Die. Nën 24th, 2024

Kurti: Deri në 2030-tën, projektet për përmirësimin e mjedisit të të bërit biznes do të jenë mbi 10 miliardë

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka marrë pjesë në hapjen e Zyrës së Unionit të Biznesve Shqiptaro-Gjermane.

Në mesin e liderëve të bizneseve shqiptaro-gjermane, Kurti tha se ata kanë hedhur një hap të rëndësishëm në përmbushjen e premtimit për të shërbyer si urë e fuqishme ndërlidhëse mes Kosovës e Gjermanisë.

“Unë e përgëzoj Unionin që ofron një platformë të këtillë bashkëpunimi, sepse janë ura jonë ekonomike dhe tregtare me Bashkimin Evropian, në veçanti me Gjermaninë, dhe jam i interesuar që të shohim se a ka mënyra të reja, të tjera, se si ta bëjmë këtë lloj bashkëpunimi edhe në fusha të cilat nuk i kemi bërë deri më tani, përveç se ta shtojmë intensitetin aty ku tashmë bashkëpunimi po ndodhë”, tha Kurti.

Kreu i qeverisë më tej tha se bizneset nga Kosova po bëhen gjithnjë e më shumë konkurruese në tregun global, që për këtë arritje, sipas tij, rol të pazëvendësueshëm kanë mërgimtarët.

“Rrjedhimisht kjo po dëshmon se si ne po bëhemi vend i orientuar kah eksportet, duke u përfshirë në tregun ndërkombëtar me produkte ushqimore dhe joushqimore”.

“Sipas kryeministrit, me mërgatën ndajmë edhe vlera të përbashkëta, siç është së fundmi edhe sistemi dual që tashmë e kemi me 12 profile, në 21 shkolla, në 14 komuna anembanë Kosovës, me ç’rast përveç forcimit të ekonomisë, mundësive të reja për punësim dhe zhvillimit të aftësive, ndërtojmë themelin për të mësuar gjatë gjithë jetës”.

“Qeveria e Republikës së Kosovës mbështet ekonominë e vendit duke i përkrahur bizneset përmes subvencionimit të kredive investive, me Ligjin për Investime të Qëndrueshme në bazë të së cilit edhe po themelohet Agjencia për Investime dhe Eksport, me synim të promovimit të mjedisit e të bërit biznes në Kosovë dhe me Kosovën”, thuhet në njoftimin e kryeministrisë.

Tutje, Kurti tha se projektet preliminare të investimeve për përmirësimin e mjedisit të të bërit biznes deri në vitin 2030 do të jenë mbi 10 miliardë euro.

“Mbi 50 projekte infrastrukturore përafërsisht rreth 5 miliardë euro ku bëjnë pjesë transporti me 2.5 miliardë, energjia me 1.5 miliardë dhe mjedisi me 1 miliard, dhe projekte kapitale të cilat vetëm në vitet 2023-2024 janë mbi 6 mijë me përafërsisht 1.7 miliardë, dhe e fundit por jo për nga rëndësia siç thuhet mbi 1.2 GË shtesë të kapaciteteve energji të ripërtëritshme”, tha ai

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *