Një vajzë është lënduar pasditen e sotme si pasojë e goditjes nga materiale që kanë rënë nga kulmi i ndërtesës së Komunës së re në Prishtinë.
Policia e Kosovës ka konfirmuar rastin dhe ka thënë se ka nisur punën për zbardhjen e të gjitha rrethanave.
Dafina Basholli, doktoreshë në Qendrën Klinike Universitare ka dhënë hollësi rreth gjendjes së shëndetësore.
“Pacientja për momentin është stabile. Në ora 18:00 do të realizohet edhe një CT kontrolluese e kokës. Pastaj do të transferohet në mjekim… Ajo ka lëndime në kokë, në qafë dhe unazat tarakale”, është shprehur ajo.
“Rreth orës 13:00, është raportuar se në rrugën ‘Nora e Hotit’ në Prishtinë, një person ka marrë lëndime si pasojë e goditjes nga materiale që janë shkëputur nga çatia e një objekti. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe mbështetur në informacionet e para është raportuar për një person të lënduar, femër, e cila është dërguar në QKUK për trajtimin e nevojshëm mjekësor”, thuhet në njoftimin e PK-së.
Ndërsa, Prokuroria ka iniciuar hetime fillimisht në drejtim të veprës penale “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.
“Lidhur me këtë rast, ju njoftojmë se Prokurori i Shtetit ka dalë në vendin e ngjarjes e bashkë me njësitë relevante dhe me urdhër të njëjtit janë iniciuar hetime fillimisht në drejtim të veprës penale ‘Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm’. Prokuroria në koordinim me policinë kanë filluar me ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore lidhur me këtë rast, nga i cili sipas informatave që kemi deri më tani ka marrë lëndime trupore një person (femër)”.