Hën. Nën 25th, 2024

NGJARJET E DITES, E HENE 01.03.2021

Ende s’dihet se kur arrijnë vaksinat kundër Covid-19, MSh-ja del me komunikatë të gjatë!

Ministria e Shëndetësisë e Republikës së Kosovës dëshiron të ndajë me publikun e gjerë informacionet të cilat kanë të bëjnë lidhur me angazhimet për sigurimin e vaksinës kundër COVID-19.
Duke e ditur faktin se kërkesat për vaksinën do të jenë të mëdha gjithandej, që nga muaji korrik 2020, MSh ka filluar aktivitetet për të siguruar qasje sa më të shpejtë në sigurimin e vaksinës, në disa drejtime, duke përfshirë aplikimin përmes mekanizimit global COVAX në njërin drejtim dhe kontaktimin me shtete partnere dhe drejtpërdrejt me kompani prodhuese të vaksinave kundër COVID-19.
COVAX, është një iniciativë globale që synon qasje të barabartë në vaksinat kundër COVID-19, të udhëhequra nga Aleanca e Vaksinave GAVI, Organizata Botërore e Shëndetësisë, Koalicioni për Inovacione të Gatishmërisë Epidemike dhe të tjerë.
1.
Me të vendosur të kontakteve të para mekanizmin COVAX dhe caktimit të pikës fokale për kontaktet e Kosovës me këtë mekanizëm, Ministrisë së Shëndetësisë i është konfirmuar nga zyrtarët e këtij mekanizimi (ku marrin pjesë OBSh, UNICEF, Banka Botarore, fondacione të ndryshme bamirëse, agjensi teknike ndërkombëtare, prodhues të vaksinave, etj.) se Kosova është kualifikuar në mesin e 92 shteteve (me të ardhura të vogla dhe të mesme), të cilat përmes këtij mekanizimi do të marrin falas vaksinën kundër COVID-19 për 20% të populaltës apo në rastin e Kosovës, doza të mjaftueshme për 360.000 banorë.
Më tej është bërë edhe aplikimi zyrtar në këtë mekanizëm, është përgatitur dhe miratuar edhe Plani Shtetëror i vaksinimit kundër COVID-19 në Kosovë (sipas skenareve të propozuara të shpërndarjes së vaksinave nga COVAX), janë ngritur kapacitetet e duhura të Zinxhirit të ftohtë të ruajtjes së vaksinës, janë kryer trajnimet e personelit shëndetësor në modulet e nevojshme për sigurimin e njohurive dhe shkathtësivëe të reja për aplikimin e vaksinës kundër COVID, janë përcaktuar kategoritë që do të vaksinohen në tre faza si dhe është bërë edhe manuali për mbikëqyrjen dhe hetimin e efekteve anësore potenciale, i zhvilluar nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike.
Përveç planit, që është bërë publik edhe në ueb faqen e Ministrisë së Shëndetësisë: (https://msh.rks-gov.net/wp-content/uploads/2021/02/Plani-Shteteror-i-Vaksinimit-kunder-Covid-19.pdf), janë siguruar edhe të gjitha procedurat e tjera që kanë të bëjnë me importin e vaksinave dhe përmbushjen e të gjitha kushteve nga Kosova për t’i marrë vaksinat nga ky mekanizëm.
Zyrtarët e COVAX, i kanë konfirmuar MSh-së marrjen e këtij plani të cilin e kanë vlerësuar të pranuar/konfirmuar.
Me datë 3 shkurt 2021, mekanizmi COVAX ka publikuar në ueb faqen e saj edhe itinerarin e shpërndarjes së vaksinave për vendet përfituese, ku Kosova, sipas njoftimit/ itinerarit fiton 100.800 doza të vaksinës Astra Zeneca, në fund të muajit shkurt (përkatësishtën në kuartalin e parë Q1 të vitit 2021 (janar-mars 2021).
https://www.who.int/docs/default-source/coronaviruse/act-accelerator/covax/covax-interim-distribution-forecast.pdf?sfvrsn=7889475d_5
Pas këtij njoftimi të COVAX, përmes kontakteve me pikën fokale që MSh ka në këtë mekaniziëm, i është bërë edhe një rishikim Planit Shtetëror të Vaksinimit, duke synuar që në fazën e parë të vaksinohen grupet prioritare apo 3% e popullsisë, plan ky i detajuar që ka përmbajtur një planifikim të saktë edhe për dy fazat e tjera të vaksinimit, duke përfshirë vaksinimin më pas edhe të 17% të popullsisë dhe më vonë edhe të 50% të popullsisë, me qëllim që të arrihet mbulueshmëria me vaksinim prej 70% e popullsisë në Kosovë. Plani i rishikuar është pranuar nga COVAX.
MSh bashkë me IKSHPK, Zyrën e OBSH-së dhe Zyrën e UNICEF-it, pas përmbushjes së të gjitha kushteve, po pret konfirmimin final për marrjen e dozave të para të vaksinave kundër COVID-19, përmes mekanizimit COVAX.
2.Drejtimi tjetër në të cilin është angazhuar MSh për sigurimin e vaksinave ka pasur të bëjë me kontaktet me shtetet e Bashkimit Evropian dhe drejtpërdrejt me prodhues të vaksinave.
Në emër të Republikës së Kosovës, Ministri i Shëndetësisë, bashkë me Komisionin për negocim për vaksinën anti Covid, ka kontaktuar me përfaqësuesin e PFIZER, z. Roberto Rocha (Menaxher i vendit për rajonin Adriatik).
Më datë 7 dhjetor 2020 në mes të Ministrit të Shëndetësisë, z. Armend Zemaj dhe përfaqësuesit të Pfizer, znj. Janine Small (President Global, Emerging Markets-Pfizer Biopharmaceuticals Group), është nënshkruar Marrëveshja Konfidenciale, si hap dhe kusht i parë për të vazhduar tutje me takime të tjera virtuale për negocim..
Më 16 dhjetor është mbajtur takimi i parë virtual midis MSh dhe Pfizer.
Më 30 dhjetor, MSh është njoftuar nëpërmjet e-mailit se nga përfaqësues të kompanisë se Pfizer e ka futur në listën e vet edhe Kosovën sa i përket mbështetjes për ndarjen e sasie të vaksinës kundër COVID-19, të ndara në disa kontigjente.
Sipas njoftimit që MSh kishte marrë më 30 dhjetor nga Pfizer, kjo kompani kishte bërë edhe orarin përcjellës të shpërndarjes së vaksinave për Kosovën, sipas të cilit 11.700 doza do të shpërndaheshin në fund të shkurtit nga Pfizer, 13.600 doza në Q2 -kuartalin e dytë të vitit dhe pjesa e tretë prej 2.374.650 dozave në pjesën e dytë të vitit 2021.
Në takimin e 5 janarit 2021, përfaqësuesit e Pfizer gjatë takimi virtual me Komisionit shtetëror për vaksinim, në prezencë të ministrit Zemaj, kanë konfirmuar se tashmë për Republikën e Kosovës janë siguruar 500.000 vaksina kundër këtij virusi nga kjo kompani dhe kanë dhënë aprovimin që kjo mund t’i komunikohet edhe publikut në Kosovë.
Më 8 janar, MSh-së i është konfirmuar sërish se 500.000 vaksina të Pfizer janë ndarë për Kosovën.
Në takimin 8 janarit, palët janë dakorduar që brenda javës, MSh-së t’i dërgohet edhe marrëveshja finale për nënshkrim.
Në çdo takim, pas 8 janarit, MSh ka kërkuar që palët ta kenë për nënshkrim marrëveshjen finale.Edhepse MSh-së i është thënë nga përfaqësuesit e Pfizer se marrëveshja është e gatshme dhe do të dërgohet për nënshkrim, MSh se ka pranuar ende marrëveshjen në fjalë, dhe nuk është shpjeguar nga kompania në fjalë as pse ka vonesa në këtë drejtim.
3.Përtej negocimit me Pfizer, MSh ka arritur pajitimin edhe me shtetin e Austrisë për sigurimin përmes tyre të 600 000 vaksinave, të cilat do të mund të merren pasi shteti austriak t’i ketë bërë blerjet e vaksinave në sasitë e nevojshme edhe për vete.
Angazhimet e BE-së ndërkaq për të ndihmuar vendet e Ballkanit Perëndimor për sigurimin e vaksinave kundër COVID-19 dihen, dhe ato deri tash nuk kanë rezultuar me sigurimin konkret të dozave të para, përkudnër ndarjes së një shume të konsideruar të mjeteve financiare për këtë qëllim, nga të cilat, 7.5 milionë do të përfitojë edhe Kosova.
Në anën tjetër, MSh është e vetdijshme për presionin që bëhet edhe nga vende të tjera lidhur me procesin e vaksinimit në Kosovë, në veçanti për ndërhyrjet që bën Serbia tek qytetarët (kryesisht të komunitetit serb), duke i ftuar ata që të vaksinohen në Serbi. Për më shumë, Serbia ka bërë shpërndarjen e një numri të vaksinave (kryesisht të vaksinës Sputnik të Rusisë dhe tjera) në Republikën Serbe të Bosnjës e Hercegovinës, në Malin e Zi dhe në Republikën e Maqedonisë së Veriut, por qytetarët e Kosovës, janë informuar edhe më parë se përcaktimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës ka qenë i qartë prej fillimit që qytetarët kosovarë duhet të vaksinohen me vaksina të cilat kanë marrë miratim nga FDA, EMA dhe OBSh dhe jo me vaksina nga Serbia e Rusia.
Duke i siguruar qytetarët se Kosova i ka plotësuara të gjitha kriteret e kërkuara nga partnerët dhe mekanizamt e ndryshëm për të siguruar vaksinën, dëshiron të ritheksojë edhe faktin se prioritet për këtë mekanizma kanë qenë shtetet me situatë më të rënduar epidemiologjikem ndërsa prodhuesit prioritet u kanë dhënë shteteve shteteve që paraqesin treg më të madh se Kosova.
Megjithatë, kjo nuk e ka dekurajuar asnjë zyrtar të Komisionit për negocim për vaksinën kundër COVID-19, Komitetitin për përgatitjen e Planit Shtetëror për vaksinim kundër COVID dhe partnerët që të vazhdojnë angazhimin e përditshëm deri arritjen e dozave të para të vaksinave.
MSh i siguron qytetarët se ky angazhim do të jetë maksimal, përtej çdo interesi, në përmbushje të obligimit për të siguruar shëndetin e qytetarëve, deri në pranimin e dozave të para që besojmë se do të ndosh së shpejti dhe në përmbylljen e programit të vaksinimit kundër COVID-19.

Osmani në takim me shefin e Misionit të EULEX-it në Kosovë, përmendet procesi i vetingut

Ushtrueshja e detyres se Presidentes , Vjoisa Osmani priti në takim sot shefin e Misionit të EULEX-it në Kosovë Lars-Gunnar Wigemark.
Në takim znj. Osmani bisedoi për zhvillimet e fundit në vend dhe bashkëpunimin mes institucioneve të vendit dhe EULEX-it.
U.d. Presidentja Osmani e njoftoi z. Lars Gunnar Wigemark mbi hapat që institucionet e vendit synojnë t`i ndërmarrin në rritjen e efikasitetit në institucionet e drejtësisë.
Ajo, në veçanti përmendi procesin e vetingut së një ndër shtyllat kryesore për të cilën do të punojnë institucionet e ardhshme të Kosovës.

9 të vdekur vdekur nga Covid, 467 raste të reja dhe 214 të shëruar

Njoftimi nga IKSHPK
214 TË SHËRUAR DHE 467 RASTE ME COVID-19!
Gjatë 24 orëve të fundit, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK dhe laboratoret private me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 2.914 mostra të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, prej të cilëve rezultojnë 467 raste pozitive.
Brenda 24 orëve janë raportuar 9 raste të vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv. Rastet e vdekjes janë nga komunat: Pejë 2 raste (65, 63 vjeç), Prishtinë 2 raste (75, 51 vjeç), Deçan 1 rast (77 vjeç), Gjakovë 1 rast (65 vjeç), Kaçanik 1 rast (55 vjeç), Prizren 1 rast (77 vjeç), Rahovec 1 rast (89 vjeç).
Numri total i rasteve pozitive është 69.697 raste nga 310.246 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 1.608 raste të vdekjes.
Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 214 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 60.063 raste, kurse numri i rasteve aktive është 8.026.
Rastet pozitive janë nga komunat: Prishtinë 188 raste, Pejë 42 raste, Ferizaj 29 raste, Podujevë 25 raste, Prizren 24 raste, Gjakovë 21 raste, Mitrovicë 20 raste, Fushë-Kosovë 16 raste, Gjilan 16 raste, Suharekë 13 raste, Lipjan 10 raste, Kamenicë 8 raste, Kaçanik 8 raste, Viti 8 raste, Vushtrri 8 raste, Shtime 6 raste, Drenas 5 raste, Istog 5 raste, Rahovec 4 raste, Deçan 3 raste, Klinë 3 raste, Dragash 2 raste dhe me nga një rast komunat Graçanicë, Obiliq dhe Skenderaj.
Të nderuar qytetarë!
Duke pasur parasysh vlerësimin dinamik dhe në kohë reale të situatës epidemiologjike me COVID -19, sot janë raportuar 467 raste pozitive, që paraqet numrin më të madh të rasteve pozitive këtë vit me tendencë të rritjes ditëve në vijim. Shprehim ngushëllime familjarëve për 9 rastet e vdekjeve të raportuara gjatë 24 orëve të fundit.
Numri i rasteve pozitive dhe vdekjeve nga COVID-19 vazhdon të jetë i lartë dhe brengosës si pasojë e drejtëpërdrejtë e neglizhimit të masave.
Mjekët të stërngarkuar në spitale po luftojnë kundër këtij virusi tinëzar e shkatërrimtar me tërë fuqinë e tyre profesionale e njerëzore.
IKSHPK përsërit thirrjen për zbatimin e të gjitha masave të përgjithshme dhe specifike për mbrojtjen nga pandemia COVID-19.
Masat parandaluese janë të njejta me aksent të veçantë se personat pozitiv duhet të qëndrojnë në shtëpi për të parandaluar përhapjen në familje dhe në komunitet. Me zvogëlimin e kontakteve, do ta bëjmë të mundur ndërprerjen e përhapjes së infeksionit.
Andaj rekomandojmë edhe një herë:
1. Të qëndrohet në shtëpi, dhe dalja të jetë vetëm për nevoja të domosdoshme;
2. Ndalimi rigoroz i takimeve me njerëz me të cilët nuk jetoni në bashkësi, pos për qëllime specifike;
3. Ndalimi rigoroz i tubimeve;
4. Respektimi rigoroz i masave kufizuese në aktivitetet publike;
5. Kufizimi i punës për veprimtaritë jo-esenciale dhe vend-ngjarjet duke redukuar edhe kohën e punës gjatë ditës.
IKSHPK vlerëson se këto masa mund të ndërprejnë rritjen e numrit të rasteve, të parandalojnë mbingarkesën e hospitalizimeve dhe të parandalojnë rritjen e numrit të vdekjeve.
IKSHPK apelon tek të gjithë qytetarët, institucionet dhe organizatat publike dhe private, për respektimin dhe ndërmarrjen e të gjitha masave të nevojshme për parandalimin, menaxhimin dhe kontrollin e infeksionit COVID-19, duke marrë parasysh dispozitat e Ligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19, dhe vendimet në fuqi mbi masat dhe obligimet e institucioneve për zbatimin e masave të përgjithshme dhe specifike për mbrojtjen nga pandemia COVID-19.
Në veçanti, bëjmë thirrje për zbatimin e rekomandimeve dhe respektimin e masave kufizuese për aktivitetet publike, përkatësisht kufizimeve për grumbullimin e qytetarëve dhe tubimeve publike.
Grumbullimi i qytetarëve pa maska dhe pa mbajtje të distancës shton rrezikun e përhapjes së infeksionit përderisa virusi SARS-COV-2 është prezent në mesin tonë.
Apelojmë tek institucionet përgjegjëse, përkatësisht Policia e Kosovës dhe inspektoratet përgjegjëse që të mbikëqyrin me përpikëri dhe të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e masave dhe vendimeve të tjera në fuqi në zbatim të Ligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19 në Republikën e Kosovës.
Qytetarë të nderuar,
Ju lutemi për kujdes të shtuar!
Që të shmangni shkaqet dhe pasojat e infeksionit:
Respektoni masat kufizuese për grumbullimet dhe tubimet publike!
Mbani në mend:
FYTYRA E MBULUAR ME MASKË! DUART E PASTRA! DISTANCA DHE HAPËSIRA E BOLLSHME!
Mbuloni gojën dhe hundën me maskë!
Mbani higjienën!
Respektoni distancën!!

