Ka nisur të mbahet në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, protesta kombëtare e thirrur nga Rithemelimi.
Eksponentët e lartë të Rithemelimit, përfshirë kreun e grupit parlamentar të PD Gazmend Bardhi marshuan së bashku me mbështetësit nga selia blu në drejtim të Kryeministrisë.
Kjo është protesta e parë e Rithemelimit e cila nuk udhëhiqet nga ish-kryeministri Sali Berisha, i cili që prej fundit të dhjetorit 2023 ndodhet nën masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”.
Në krye të turmës ishin Flamur Noka, Luçiano Boçi, Gazment Bardhi, Belind Këlliçi dhe Tomorr Alizoti.
Me pankarta si: “Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa”, protestuesit marshuan drejt godinës së qeverisë.
Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta dhe deputetja e kësaj force politike Monika Kryemadhi nuk ishin të pranishëm në protestën e thirrur nga opozita, për shkak të angazhimeve jashtë shtetit.
Nga organizatorët e kësaj proteste është bërë e ditur se Sali Berisha do t’i përshëndesë qytetarët me një fjalim nga banesa e tij.