Ministri i Administratës dhe Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, në konferencë për media ka folur për procesin e shkarkimit të katër kryetarëve të komunave në Veri të vendit përmes peticioneve të iniciuara nga qytetarët.
I pari i MAPL-së ka thënë se për tri komunat, Mitrovicë e Veriut, Leposaviq dhe Zubin Potok, më 22 dhjetor ka nisur rrjedhja e afatit për mbledhjen e nënshkrimeve, raporton Indeksonline.
Ndërkaq, procesi dallon te komuna e Zveçanit, meqë kryetarja e Kuvendit Komunal të Zveçanit nuk e ka procesuar kërkesën e qytetarëve në KQZ.
Kësisoj, grupi i qytetarëve të kësaj komune i janë drejtuar vet MAPL-së dhe KQZ-së, bazuar në Udhëzimin Administrativ.
“Data 27 dhjetor është kur kanë marrë informacione. Nga ai moment fillojnë të rrjedhin 30 ditë e kohës së paraparë për mbledhje të nënshkrimeve”, ka thënë Krasniqi.
Ai ka folur edhe për çështjen e njohjes së targave dhe krijimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Për këtë të fundit, Krasniqi rithekson se Qeveria tashmë ka bërë të qarta qëndrimet e saj.