Albin Kurti paralajmëron shkarkime që në javën e parë të qeverisjes, ky është mesazhi për qeverinë në ikje
Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti i cili pritet të jetë edhe kryeministri i ri vendit, ka paralajmëruar se do t’i shfuqizoj vendimet e Qeverisë Hoti.
Fituesi i zgjedhjeve të 14 shkurtit, Albin Kurti përmes një postimi në rrjetin social Facebook kërkoi nga qeveria në detyrë që të ndalë rekrutimet, emërimet dhe keqshpenzimet e parasë publike.
“Çdo intervistim, nominim, rekrutim apo emërim duhet të ndërpritet menjëherë dhe të mos vazhdojë deri në votimin e qeverisë së re. Secili emërim i nënshkruar pas rrëzimit të qeverisë anti-kushtetuese do të anulohet që në javën e parë të qeverisjes, dhe kjo vetëm mund të dëmtojë personat e përfshirë”, deklaroi Kurti.
Postimi i plotë
Ndalni rekrutimet, nominimet dhe keqshpenzimet e parasë publike
Që nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, që e shpalli anti-kushtetuese qeverinë Hoti dhe e dërgoi vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme, qeveria në ikje u tregua shumë aktive në dy drejtime:
1. Keqshpenzim të buxhetit nën maskën e përballjes me pandeminë, por kryekëput me synimin e ndikimit në mbështetjen elektorale. Vaksinat si parandaluesi kryesor i shpërndarjes së pandemisë nuk janë siguruar ende, ndërsa nuk dihet koha e fillimit të vaksinimit as sot e kësaj dite, një vit pas shpalljes së pandemisë, ndërkohë që kanë vazhduar me miratim të shpronësimeve për autostrada! Do t’i mungojnë buxhetit të vendit dhe qeverisë së re, mjete shumë të rëndësishme financiare që do ishin përdorur kryesisht për të garantuar stabilizim sa më të shpejtë të aktivitetit ekonomik.
2. Emërime të përditshme nëpër pozita drejtuese të personave të afërt me pushtetin, me synimin që edhe përkundër humbjes së qeverisjes, të sabotojnë punën e qeverisë në ardhje duke i lënë ‘barrë’ të punës me drejtues që nuk janë pjesë e qeverisjes së re por potencial i pengimit të saj. Vrapi pas intervistimeve, nominimeve, rekrutimeve dhe emërimeve nëpër ndërmarrje publike (si në menaxhment të tyre ashtu edhe nëpër borde), agjencione ekzekutive, rregullatorë, klinika, apo drejtori e departamente ministrish nuk po ka të ndalur.
Dua të bëj shumë të qartë si për qeverisjen në ikje, ashtu edhe për personat që me ose padashje janë bërë pjesë e këtij keqpërdorimi të madh, se:
1. Çdo intervistim, nominim, rekrutim apo emërim duhet të ndërpritet menjëherë dhe të mos vazhdojë deri në votimin e qeverisë së re. Secili emërim i nënshkruar pas rrëzimit të qeverisë anti-kushtetuese do të anulohet që në javën e parë të qeverisjes, dhe kjo vetëm mund të dëmtojë personat e përfshirë.
2. Secili vendim që ka nënkuptuar shpenzim të pakontrolluar të parasë publike pas rrëzimit të qeverisë anti-kushtetuese do të auditohet dhe për çdo keqpërdorim do fillohen procedurat normale të kërkimit të përgjegjësisë.
E ndjej të domosdoshme të rikthesoj që vetëm institucionet e reja që burojnë nga vullneti i zgjedhjeve të 14 shkurtit kanë mandat të sigurojnë avancimin e institucioneve publike, përfshirë këtu edhe ndërmarrjet e rëndësisë së veçantë dhe rregullatorët apo agjencionet ekzekutive.
Imet Rrahmani numëron katër arsyet për rënien e LDK-së, tregon a do t’ia bëjnë Osmanit kuorumin për presidente
Lidhja Demokratike e Kosovës gjendet në një udhëkryq politik, pas humbjes së madhe në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit.
Me 14 mars, LDK do t’i mbajë zgjedhjet e brendshme, me që rast një kryetar i ri dhe kryesi e re, pritet ta udhëheqin atë drejt reformimit dhe rikthimit në nivelet më të larta të skenës politike.
Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, kandidati për deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe ish-ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani ka komentuar arsyet e rënies së LDK-së në zgjedhjet parlamentare dhe zhvillimet e fundit brenda partisë.
Rrahmani deklaroi se nuk e kishte pritur aspak rezultatin e zgjedhjeve të 14 shkurtit, ndonëse kishte pasur indikacione për ndryshim. Mirëpo, ai tha se këtë rezultat e kanë pranuar të gjithë, edhe pse edhe njëherë po faktohen shumë devijime të vullnetit të votuesit.
Tutje, kandidati për deputet përmendi edhe arsyet e rënies së votave elektorale të LDK-së. Njëra nga këto arsye, sipas tij është se LDK ka qeverisur një periudhë të gjatë dhe përkundër rezultateve të mira dhe sukseseve në të gjitha segmentet, nevojat e vendit dhe qytetarëve janë shumë më të mëdha se sa ato që janë arritur.
Rrahmani komentoi edhe kandidatët për postin e kryetarit të LDK-së, derisa u shpreh se beson që këta emra, por edhe shumë të tjerë, do të jenë pjesë e ekipit i cili do ta dërgojë përpara procesin e reformimit dhe rikthimit të madh.
Në fund, padyshim që komentoi edhe kandidaturën e Vjosa Osmanit për presidente. Në pyetjen se a do t’ia bëjë LDK kuorumin Osmanit, Rrahmani tha se “LDK ka dëshmuar shumë herë se është për krijimin e stabilitetit të brendshëm politik”, duke mos e mohuar kështu mundësinë që LDK ta ndihmojë Osmanin rreth marrjes së këtij posti..
6 të vdekur vdekur nga Covid, 730 raste të reja dhe 512 të shëruar
Njoftimi plotë nga IKSHPK!
512 TË SHËRUAR DHE 730 RASTE ME COVID-19!
Gjatë 24 orëve të fundit, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK dhe laboratoret private me metodën RT-PCR, si dhe laboratoret publike dhe private me metodën RAT, janë testuar gjithsej 3.317 mostra të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, prej të cilëve rezultojnë 730 raste pozitive.
Brenda 24 orëve janë raportuar 6 raste të vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv. Rastet e vdekjes janë nga komunat: Gjilan 1 rast (76 vjeç), Prishtinë 2 raste (80, 87 vjeç), Gjakovë 1 rast (79 vjeç), Viti 2 raste (74, 16 vjeç).
Numri total i rasteve pozitive është 76.110 raste nga 348.381 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 1.688 raste të vdekjes.
Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 512 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 63.892 raste, kurse numri i rasteve aktive është 10.530.
Rastet pozitive janë nga komunat: Prishtinë 201 raste, Prizren 63 raste, Pejë 53 raste, Gjakovë 47 raste, Mitrovicë 41 raste, Fushë-Kosovë 40 raste, Lipjan 38 raste, Podujevë 38 raste, Gjilan 35 raste, Ferizaj 28 raste, Kamenicë 26 raste, Vushtrri 22 raste, Obiliq 20 raste, Viti 12 raste, Istog 9 raste, Drenas 8 raste, Klinë 8 raste, Graçanicë 7 raste, Rahovec 7 raste, Deçan 6 raste, Skenderaj 6 raste, Shtime 4 raste, Suharekë 4 raste, Malishevë 3 raste, Kaçanik 2 raste dhe me nga një rast komunat Dragash dhe Hani i Elezit.
Të nderuar qytetarë!
Duke pasur parasysh vlerësimin dinamik dhe në kohë reale të situatës epidemiologjike me COVID -19, sot janë raportuar 730 raste pozitive, që paraqet numrin më të madh të rasteve pozitive këtë vit me tendencë të rritjes ditëve në vijim. Vetëm Në Prishtinë janë raportuar 201 raste pozitive. Shprehim ngushëllime familjarëve për 6 rastet e vdekjeve të raportuara gjatë 24 orëve të fundit.
Numri i rasteve pozitive dhe vdekjeve nga COVID-19 vazhdon të jetë i lartë dhe brengosës si pasojë e drejtpërdrejtë e neglizhimit të masave.
Mjekët të stërngarkuar në spitale po luftojnë kundër këtij virusi tinëzar e shkatërrimtar me tërë fuqinë e tyre profesionale e njerëzore.
IKSHPK përsërit thirrjen për zbatimin e të gjitha masave të përgjithshme dhe specifike për mbrojtjen nga pandemia COVID-19.
Masat parandaluese janë të njëjta me aksent të veçantë se personat pozitiv duhet të qëndrojnë në shtëpi për të parandaluar përhapjen në familje dhe në komunitet. Me zvogëlimin e kontakteve, do ta bëjmë të mundur ndërprerjen e përhapjes së infeksionit.
Andaj rekomandojmë edhe një herë:
1. Të qëndrohet në shtëpi, dhe dalja të jetë vetëm për nevoja të domosdoshme;
2. Ndalimi rigoroz i takimeve me njerëz me të cilët nuk jetoni në bashkësi, pos për qëllime specifike;
3. Ndalimi rigoroz i tubimeve;
4. Respektimi rigoroz i masave kufizuese në aktivitetet publike;
5. Kufizimi i punës për veprimtaritë jo-esenciale dhe vend-ngjarjet duke reduktuar edhe kohën e punës gjatë ditës.
IKSHPK vlerëson se këto masa mund të ndërprenë rritjen e numrit të rasteve, të parandalojnë mbingarkesën e hospitalizimeve dhe të parandalojnë rritjen e numrit të vdekjeve.
IKSHPK apelon tek të gjithë qytetarët, institucionet dhe organizatat publike dhe private, për respektimin dhe ndërmarrjen e të gjitha masave të nevojshme për parandalimin, menaxhimin dhe kontrollin e infeksionit COVID-19, duke marrë parasysh dispozitat e Ligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19, dhe vendimet në fuqi mbi masat dhe obligimet e institucioneve për zbatimin e masave të përgjithshme dhe specifike për mbrojtjen nga pandemia COVID-19.
Në veçanti, bëjmë thirrje për zbatimin e rekomandimeve dhe respektimin e masave kufizuese për aktivitetet publike, përkatësisht kufizimeve për grumbullimin e qytetarëve dhe tubimeve publike.
Grumbullimi i qytetarëve pa maska dhe pa mbajtje të distancës shton rrezikun e përhapjes së infeksionit përderisa virusi SARS-COV-2 është prezent në mesin tonë.
Apelojmë tek institucionet përgjegjëse, përkatësisht Policia e Kosovës dhe inspektoratet përgjegjëse që të mbikëqyrin me përpikëri dhe të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e masave dhe vendimeve të tjera në fuqi në zbatim të Ligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19 në Republikën e Kosovës.
Qytetarë të nderuar,
Ju lutemi për kujdes të shtuar!
Që të shmangni shkaqet dhe pasojat e infeksionit:
Respektoni masat kufizuese për grumbullimet dhe tubimet publike!
Mbani në mend:
FYTYRA E MBULUAR ME MASKË!
DUART E PASTRA! DISTANCA DHE HAPËSIRA E BOLLSHME!
Mbuloni gojën dhe hundën me maskë!
Mbani higjienën!
Respektoni distancën!!
Gjykata Supreme e la jashtë Kuvendit, reagon Adriana Hoxhiq
Kryetarja e Partisë Komuniteti i Bashkuar, Adriana Hoxhiq ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Supreme, që e la atë jashtë Kuvendit të Kosovës.
Hoxhiq deklaroi se është shumë e zhgënjyer me këtë vendim të Supremes teksa shtoi se kjo gjykatë i ka vjedhur votat e qytetarëve.
“Nuk mujta me gjet asnjë argument të qartë që ndërlidhet me ligjin dhe jam ,e të vërtetë e zhgënjyer sepse kam pritur që do të kemi një vlerësim profesional dhe se ky vendim do të tregonte se krejt rajoni e ka problemin ekonomik, demokracia të jetë në nivelin e duhur. Kam besuar që ata më së shumti e dinë së çfarë domethënë të jesh i pabarabartë. Supremja e ka marr një vendim që i ka vjedhur votat e lira të qytetarëve të Kosovës, që kanë dal dhe kanë vendosur sipas vullnetit. Kjo është e papranueshme dhe shkelje e demokracisë”, ka thënë ajo..
KQZ nesër mblidhet për certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve
Gjykata Supreme e Kosovës sot ka marrë vendim edhe për shtatë ankesat e fundit të paraqitura në këtë institucion lidhur me rezultatin e zgjedhjeve parlamentare të 14 shkurtit 2021, ku të shtatë këto ankesa i ka refuzuar.
E pas këtij vendimi të Supremes, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nesër do të mblidhet për të bërë edhe certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve.
Kështu ka bërë të ditur zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
“Mund t’iu konfirmoj se KQZ-ja do të mblidhet të shtunën për certifikimin e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat janë mbajtur më 14 shkurt. Për orën e saktë të mbledhjes do t’iu njoftojmë me kohë”, tha Elezi.
Pas certifikimit të rezultateve nga ana e KQZ, ushtruesja e detyrës së Presidentit ka afat 30 ditë për të thirrur seancën konstituive, në të cilën duhet të zgjidhet kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit.
Ambasadori zviceran viziton VV-në, takohet me Kurtin e Vitinë
Ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Thomas Kolly, ka vizituar lëvizjen Vetëvendosje, ku është pritë nga kryeministri në ardhje, Albin Kurti, së bashku me deputetin e legjislaturës së re, Arben Vitia.
“Ambasadori Kolly e uroi kryetarin Kurti për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor dhe fitoren në zgjedhje. Duke i dëshiruar sukses në punën e tij drejt formimit të institucioneve të reja, ai shprehu interesim të dijë më shumë rreth prioriteteve të qeverisë së re”, thuhet në një njoftim të VV-së
Kurti e ka njoftuar ambasadorin për disa prej prioriteteve që mes tjerash prekin dhe thellojnë bashkëpunimin e mirë mes dy shteteve.
“Detyra e parë e jonë si ekzekutiv do të jetë sigurimi i vaksinës kundër Covid-19, në sasi sa më të madhe dhe sa më shpejt, e për këtë besojmë se shtetet mike do na ndihmojnë, tha Kurti. Së dyti, është çështja e ekonomisë dhe drejtësisë. Ne jemi të interesuar të krijojmë mundësi të reja që diaspora jonë, biznesmenët tanë, dhe investitorë të huaj, t’i orientojnë investimet e tyre edhe në Kosovë. Në këtë pikë, ashtu si edhe në çështje që lidhen me drejtësinë dhe sundimin e ligjit në vend, ne besojmë se bashkëpunimi mes dy shteteve tona do të sjell rezultate të frytshme”, thekson njoftimi i kësaj partie.
Ndërsa ambasadori Kolly, theksoi mbështetjen e shtetit Zviceran për të kontribuar në shtetndërtimin demokratik dhe zhvillimin socio-ekonomik në Kosovë. Në fund, të dyja palët u dakorduan që ta shtojnë e zgjerojnë bashkëpunimin mes dy qeverive tona në të ardhmen…
Moti
Gjatë dites se shtune parashikohet mot i vranet dhe me shi, temperaturat do të lëvizin nga minus 1 deri në 2 gradë celcius . Ne Tirane parashihet Mot pjeserisht me diell,por pasdite dhe me mundesi per te reshura te shiut temperatura do te levizin nga 9 deri në 15 gradë celcius .
COVID-19 NË KOSOVË:
Total raste: 76110 , Të shëruar: 63892 ,të vdekur: 1688
www.rtvarberia.com Tri kanalet e RTV Arbëria si dhe Radion mund të i ndiqni edhe në www.iptvshqipott.com