Lumezi në takim me shefin e BE-së në Kosovë, diskutojnë për luftën ndaj korrupsionit, terrorizimit…

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka zhvilluar takim pune me Shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog.
Kryeprokurori Lumezi e ka njoftuar Shefin e BE-së me të arriturat dhe sfidat e Prokurorit të Shtetit, si dhe për angazhimin institucional në funksion të fuqizimit të llogaridhënies, transparencës dhe integritetit të sistemit prokurorial.
Temë qendrore e diskutimit të përbashkët në këtë takim ishte edhe fuqizimi i sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës, konkretisht lufta ndaj korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimit të organizuar, terrorizimit, krimeve të luftës, zbatimi i ligjit për kompetencat e zgjeruara të konfiskimit të pasurisë, si dhe thëllimi i bashkëpunimit në mes Prokurorit të Shtetit dhe Policisë në zbatimin e detyrave dhe kompetencave ligjore.
Në këtë drejtim është theksuar nevoja për progres të mëtutjeshëm, me ç’rast Shefi i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, ka shprehur gatishmërinë që të ofroj ndihmën e nevojshme për institucionin e Prokurorit të Shtetit.
Në fund të takimit, Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, e ka falënderuar Shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, për përkrahjen dhe mbështetjen e vazhdueshme dhënë Prokurorit të Shtetit, si dhe kanë shprehur gatishmërinë e ndërsjellët që ky bashkëpunim të vazhdoj edhe në të ardhmen.

Mbi 13 mijë vota me kusht të numëruara, gjysmën i merr VV

KQZ deri tani ka numëruar 13 mijë e 570 vota me kusht dhe të personave me aftësi të kufizuara.
Lëvizja Vetëvendosje ka marrë gjysmën e votave, gjithsej 6 mijë e 747 vota.
Subjekti i dytë me më së shumti vota vazhdon të jetë Partia Demokratike e Kosovës, me 2 mijë e 373 vota.
Lidhja Demokratike e Kosovës ka marrë 1 mijë e 473 vota, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 1 mijë e 301 vota.
Nisma Socialdemokrate deri tani ka arritur të marrë 342 vota.
Gjithsej, janë 31 mijë e 500 me kusht dhe 2 mijë e 800 vota të personave me aftësi të kufizuara.

Iu dalin shtesat mësimdhënësve, marrin nga 100 euro+

Mësimdhënësit e Kosovës këtë muaj kanë marrë më shumë para se zakonisht.
Kjo pasi që atyre u kanë dalë shtesat prej 100 eurosh, e të cilat ishin shumë të kërkuara nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit dhe Shkencës.
IndeksOnline ka kontaktuar me Ymer Ymerin nga SBASHK-u i cili ka konfirmuar këtë lajm.
“Po u kanë dalë shtesat, ashtu siç ka qenë e planifikuar, në këtë rast për muajin shkurt. Mësimdhënësit kanë marrë nga 100 euro, ashtu siç jemi marrë vesh”, tha Ymeri për IndeksOnline.
Ndërsa në muajin që lëmë pas Qeveria në detyrë ka marrë vendimin që për shkak të orëve të shtuara të punës së arsimtarëve gjatë pandemisë, do t’u bëhen dy pagesa shtesë në pagë, e cila tashmë ka filluar të ekzekutohet.

Moti
Të marten parashikohet mot pjeserisht me diell, temperaturat do të lëvizin nga minus 3 deri në 11 gradë celcius. Mot me diell parashihet në Tiranë,me temperatura nga 2 deri në 19 gradë celcius.

COVID-19 NË KOSOVË:
Total raste: 69697 , Të shëruar: 60063 ,të vdekur:1608
www.rtvarberia.com Tri kanalet e RTV Arbëria si dhe Radion mund të i ndiqni edhe në www.iptvshqipott.com

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *