Sindikata e re e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) ka bërë të ditur se ka shtyrë protestën lidhur me rritjen e pagave dhe pagesën e fundjavës për punëtorët me ndërrime.
Kryetari i sindikatës në KEK, Nexhat Llumnica, ka konfirmuar për “Indeksonline”-n shtyrjen e kësaj proteste, pas bisedës që kishin me Bordin dhe menaxhmentit e korporatës.
“Ne e kemi arsyetuar se paga e punëtorëve të KEK-ut nuk është rrit që nga viti 2018 dhe inflacioni vetëm në eurozonë është diku 30% prej asaj kohe deri tashti. Është suksesi i kompanisë që 5 vjetët e fundit profitabil. Vitin e fundit ishte 107 milionë euro që janë prezantuar nga menaxhmenti i KEK-ut”, u shpreh ai.
Më tej, Llumnica theksoi se suksesi i KEK-ut nuk është ndarë me punëtorët.
“Po ashtu për gjendjen e punëtorë që nuk është e mirë. Mosha mesatare dhe rrezikshmëria në punë ndikon në pagën e punëtorit. Deri tashti nuk kemi gjetur mirëkuptim nga menaxhmenti. Por, kohët e fundit ka pasur një angazhim më serioz. Dje kemi pasur një takim me kryesuesin e Bordit… ku është zotuar se do t’i realizojnë kërkesat e punëtorëve”, tha ai.
Gjatë muajve nëntor dhe dhjetor, sipas Llumnicës, pritet të bëhet një skemë organizative dhe të ketë rritje të pagave dhe mirëqenies së punëtorëve.
Po ashtu, kryesuesi i Bordit… dhe menaxhmenti i KEK-ut u ka dhënë premtim dhe kjo ka bërë që të shtyhet protesta.
“… u kemi hap rrugë negociatave, por në rast se nuk përmbushen do të vazhdojmë protestën”, u shpreh ai.
Llumnica tregoi se paga bazë e punëtorëve është diku 627 euro mesatarja, mirëpo kemi edhe orë shtesë, duke u bazuar në mungesën e madhe të punëtorëve të KEK-ut. (Me 176 orë).
Kujtojmë se KEK-u ka mbi 3000 punëtorë.
Vitin e kaluar ka pasur 5000 konkurrentë për 80 vende pune, ndërsa në konkursin e fundit mbi 200 aplikues për 80 vende pune. Paga në KEK nuk është më atraktive”, tha ai.