Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, njësoj si edhe partitë e tjera, është ftuar në takim nga presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani.
Ndonëse i pari i Aleancës, Ramush Haradinaj shkoi te Presidentja, prapë se prapë takimi nuk u mbajt, raporton Indeksonline.
“Dje e kishim një vullnet të mirë për të biseduar me Presidenten Osmani për çështjet me rëndësi për vendin, veçanërisht për draft-statutin e Asociacionit.
Kryetari Ramush Haradinaj si dhe Sekretari i Përgjithshëm Muharrem Nitaj ishin në Presidencë në orarin e përcaktuar nga Presidentja Osmani, por fatkeqësisht Presidentja nuk respektoi orarin e caktuar nga vet ajo dhe për këtë arsye takimi nuk është realizuar” ka thënë zëdhënësi i AAK-së, Kushtrim Xhemajli.
Lidhur me ngjarjen kanë reaguar edhe nga Presidenca.
“Takimi ishte paraparë të mbahet, por për shkaqe protokollare nuk është realizuar. Z.Haradinaj nuk ka dashur të presë derisa protokolli e ka njoftuar Presidenten për arritjen e tij”, tha Bekim Kupina, këshilltar për Media i Presidentes.
Pas kësaj deklarate, AAK ka reaguar përsëri.
Ata thonë se nuk ishte protokolli në pyetje, por që Vjosa Osmani nuk e ka respektuar orën e takimit.
“Nuk ka qenë puna që protokolli do ta njoftonte presidenten për arritjen e zotit Haradinaj në takim dhe që Haradinajt nuk i pritej. Protokolli e ka njoftuar zotin Haradinaj se Presidentja ishte akoma në takim me kryetarin e LDK-së. D.m.th ajo vet e kishte caktuar orën e takimit dhe vet nuk e kishte respektuar agjendën e vet. Kjo është e vërteta” thonë nga AAK.