Sht. Nën 23rd, 2024

Mbledhja e Qeverisë, këto janë vendimet që u morën

Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluara mbledhjen e rregullt, e 159-ta me radhë, në të cilën ka:

Miratuar Projektligjin për Shërbime Sociale dhe Familjare. Krahas një sistemi më rigoroz të inspektimit, ky projektligj siguron shërbime cilësore, efektive dhe të shpejta për viktimat e dhunës, fëmijët, të rinjtë e të moshuarit, që kanë nevojë për këto shërbime. Po ashtu, siguron një sistem që për fokus kryesor ka edhe identifikimin e hershëm të rasteve dhe parandalimin e tyre.

Miratuar Projektligjin për Falimentimin, i cili rregullon dhe përcakton të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me falimentimin. Ai pritet të ketë ndikim të madh pozitiv në zhvillimin ekonomik, investimet, sigurinë juridike për pronarët e kapitalit; si dhe mundësi riorganizimi të subjekteve ekonomike.

Miratuar Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes Ndërkombëtare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për Pjesëmarrjen e Kosovës në “Programi i Tregut të Vetëm”. Ky program është një ndër programet më të mëdha mbështetëse që ka Bashkimi Evropian dhe si i tillë synon fuqizimin e mbikëqyrjes së tregut të brendshëm, përmirësimin e konkurrueshmërisë së industrisë, mbrojtjen e konsumatorit, përmirësimin e sektorit financiar dhe statistikave.

Miratuar Raportin për Vlerësimin Ex-Post të Ligjit Nr. 05/L 021 për Mbrojtjen nga Diskriminimi. Raporti vlerësues ka rekomanduar që të fuqizohen kapacitetet institucionale përgjegjëse për zbatimin e ligjit, të përmirësohet koordinimi mes institucioneve për zbatimin e duhur të ligjit, të ngritët vetëdijesimi i qytetarëve lidhur me ligjin, të ngritën kapacitet profesionale të gjyqtarëve, prokurorëve, bashkëpunëtorëve profesional dhe avokatëve lidhur me zbatimin e duhur të ligjit dhe të trajtohen me prioritet paditë lidhur me mbrojtjen nga diskriminimi.

Themeluar Këshillin për Zhvillim të Industrisë, i cili ka për qëllim zhvillimin e dialogut mes nivelit qeveritar dhe sektorëve industrialë privat, me këtë përbërje:

1. Ministrja e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë; kryesuese,

2. Përfaqësues i Departamentit të Industrisë në MINT – anëtar,

3. Përfaqësues nga KIESA, MINT- anëtar,

4. Përfaqësues nga Zyra për Planifikim Strategjik, ZKM – anëtar,

5. Përfaqësues nga Departamenti për Ekonomi dhe Tregti – anëtar,

6. Përfaqësues nga Universiteti i Prishtinës, Fakulteti që ndërlidhet me sektorët e industrisë – anëtar.

7. Përfaqësues nga Departamenti për politika ekonomike dhe fiskale – anëtar,

8. Përfaqësues nga Departamenti për Punë dhe Punësim, MFPT- anëtar,

9. Përfaqësues nga Departamenti i Minierave – anëtar,

10. Përfaqësues nga Departamenti për Aftësim Profesional – anëtar,

11. Përfaqësues nga Departamenti për analiza Ekonomike dhe statistika Bujqësore, – anëtar

12. Përfaqësues nga Departamenti për Mbrojtje n e Mjedisit dhe të Ujërave, – anëtar

13. Përfaqësues nga Departamenti për Diasporë,- anëtar,

14. Përfaqësues nga Departamenti për Zhvillim të Qëndrueshëm Komunal – anëtar,

15. Përfaqësues nga Oda Ekonomike e Kosovës –anëtar,

16. Përfaqësues nga shoqatat industriale – anëtar,

17. Përfaqësues nga OJQ-të, përfaqësuese të grave në biznes – anëtar.

Ndarë 500 mijë euro mbështetje financiare për familjet e ndikuara nga tërmeti në Turqi.

Aprovuar vendimin Preliminar për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme, të cilat preken nga realizimi i Projektit: Zgjerimi i Rrugës Rajonale, Prizren- Prevallë.

Aprovuar vendimin Preliminar për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme, të cilat preken nga realizimi i Projektit: Zgjerimi i Rrugës Rajonale, Doganaj- Shtërpcë.

Aprovuar vendimin Preliminar për shpronësim për interes publik të pronës së paluajtshme, ish-shoqërore “Ballkan” Njësia Damper, për nevoja të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës.

– Aprovuar vendimin për shqyrtimin e mëtejmë të kërkesës së Komunës së Prizrenit për shpronësim për interes publik të pronës së paluajtshme ish-shoqërore “Progres” për realizimin e Projektit: “Varrezat e Qytetit të Prizrenit”.

