Mër. Nën 27th, 2024

Gjenden mbetje mortore të gjashtë personave në Prekaz të Skenderajt, dyshohen të jenë nga lufta e fundit

Hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës, përkatësisht Sektori për Hetimin e Personave të Zhdukur gjatë Luftës në Kosovë, në koordinim dhe bashkëpunim të ngushtë me Komisionin Qeveritar për Persona të Zhdukur dhe Institutin e Mjekësisë Ligjore, kanë zbatuar Urdhëresën e Gjykatës Themelore në Prishtinë-Departamenti Special, për ekshumim në Prekaz të Poshtëm, të Skenderajt.

Gjatë gërmimeve-kërkimeve, janë hasë disa mbetje mortore (gjetje eshtërore) që dyshohet të jenë të disa personave nga lufta e fundit. Më datë, 09 nëntor 2023 janë gjetur skelete të tre trupave. Hulumtimet kanë vazhduar edhe ditëve në vazhdim, kështu me 20, 21 dhe 24 nëntor 2023 janë hasur gjetje edhe të tre personave të tjerë. Pra, gjatë gërmimeve në këtë lokacion janë gjetur dhe më pas janë tërhequr nga ekipet e Institutit të Mjekësisë Ligjore gjithsej trupa (gjetje eshtërore) të 6 (gjashtë) personave që dyshohet të jenë trupa të zhdukur gjatë luftës së fundit.

Hulumtimet në këtë lokacion konsiderohen të mbyllura për institucionet e përfshira në këtë rast, por puna në koordinim dhe bashkëpunim mes këtyre do të vazhdojë duke trajtuar çdo informacion që do të ofrohet me qëllim të zbardhjes së rasteve tjera. Me këtë rast, ftohen edhe një herë gjithë ata që mund të kenë ndonjë informacion për ndonjë varr individual apo varreza të ofrojë të dhëna tek institucionet përkatëse.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *