Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri thotë se me deklaratat e fundit kryeministri Kurti po mundohet të largojë vëmendjen prej keqpërdorimeve milionëshe në KEK.
Tahiri këtë kundërpërgjigje e tha pas deklaratës së fundit të kryeministrit, ku ditën e djeshme përmes një videoje kritikoi ish-qeveritarët për qeverisjen e tyre.
“Kjo është një prej mënyrave se si Albin Kurti mundohet ta largojë vëmendjen prej keqpërdorimeve milionëshe në KEK dhe me rezervat shtetërore te vajit e grurit që rezultuan edhe me arrestime”, tha Tahiri.
closevolume_off
Sipas Tahirit, Qeveria Kurti është niveli galopant i korrupsionit dhe keqpërdorimeve.
“Në fakt, në asnjë qeveri nuk ka pasur këso niveli galopant të korrupsionit dhe të keqpërdorimeve sikur në Qeverinë e Albin Kurtit”, tha Tahiri.
Ndërsa, sa i përket deklartës së kryeministrit që tha se ish-qeveritarët janë kujdesur për jetën e tyre luksoze, Tahiri thotë se një jetë të tillë po bëjnë ministrat e Kurtit.
Ai shton se luksi i tyre kuptohet në shpenzimet që ministrat e kabineti i kryeministrit bëjnë në dreka e darka.
“Jetë luksoze po bëjnë vetëm ministrat e Albin Kurtit që në mënyrë të dyshimtë kanë shtuar pronat pasi erdhën në pushtet, sidomos në lagje luksoze. Po ashtu, shikoni shpenzimet e kabinetit të kryeministrit dhe ministrave në dreka e darka dhe e kuptoni luksin e tyre”, tha Tahiri.
Tutje, Tahiri shton se shifrat e ikjes së dy viteve të fundit janë të frikshëm, madje sipas tij, Albin Kurti me qëllim e ka shtyrë procesin e regjistrimit të popullsisë.
“Si rrjedhojë, në asnjë qeveri të mëparshme nuk ka pasur zhgënjim dhe ikje kaq masive të qytetarëve sikur në Qeverinë e Albin Kurtit. Aq të frikshme janë shifrat e ikjes së dy viteve para liberalizimit të vizave sa që Albin Kurti qëllimisht e ka shtyrë procesin e regjistrimit të popullsisë vetëm që mos të kuptohet shkalla e vërtetë e dramës njerëzore që ka shkaktuar keqmenaxhimi dhe korrupsioni i qeverisë së tij”, tha Tahiri.
Kujtojmë se kryeministri Kurti dje përmes një videoje akuzoi ish-qeveritarët për politikë të gabuar.
Sipas Kurtit, ata që kanë qenë në qeveri kanë lënë popullin të varfër dhe janë kujdesur për jetën e tyre luksoze.
“Lufta, dhe më pas politika e gabuar e politikanëve që ishin në krye të shtetit, lanë pas popullin pa përkujdesje, të varfër dhe të ekspozuar ndaj organizatave dhe bandave kriminale, derisa kujdeseshin për jetën luksoze të tyre dhe atyre që bashkëpunuan me ta”, tha Kurti.