Mar. Nën 26th, 2024

Djali i ish-kryeshefit të Ujësjellësit në arrati për plagosjen e dy afaristëve në Gjakovë

Shkëlzen Ahmeti, djali i Ismet Ahmetit, ish-kryeshefit të Ujësjellësit Rajonal ‘Gjakova’, vazhdon të jetë në arrati për plagosjen e dy afaristëve Driton e Jon Stublla, si dhe një klienti të një kafeneje në Gjakovë.

Policia e Kosovës ka thënë sot se Ahmeti ndodhet ende në arrati nga organet e rendit.

Ai, dyshohet për plagosjen me armë zjarri të pronarëve të kafenesë ‘Republika’ në Gjakovë, si dhe një klienti të këtij lokali, mëngjesin e të dielës.

Në raportin 24-orësh të Policisë thuhet se tre të plagosurit janë jashtë rrezikut për jetë, bazuar në informatat e mjekut kompetent në Spitalin e Gjakovës.

“Raportohet se i dyshuari mashkull kosovar pas një mosmarrëveshje, ka plagosur me armë zjarri tre meshkuj kosovarë. Të plagosurit janë dërguar në Spitalin e Gjakovës dhe sipas mjekut kompetent janë jashtë rrezikut për jetë”, thuhet në raportin policor.

Rasti ndodhi në orët e para të mëngjesit të së dielës.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj, tha të dielën se rasti është iniciuar si vrasje në tentativë.

“Aktualisht jemi duke kryer procedurat e nevojshme hetimore në drejtim të zbardhjes së rastit dhe kapjen e të dyshuarit. Në konsultim me prokurorin e shtetit është iniciuar rast ‘vrasje në tentativë’ dhe ‘mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’”, tha ai.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *