Muaji prill pritet të jetë vendimtar për sa i përket fatit të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, kur nis sesioni pranveror i Asamblesë Parlamentare.
Kosova do të shkojë atje me synimin për të marrë sinjalin për të ecur pastaj në fazën tjetër, e cila ka karakter politik e që është seanca ministrore. Kështu kanë bërë të ditur zyrtarë të lartë qeveritarë.
Në seancën plenare të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ish-kryediplomatja greke, Dora Bakoyanis, do të paraqesë raportin gjithpërfshirës. Nga zyrtarë të Qeverisë së Kosovës është mësuar se kritika që do të paraqitet karshi autoriteteve të Kosovës do të jenë vlerësimet e ekzekutivit për vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Në këtë kontekst, në fokus është mos-zbatimi i vendimit të Kushtetueses sa i përket pronave të Manastirit të Deçanit.Nga Qeveria e Kosovës mësohet se për këtë temë, e cila në aspektin zbatues i bie barrë autoriteteve komunale të Deçanit, pritet të ketë thirrje inkurajuese për zbatim të vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Kjo përkundër qëndrimit të mëparshëm të kësaj qeverie karshi këtij vendimi. Megjithatë nga zyrtarët e lartë qeveritarë ky po shihet si “kompromis” për të marrë mbështetje në rrugën drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës.
Pjesa tjetër e raportit, sipas autoriteteve qeveritare, konfirmon progresin e Kosovës andaj edhe përbën bazë për të shpresuar në sinjale pozitive.
Megjithatë, mbetet të shihet nëse në Këshillin Ministror të Këshillit të Evropës që mbahet në maj të këtij viti, a do t’i parashtrohen Kosovës kushte specifike, ndikuar nga rrethanat politike siç janë: dialogu, asociacioni e çështja e dinarit/RTK