Die. Nën 24th, 2024

Kurti tregohet optimist: Do të fitojmë edhe zgjedhjet e tjera më së voni në vitin 2025

Kryeministri Albin Kurti në një mbledhje me pikat e Lëvizjes Vetëvendosje ka kërkuar më shumë angazhim aktivistët e partisë, ndërsa ju ka dhënë një vërejtje se në disa qarqe ka tendenca për t’u krijuar “grupe” dhe “grupacione”, duke thënë se “këto grupacione duhet të tejkalohen”.

“Për secilin e secilin nga ne këtu, ashtu siç ka edhe njerëz që e mbështesin, ka edhe njerëz që e mbështesin, ka edhe njerëz që e kritikojnë. Ka edhe tendenca për t’u krijuar grupe, grupacione në mbështetje të një kandidature të mundshme, apo në mbështetje të dikujt tjetër. Por për sa kohë që na bashkon Lëvizja dhe ideali ynë kombëtar e shoqëror, këto grupacione duhet të tejkalohen”, tha Kurti.

Kurti ndërsa ka folur për zgjedhjet e 14 shkurt të vitit 2021 ku VV doli e para me 50.2% , ka shprehur bindjen se partia e tij do të dalë fituese edhe në zgjedhjet që sipas tij mund të mbahen më së voni në vitin 2025.

“Ne kemi fituar zgjedhjet në 6 tetor 2019, kemi fituar përsëri me 50.2% të votave në 14 shkurt 2021, e me siguri do të fitojmë edhe zgjedhjet e tjera më së voni në vitin 2025. Por arsyeja pse angazhohemi nuk është fitorja e zgjedhjeve por dëshira për ndryshim. Këtë duhet ta kërkojmë nga vetvetja përditë, në punën tonë organizative dhe politike. Për ta mundur korrupsionin, duhet që vetë ne të mos vuajmë nga lakmia e nga zilia. Për ta mundur paaftësinë, duhet që vetë ne të jemi modestë e të hapim rrugën për profesionistët. Për ta mundur prapambetjen, duhet që vetë ne të sfidohemi e të largohemi prej rehatisë, prej zonës së komfortit”, tha ai.

“Ndryshimi që ne dëshirojmë të sjellim në Kosovë për të kapur hapin e zhvillimit të vendeve evropiane është ende në fillimet e tij andaj duhet të angazhohemi si struktura që të zgjerohet komunikimi ynë me popullin që të kuptohen drejt nevojat dhe mundësitë që kemi, e që të ecim së bashku drejt zhvillimit progresist”.

“Duke kujtuar rëndësinë e angazhimit në nivel të pikave ai përmendi tri detyra që aktivistët tanë duhet t’i bëjnë në punën e tyre”.

“Së pari, nga aktivistët e angazhuar në pikat e Vetëvendosjes, duhet të fillojë një punë me qytetarët, që ata të ndihmohen të kuptojnë më mirë se çka janë detyrat e qeverisjes lokale dhe asaj qendrore, e çka mund të kërkohet prej këtyre niveleve të qeverisjes”.

“Së dyti, nga ju, që jeni përfaqësuesit tanë të përditshëm në lagjet e fshatrat e Kosovës, ne presim angazhimin që së bashku të identifikojmë liderët lokalë, drejtuesit e rinj, që do të angazhohen në zgjedhjet e ardhshme lokale si kandidatë për asamble komunale, apo edhe për kryetarë komunash”, raporton Reporteri.

“Së treti, të dashur bashkëveprimtarë, nuk duhet të harrojmë diçka: angazhimi politik do të thotë aktivitet i dendur. Pra do të thotë organizim takimesh dhe pjesëmarrje në takime. Do të thotë lexim e analizë. Pikat tona e qendrat tona duhet të mblidhen e të diskutojnë, sepse pa diskutim nuk ka politizim”.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *