Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, nuk është takuar me presidenten Vjosa Osmani, ashtu siç veproi Lumir Abdixhiku.
Për këtë dështim, AAK ka treguar arsyetimin.
“Dje e kishim një vullnet të mirë për të biseduar me Presidenten Osmani për çështjet me rëndësi për vendin, veçanërisht për draft-statutin e Asociacionit.
Kryetari Ramush Haradinaj si dhe Sekretari i Përgjithshëm Muharrem Nitaj ishin në Presidencë në orarin e përcaktuar nga Presidentja Osmani, por fatkeqësisht Presidentja nuk respektoi orarin e caktuar nga vet ajo dhe për këtë arsye takimi nuk është realizuar” ka thënë zëdhënësi i AAK-së, Kushtrim Xhemajli.
Lidhur me ngjarjen kanë reaguar edhe nga Presidenca.
“Takimi ishte paraparë të mbahet, por për shkaqe protokollare nuk është realizuar. Z.Haradinaj nuk ka dashur të presë derisa protokolli e ka njoftuar Presidenten për arritjen e tij”, tha Bekim Kupina, këshilltar për Media i Presidentes.
Ai shtoi se ftesa e Osmanit për Haradinaj qëndron e hapur.
“Pavarësisht kësaj, Presidentja Osmani ka lënë të hapur mundësinë e takimit ditëve në vazhdim, kurdo që kreu i AAK-së e vlerëson se duhet diskutuar dhe adresuar çështjet e rëndësisë nacionale. Dera e Presidencës vazhdon të mbetet e hapur.”