Mar. Nën 26th, 2024

ASK gati për regjistrimin e popullsisë, përfshihet edhe diaspora

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), është e gatshme të fillojë procesin e regjistrimit të popullsisë që nisë nga data 5 prill deri më 17 maj të këtij viti.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit Ekzekutiv të ASK-së, Avni Kastrati, në konferencën me rastin e hapjes së Fushatës për Komunikim dhe Sensibilizim për Regjistrimin e Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave në Kosovë, tha se kanë mbetur vetëm 27 ditë nga fillimi i regjistrimit të popullsisë.

Ai tha se në këtë regjistrim do të përfshihet edhe diaspora.

“Fushata sensibilizuese preferohet të bëhet vetëm disa javë para regjistrimit të popullsisë. Na kanë mbetur vetëm 27 ditë nga regjistrimi i popullsisë. E kemi zënë trenin e fundit të vitit 2024, pasi ishte dhe pandemia. Sivjet janë tri shtete në botë që do të shkojnë në regjistrim të popullsisë, Gjeorgjia, Moldova dhe Kosova. Shtetet tjera e kanë bërë dhe disa nuk e kanë bërë siç është Bosnja e Hercegovina, pasi ka sfida. ASK-ja është e gatshme që të shkojë në regjistrim të popullsisë”, tha ai.

Tutje Kastrati tregoi se projekti për regjistrimin e popullsisë është i bazuar në Ligjin për regjistrimin e popullsisë dhe në dy rregullore. Kastrati tha se pyetësori do të bëhet publik së shpejti për të gjithë qytetarët dhe do të jetë online për t’i parë pyetjet.

“Për finalizimin e shumë aktiviteteve kontribut shumë të çmuar kanë dhënë përveç institucioneve vendore duke filluar nga Qeveria, ministritë dhe agjencionet dhe institucionet ndërkombëtare. Janë mbajt dy takime të mëdha tërë javën ku kanë qenë të ftuar mbi 200 institucione apo përfaqësuar të tyre. ASK-ja i ka implementuar rekomandimet ndërkombëtare dhe ka një konsistencë nga regjistrimi i kaluar i vitit 2011 për shkak të krahasueshmërisë së pyetjeve. Tri objekte që do të regjistrohen: një është popullsia, ekonomitë familjare dhe të gjitha banesat, shtëpitë dhe objektet fizike që duken mbi tokë”, tha Kastrati.

Gjithashtu Kastrati theksoi se regjistrimi i popullsisë do të bëhet edhe për ata që jetojnë jashtë Kosovës, apo diaspora.

Kastrati po ashtu tha se të dhënat preliminare do të publikohen vetëm tre muaj pas kryerjes së regjistrimit.

“Ndërsa të dhënat finale do të publikohen nëntë muaj pas regjistrimit të popullsisë”, tha ai.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *