhësit për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.
Mbështetja kaq e madhe prej qytetarëve nga bashkitë e qarkut Tiranë (Tirana, Kamza, Vora, Kavaja e Rrogozhina) nga shumë lagje e fshatra, na jep zemër për fushatën që na pret. Me idealet më të sinqerta për kombin e shoqërinë tonë, për drejtësi e zhvillim ekonomik, do të vazhdojmë aktivitete gjithnjë e më intensive. Falënderojmë nga zemra gratë e burrat që na kanë dhënë mbështetjen për kandidimin e z. Boiken Abazit, e në ditët në vijim do të angazhohemi me gjithë mundësitë që kemi për të mbledhur nënshkrimet e nevojshme në Lezhë, në mbështetje të Iliaz Shehut, dhe në Gjirokastër në mbështetje të Kreshnik Merxhanit”, thuhet në njoftimin e LVV-së, Qendra në Shqipëri.
Kujtojmë sistemi zgjedhor në Shqipëri është i organizar në 12 qarqe me lista të mbyllura.
Nga secili qark zgjedhën numër të caktuar deputetësh, varësisht nga numri i popullsisë..
5 të vdekur vdekur nga Covid, 445 raste të reja dhe 264 të shëruar
Njoftimi i plotë i IKSHPK-së:
264 TË SHËRUAR DHE 445 RASTE ME COVID-19!
Gjatë 24 orëve të fundit, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK dhe laboratoret private me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 2.570 mostra të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, prej të cilëve rezultojnë 445 raste pozitive.
Brenda 24 orëve janë raportuar 5 raste të vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv. Rastet e vdekjes janë nga komunat: Deçan 1 rast (78 vjeç), Gjilan 1 rast (78 vjeç), Kamenicë 1 rast (65 vjeç), Prishtinë 1 rast (76 vjeç) dhe Suharekë 1 rast (80 vjeç).
Numri total i rasteve pozitive është 68.351 raste nga 300.198 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 1.592 raste të vdekjes.
Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 264 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 59.438 raste, kurse numri i rasteve aktive është 7.321.
Rastet pozitive janë nga komunat: Prishtinë 179 raste, Gjakovë 39 raste, Pejë 37 raste, Prizren 29 raste, Gjilan 24 raste, Ferizaj 16 raste, Mitrovicë 14 raste, Fushë-Kosovë 13 raste, Lipjan 13 raste, Vushtrri 13 raste, Podujevë 12 raste, Rahovec 8 raste, Kamenicë 7 raste, Skenderaj 7 raste, Suharekë 7 raste, Drenas 5 raste, Dragash 4 raste, Istog 4 raste, Obiliq 4 raste, Graçanicë 3 raste, Deçan 2 raste, Kllokot 2 raste dhe me nga një rast komunat Klinë, Malishevë dhe Viti.
Mbuloni gojën dhe hundën me maskë!
Mbani higjienën!
Respektoni distancën!!
Hoxhaj takoi Ambasadorin e Gjermanisë, diskutojnë për situatën politike në Kosovë
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj ka pritur sot në takim ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Jörg Rohde.
Në takim u diskutua për situatën politike në Kosovë pas zgjedhjeve të fundit dhe procesin e formimit te institucioneve të reja.
Kryetari Hoxhaj bëri të ditur që PDK do të angazhohet për mbrojtjen e vlerave demokratike në Kosovë, e mbi të gjitha do ta mbikëqyrë realizimin e premtimeve të qeverisë ndaj qytetarëve të Kosovës.
Ndër të tjera, Hoxhaj shtoi që Kosovës i duhet mbështetja e partnerëve ndërkombëtarë në planin e konsolidimit të brendshëm dhe të jashtëm, rimëkëmbjen ekonomike, si dhe çështjet e sigurisë, sundimit të ligjit e arsimit.
Tërmkolli: Osmani punoi për shkatërrimin e LDK-së, absurde që krijoi frymën që Rugova është si Kurti
Ish-deputetja dhe një prej zyrtareve më të vjetra të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Melihate Tërmkolli, ka akuzuar Vjosa Osmanin se ka punuar për shkatërrimin e LDK’së nga pozicioni i Lëvizjes Vetëvendosje.
Tërmkolli ka thënë se Osmani e ka prekur substancën e LDK’së, dhe sipas saj, krijimi i një mendësie që Albin Kurti është njëjtë sikurse Ibrahim Rugova është katastrofale.
Ajo thotë se protagosnite e një fryme të tillë ishte Vjosa Osmani.
“Vjosa ka punu në shkatërrimin e LDK’së nga pozicioni i VV’së, prandaj e thash që ka prekur në substancë. Anëtari i LDK’së, kur ia krijuam na atë frymë që është njëjtë si me e votu LDK’në si VV”në, sepse Vjosa ishte protagonist kryesore që solli një mendësi në LDK, kjo është totalisht e papranueshme”, ka thënë Tërmkolli në Click.
Tërmkolli thotë se nuk do t’i thoshte këto fjalë nëse Vjosa Osmani do të krijonte një parti në vete.
“Po ta bënte Vjosa një parti në vete, nuk do t’i thosha këto. Sepse do të thoja se ka pasur mospajtime.
Por me ta krijuar mendësinë që është krejt njëjtë Rugova me Albin Kurtin, kjo është totalisht e papranueshme”, ka shtuar Tërmkolli.
Demaçi konsiderohet si arkitekt i pavarësisë së Kosovës
Këshilli Organizativ “Pranvera Shqiptare 81” dhe ish të burgosurit politik kanë bërë homazhe pranë varrit të Adem Demaçit në 85 vjetorin e lindjes së tij.
Përfaqësuesi i tyre, Sejdi Gega tha se Demaçi barti mbi supet e tij aktivitetin kryesor të rezistencës kombëtare, derisa ishte edhe arkitekt i pavarësisë së Kosovës.
Gega: Demaçi ishte simbol i rezistencës dhe arkitekt i pavarësisë së Kosovë
“Njeriun që barti mbi supet aktivitetin kryesor të rezistencës sonë kombëtare duke i dhënë peshë dinamikës në Kosovë, e më pastaj së bashku me Lëvizjen Popullore të Kosovës formojnë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës që realizuan çlirimin së bashku me miqtë aleatë NATO-n… Veprat e bacës Adem shërbyen jo vetëm si burim frymëzimi për demonstrata e 1968, por edhe për demonstratat e 81 për një varg veprimtarësh dhe komandantin legjendar Adem Jashari, vëllezërit Gërvalla, Kadri Zekën, Rexhep Malaj e Nuhi Berishën dhe shumë veprimtar ishte frymëzues dhe mësues i këtij ideali. Ishte simbol i rezistencës dhe arkitekt i pavarësisë së Kosovës që nga viti 1958. I përjetshëm me emrin, veprën dhe lavdin e tij”, tha ai.
Pasi vendosi kurora lulesh pranë varrit të Demaçit, Gega tha ai është njëra nga figurat që veprimtaria e tij është shtrirë në tërë trojet shqiptare.
Gega: Jemi këtu tek trupi i bacës Adem për të shënuar 85 vjetorin e lindjes së tij
“Sot jemi këtu tek trupi i bacës Adem për të shënuar 85 vjetorin e lindjes së tij. Jemi këtu ku pushojnë eshtrat e njërit prej figurave më emblematike të historisë së kombit shqiptar në tërësi dhe Kosovës në veçanti. Pranë trupit të simbolit të rezistencës, pranë figurës që në vitet e 60-ta u shkri dhe u shtri në përmasat e atdheut edhe jashtë Kosovës në mbarë trojet shqiptare. Jemi këtu pranë trupit të nderit të kombit që prej viteve 60-ta është brohorit emri i tij edhe në Evropë dhe botë. “Rroftë Adem Demaçi poshtë tradhtarët” kjo është parulla që është përdorur gjithkund”, tha ai.
Pas homazheve,Këshilli Organizativ “Pranvera Shqiptare ’81 gjatë ditës sotme do të mbajë edhe një tryezë për të diskutuar për veprimtarin e Demaçit.”
Shtyhet për 8 prill shqyrtimi kryesor ndaj Haki Rugovës
Pas 1 viti e 4 muaj nga seanca e fundit e mbajtur, as sot nuk ka arritur të mbahet seanca e shqyrtimit kryesor, ndaj të parit të Istogut, Haki Rugova, i akuzuar nga Prokuroria e Pejës, për konflikt interesi.
Deri të dështimi i kësaj seance erdhi pasi mbrojtësi zëvendësues i pandehurit Rugova, avokati Gëzim Kollqaku, i cili ishte autorizuar nga avokati Besnik Berisha për përfaqësim, tha se nuk ishte i përgatitur të merrte në pyetje dëshmitarët dhe se kishte autorizim nga avokati Besnik Berisha, të jepte vetëm fjalën hyrëse.
Propozimin e avokatit Kollqaku për shtyrjen e seancës e mbështeti edhe i akuzuari Haki Rugova i cili tha se avokati i tij kryesor e dinte më mirë lëndën duke kërkuar shtyrjen e seancës.
“Përkundër respektit për avokatin Kollqaku, prokurorit dhe gykatës, unë nuk mund të lëshohem pa avokatin Besnik Berisha”, tha Rugova.
Seanca e radhës u caktua më 8 prill 2021, ora 10:00.
Kryetari i trupit gjykues, Sami Sharraxiu e njoftoi të pandehurin se vepra për të cilën akuzohet nuk ishte e nevojshme mbrojtja e avokatit mirëpo gjykatësi tha se përkundër kësaj, ai nuk do t’ia mohoj të drejtën në mbrojtje, duke e paralajmëruar për pasojat ligjore.
