Avokati i Popullit ka bërë të ditur se dje e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për vlerësimin e përputhshmërisë me Kushtetutën të nenit 28 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës.
Në njoftimin e lëshuar thuhet se dispozita e kontestuar ( neni 28 Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës) ka lënë përkufizimin e njëjtë nga ligji i kaluar, ashtu që ka përcaktuar se “Në listën e kandidatëve të secilit subjekt politik së paku tridhjetë (30%) për qind janë meshkuj dhe së paku tridhjetë (30%) për qind janë femra; me nga një kandidat të secilës gjini përfshirë së paku njëherë në secilin grup prej tre kandidatëve, e që numërohet nga kandidati i parë në listë”.
“Lidhur me rregullimin e tillë të përfaqësimit gjinor në listat e kandidatëve, Avokati i Popullit ka kërkuar nga Gjykata Kushtetuese që të vlerësojë: Nëse dispozita e kontestuar është në përputhshmëri me nenin 7 [Vlerat] të Kushtetutës; Nëse dispozita e kontestuar është në përputhshmëri me nenin 24 [Barazia para Ligjit] të Kushtetutës, si dhe nëse dispozita e kontestuar është në përputhshmëri me nenin 45, paragrafi 1 [Të Drejtat Zgjedhore dhe të Pjesëmarrjes] të Kushtetutës”.
“Kërkesa është parashtruar pasi që Avokati i Popullit është i bindur se përcaktimi i kuotës “së paku 30%” për secilën gjini e përligj trajtimin e pabarabartë të grave. Një rregullim i tillë ligjor ka dëshmuar në praktikë se gratë në vazhdimësi mbeten të nën-përfaqësuara në listat zgjedhore, duke u përmbushur vetëm minimumi i përcaktuar me ligj, e që ky minimum nuk pasqyron barazi për gratë”, thuhet në njoftim.
Ndër tjera, theksohet se Avokati i Popullit vlerëson se vendosja me ligj e kuotës “së paku 30%” për secilën gjini paraqet një lloj paragjykimi të pajustifikuar, duke marrë parasysh se përqindja gjinore në mes të gjinive është pothuajse 50% me 50%, me dallime të vogla dhe çdo kuotë minimale e përfaqësimit nën 50% nuk është në përputhje me qëllimin legjitim që ka ndjek ligji.
“Për më tepër, Avokati i Popullit tërheq vëmendjen se shumica e listave të subjekteve politike që kanë garuar në zgjedhjet e përgjithshme të 14 shkurtit 2021, kanë qenë të përfaqësuara me 30% femra dhe me 70% meshkuj, ku edhe atëherë kriter ligjor për kuotën gjinore ka qenë që në listat e subjekteve politike secila gjini të jetë e përfaqësuar me jo më pak se 30%. Në praktikë vërehet se femrat kanë qenë të përfaqësuara me 30% ndërsa meshkujt me 70%. Ndërsa, është vërejtur se pothuajse në të gjitha listat me kandidatët e subjekteve politike çdo i treti kandidat ka qenë grua, ndërsa dy kandidatët e parë kanë qenë burra”.
“Sqarojmë se lidhur me kërkesën e theksuar më sipër, Avokati i Popullit nuk do të kërkoj masën e përkohshme, duke e pasur parasysh se një përcaktim identik është edhe në ligjin e shfuqizuar, e që në praktikë nuk do të reflektonte ndonjë ndryshim substancial. Me këtë rast, Avokati i Popullit thekson se do të vazhdoj të mbetet i përkushtuar në përmbushje të mandatit të tij kushtetues e ligjor”, thuhet tutje në njoftim