– Aprovuar vendimin për shqyrtimin e mëtejmë të kërkesës së Komunës së Rahovecit për shpronësim për interes publik të pronës së paluajtshme, ish-shoqërore, “Jugopetroll” për realizimin e Projektit: “Ndërtimi i Sheshit Qendror të Qytetit”.

Aprovuar vendimin për shqyrtimin e mëtejmë të kërkesës për shpronësim për interes publik për realizimin e katër (4) projekteve: Rikonstruktimi dhe zgjerimi i “Deponisë Sanitare” në Landovicë për regjionin e Prizrenit, Rikonstruktimi dhe zgjerimi i “Deponisë Sanitare” në Velekincë, për regjionin e Gjilanit, Ndërtimi “Deponisë së re Sanitare” për regjionin e Prishtinës, Rehabilitimi, mbyllja dhe ndërtimi i stacionit të transferit të “Deponisë Sanitare” në Dumnicë të Poshtme për regjionin e Podujevës.

– Emëruar Komisionin e Pranimit për Institucionet e Administratës Shtetërore për Grupin Nr. 4, Specialist të Ekonomisë. Komisioni përbëhet nga zyrtarë të lartë dhe menaxhues të administratës shtetërore, përgjegjës për vlerësimin e kandidatëve në procedurën e konkurrimit në institucionet e administratës shtetërore.

– Miratuar nismën për lidhjen e Marrëveshjes për Ekstradim ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Mbretërisë së Suedisë. Republika e Kosovës ka arritur të avancojë pozicionin e saj në marrëdhënie ndërkombëtare me standarde të larta të demokracisë dhe nivel të lartë të sundimit të ligjit, andaj në këtë linjë tani Mbretëria e Suedisë është pajtuar që të avancohet tutje bashkëpunimi në fushën e ekstradimeve në mes të Republikës sonë dhe Mbretërisë së Suedisë.

– Miratuar nismën për lidhjen e Marrëveshjes për Transferimin e Personave të Dënuar ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Mbretërisë së Suedisë. Në frymën e thellimit të miqësisë sonë me partnerët ndërkombëtarë është propozuar për miratim edhe kjo nismë me Qeverinë e Mbretërisë së Suedisë në fushën e së drejtës penale dhe rehabilitimit social të personave të dënuar.

– Miratuar nismën për lidhjen e Marrëveshjes për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike në Çështjet Penale ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Mbretërisë së Suedisë.

– Miratuar Koncept-dokumentin për Fushën e Shërbimeve të Navigacionit Ajror. Ky koncept dokument synon të krijojë infrastrukturën ligjore të përshtatshme për zhvillimin e ofruesit të shërbimeve të navigacionit ajror deri në përgatitjen për kontrollimin e plotë të hapësirës ajrore të Republikës së Kosovës

– Dhënë në shfrytëzim pa kompensim të pronave të kërkuara nga Komuna e Fushë Kosovës për pronat e menaxhuara dhe në pronësi të Republikës së Kosovës për ndërtimin e Objektit të Njësisë profesionale për Zjarrfikje dhe Shpëtim në kuadër të Agjencisë për Menaxhimin Emergjent.

– Dhënë në shfrytëzim pa kompensim të pronave të kërkuara nga Komuna e Hanit të Elezit për pronën e menaxhuar dhe në pronësi të Republikës së Kosovës. Bazuar në Planin Zhvillimor Komunal 2010-2025 të komunës së Hanit të Elezit, këto prona do të shfrytëzohen për ndërtimin e hapësirës për administratë dhe për park të qytetit.

– Ndarë 4200 euro për mbulimin e shpenzimeve të transportit të kufomës së qytetares argjentinase, e cila vdiq në Prishtinë, nga Prishtina për në Buenos Aires.

– Miratuar nismën për lidhjen e Marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Austrisë për fushën e sigurimeve shoqërore. Kjo marrëveshje mundëson njohjen e përvojës së punës në të dy Republikat, Kosovë dhe Austri, në të dyja konsiderohet përvoja e punës, e të cilat pastaj llogariten në pensionim, pra bashkohen periudhat e kontributdhënies. Ajo ua mundëson qytetarëve që të realizojnë të drejtat e tyre, siç janë pensionet e moshës, pensionet familjare, pensionet invalidore të punës, si dhe e drejta në pension nga fondi i kursimeve pensionale individuale.

– Plotësuar dhe ndryshuar vendimin për Pakon e Ringjalljes Ekonomike dhe në shtyllën e parë ka shtuar masën sipas së cilës të gjithë të angazhuarit në procesin e regjistrimit të popullsisë dhe ekonomisë do të trajtohen si të punësuar të përkohshëm.

Në këtë mbledhje kabineti Qeveritar gjithashtu është informuar për Raportin e vlerësimit të ligjshmërisë së akteve të kuvendeve komunave për periudhën janar – qershor 2023. Ky raport është hartuar nga Divizioni për monitorimin e komunave në përputhje me Ligjin për Vetëqeverisje Lokale.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *