Michael Doyle, zëdhënës i Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, përmes platformës online “Zoom”, ka thënë se në çështjen në çështjen gjyqësore “Bahtjari dhe Januzi”, gjyqtari i procedurës paraprake ka marrë vendim për vazhdimin e paraburgimit për Ismet Bahtjarin.
“Në çështjen gjyqësore Sabit Januzi dhe Ismet Bahtjari, më 29 janar, Gjykatësi i Procedurës Paraprake urdhëroi vazhdimin e paraburgimit të Ismet Bahtjarit. Gjykatësi konstatoi se ekziston rrezik i moderuar që i akuzuari të arratiset, si dhe arsye të artikulueshme për të besuar se z. Bahtjari mund të pengojë ecurinë e procesit gjyqësor ose të kryejë krime të tjera”, tha Doyle.
Ndërsa, në çështjen gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, Doyle tha se gjatë kësaj jave është dëgjuar dëshmia e tre dëshmitarëve të cilët kanë qenë me masa mbrojtëse.
“Në gjykimin Hashim Thaçi dhe të bashkakuzuarit, këtë javë kanë dëshmuar tre dëshmitarë me masa mbrojtëse. Sipas Prokurorisë, dëshmitari i 42-të, i cili filloi dhënien e dëshmisë të hënën, u rrëmbye dhe u ndalua nga anëtarë të UÇK-së në zonën e Prizrenit në qershor 1999. Dhënia e dëshmisë nga dëshmitari i 43-të i Prokurorisë filloi gjithashtu të hënën. Kjo dëshmi thuhet se lidhet me vrasjen e një viktime pasi u arrestua dhe ndalua nga anëtarë të UÇK-së në zonën e Llapit”¸ tha zëdhënësi i DhSK-së.
Doyle tha se sipas përfaqësuesve të ZPS-së, dëshmitari i 44-të ka dëshmuar lidhur me vizitat e tija të shumta në shtabet e UÇK-së.
“Të martën, dëshmitari i 44-të i thirrur nga Prokuroria filloi dhënien e dëshmisë. Sipas përmbledhjes së lexuar nga Prokuroria, dëshmitari dëshmoi për atë që pa dhe mësoi gjatë vizitave të shumta në disa shtabe të UÇK-së gjatë periudhës përkatëse, përfshirë për komandantët e UÇK-së që takoi. Ky dëshmitar dëshmoi të mërkurën dhe të enjten. Pas seancës së djeshme gjyqësore, Trupi Gjykues u takua me ekipin e Mbrojtjes së Hashim Thaçit për të diskutuar në lidhje me mocionin e dorëzuar nga Mbrojtësi Gregori Kihou për tërheqjen e tij si mbrojtës”¸ tha ai.
Kurse, në çështjen ndaj Salih Mustafës, Michael Doyle tha se Administratorja ka caktuar Laurens van Puyenbroeck si avokat kujdestar i tij.
“Në çështjen gjyqësore Salih Mustafa, më 26 janar Administratorja caktoi z. Laurens van Pajenbruk (Laurens van Puyenbroeck) si mbrojtës kujdestar të z. Mustafa. Caktimi i tij pasoi vendimin e Panelit të Gjykatës Supreme, i cili konstatoi se emërimi i mëhershëm i Venkatesvari Alagendrës si mbrojtëse e z. Mustafa nuk kishte efekt ligjor pasi znj. Alagendra nuk e njoftoi Trupin Gjykues II për synimin e saj për të përfaqësuar edhe zotin Mustafa krahas zotit Krasniqi, dhe as nuk mori vendim nga Trupi Gjykues nëse ekziston konflikt interesi”, tha ai.
Ndër tjerash, për çështjen ndaj Haxhi Shalës, zëdhënësi i DhSK-së tha se gjykatësi i procedurës paraprake ka lëshuar versionin e redaktuar publik të vendimit të tij për konfirmimin e aktakuzës ndaj Shalës.
“Në çështjen gjyqësore kundër Haxhi Shalës, këtë javë Gjykatësi i Procedurës Paraprake lëshoi versionin e redaktuar publik të vendimin të vet të 4 dhjetorit për konfirmimin e aktakuzës kundër z. Shala. Kjo aktakuzë u bë publike më 12 dhjetor 2023. Z. Haxhi Shala akuzohet lidhur me një tentativë të pretenduar për të frikësuar një dëshmitar. Ai u vetëdeklarua i pafajshëm në lidhje me akuzuat kundër tij, tha zëdhënësi i DhSK-së, Michael Doyle.
Ndryshe, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, çdo të enjte, në orën 14:30, përmes platformës online “Zoom” mbajnë informim javor ku ofrojnë informacione të përditësuara mbi zhvillimet e fundit lidhur me procedurat gjyqësore dhe veprimtaritë në këtë gjykatë.