Sharraxhiu ceki poashtu se në autorizimin zëvendësues për avokatin Kollqaku lëshuar nga avokati Berisha, nuk kufizohej se në cilën fazë të përfaqësonte, mirëpo do të respektojë të drejtën e të pandehurit për mbrojtje.
“Kjo seancë gjyqësore ishte caktuar pikërisht me kërkesën e mbrojtësit Besnik Berisha. Njoftohet i pandehuri se seanca e radhës që do të caktohet, nuk do të shtyhet, pavarësisht a angazhon mbrojtës apo jo sepse mbrojtja nuk është e detyrueshme”, tha gjykatësi Sharraxhiu.
Haki Rugova akuzohet për konflikt të interesit, lidhur me një tender në vlerë prej rreth 300 mijë euro, të cilin sipas prokurorisë, e ka fituar kompania që udhëhiqet nga vëllai i tij, Gani Rugova, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Rugova duke vepruar si kryetar i Komunës së Istogut, më 1 gusht 2014, sipas aktakuzës, ka nënshkruar kontratë me kompaninë e vëllait të tij, “Ma-Con” sh.p.k. për ndërtimin e kanalizimit për fshatrat Cercë dhe Lubozhdë.
Ky rast penal është kthyer në pikën zero, për arsye se është pensionuar ish kryetari i trupit gjykues, Sylë Lokaj, ndërsa ky rast po gjykohet nga kryetari Sami Sharraxhiu.
Ndryshe, në këtë seancë, pas leximit të aktakuzës nga prokurori Ai Uka, kryetari i Istogut, Haki Rugova u deklarua përsëri i pafajshëm për akuzat e Prokurorisë së Pejës në lidhje me nënshkrimin e tenderit vëllait të tij Gani Rugova.
Në këtë seancë mungoi mbrojtësi i të pandehurit Rugova, avokati Besnik Berisha, i cili kishte autorizuar për këtë seancë avokatin Gëzim Kollqaku dhe tre dëshmitarë.
Ndryshe, në seancën e shqyrtimit fillestar të mbajtur me 17 janar 2019, i akuzuari Haki Rugova ishte deklaruar i pafajshëm lidhur me akuzën për korrupsion.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, të ngritur më 26 mars të vitit 2018, Haki Rugova akuzohet se duke vepruar si kryetar i Komunës së Istogut, më 1 gusht 2014, ka nënshkruar kontratë me kompaninë “Ma-Con” sh.p.k. për ndërtimin e kanalizimit për fshatrat Cercë dhe Lubozhdë.
Sipas aktakuzës, në momentin e lidhjes së kontratës për kryerjen e punëve ndërtimore në mes Komunës së Istogut dhe kompanisë “Ma-Con” sh.p.k. drejtor i firmës ka qenë Gani Rugova dhe çmimi i kontratës ka qenë 289.119.85 euro.
Organi i akuzës pretendon se me anë të këtyre veprimeve, i akuzuari Rugova, i ka mundësuar vëllait të tij, Gani Rugovës, interes financiar, andaj e akuzon se ka kryer veprën penale të konfliktit të interesit.
Fillimisht kjo lëndë ishte dërguar në Prokurorinë Themelore në Pejë, përkatësisht ajo i ishte deleguar prokurorit Haxhi Sinanaj.
Por, ky i fundit, më 17 janar 2018, me shkresë i ishte drejtuar kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Ali Selimaj, dhe pas konsultimit me kryeprokurorin e Prokurorisë së Apelit, Haxhi Derguti, si dhe Agim Kurmehaj, lënda është deleguar në Prokurorinë Themelore në Gjakovë.
“Arsyeja e dërgimit në kompetencë të kësaj çështjeje juridike penale për të pandehurin Haki Rugova, është fakti se me të njëjtin që një kohë të gjatë njihemi dhe jemi në raporte shoqërore, andaj për të qenë një hetim i drejtë dhe i pavarur, pas konsultimit me kryeprokurorin e Apelit dhe kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore në Gjakovë, jemi dakorduar që këtë çështje penale ta dërgojmë në kompetencë të Prokurorisë Themelore në Gjakovë”, kishte shkruar prokurori Haxhi Sinanaj.
Ndryshe, Haki Rugova, në zgjedhjet lokale të vitit 2017, kishte fituar edhe një mandat tjetër, për herë të tretë, në krye të Komunës së Istogut.
Moti
Të shtunen parashikohet mot me diell, temperaturat do të lëvizin nga 2 deri në 16 gradë celcius. Mot me diell edhe në Tiranë,me temperatura nga 8 deri në 20 gradë celcius.
COVID-19 NË KOSOVË:
Total raste: 68351 , Të shëruar: 59438 ,të vdekur:1592
www.rtvarberia.com Tri kanalet e RTV Arbëria si dhe Radion mund të i ndiqni edhe në www.iptvshqipott.com