LDK-ja i thotë “jo” protestave të iniciuara nga PDK-ja kundër Albin Kurtit
Partia Demokratike e Kosovës nuk i ka përjashtuar protestat për ta kundërshtuar Qeverinë “Kurti”.
Këtë paralajmërim e ka dhënë dy ditë më parë anëtari kryesisë së kësaj partie, Betim Gjoshi, i cili ka deklaruar se mungesa e programit qeverisës dy muaj pas 14 shkurtit, tregon se VV nuk ka çka të ju ofrojë qytetarëve
“Janë mjete demokratike, por asnjëherë duke e dëmtuar shtetin e Kosovës. Të gjitha mjetet që janë të lejueshme, përfshirë edhe protesta, është pjesë e jetës qytetare dhe reagimit qytetar. Si e tillë do të përdorim të gjitha mjetet për ta mbrojtur interesin qytetar. Sidomos kur cenohet sovraniteti, funksionimi i shtetit, demokracia dhe integriteti qytetarë ne do të jemi në ballë të mbrojtjes së tyre”, Kishte deklaruar Gjoshi.
Media për këtë ka kërkuar përgjigje edhe në Lidhjen Demokratike të Kosovës se a do të jenë pjesë e protestës nëse kjo e fundit merr ftesë nga PDK-ja.
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Valentina Bunjaku ka thënë se ende nuk kanë ndonjë vendim lidhur me këtë çështje, por ka mohuar që partia së cilës i përket është për të protestuar.
“Ne dallojmë nga PDK-ja, jemi të tjerë edhe nga të gjitha partitë dhe kështu që ne bashkërisht do ta marrim vendimin edhe pse LDK-ja nuk është e interesuar dhe deri sot nuk e ka parë të rrugës që të del në rrugë dhe të protestojë”, ka deklaruar ajo.
Ajo ka treguar mënyrën se si do të protestojë LDK-ja ndaj kësaj Qeverisë, duke shtuar se nuk i ka besuar dhe nuk i beson aspak kryeministri Albin Kurti.
“Ne do të protestojmë dhe do të jemi opozitë jashtëzakonisht konstruktive në Kuvendin e Kosovës nëpër forume, të ndryshme, nëpër konferenca për shtyp, nëpër televizione dhe do ta japim fjalën tonë dhe do të mundohemi me i bind qytetarët që kjo Qeveri nuk është ashtu si ata e kanë prit, po mendoj për qytetarët sepse unë nuk kam besu asnjëherë në z.Kurti dhe në Lëvizjen Vetëvendosje dhe vazhdoj mos me besu , zero është besimi im ndaj tyre”, është shprehur Bunjaku.
Kurse, sa i përket menaxhimit me pandeminë deputetja Bunjaku ka hedhur akuza të mëdha duke thënë se pandemia nuk po arrin të menaxhohet si duhet.
“Pandemia nuk është kah menaxhohet absolutisht. Me ardhjen e z. Vitia refuzimi i nënshkrimit të kontratës për vaksina ku gjithë qytetarët po e presin atë vaksinë është një dështim jashtëzakonisht i madh”, ka deklaruar deputetja e LDK-së.
Ndërsa, sa i përket dialogut me Serbinë në rast se LDK-ja, merr ftesë nga pozita për të qenë pjesë e bisedimeve, Bunjaku ka thënë se nuk kanë ende vendim për këtë.
“Nuk e di, nuk ka ndonjë vendim në LDK për këtë çështje, unë nuk mundem me thënë kurgjo sepse nuk është diskutuar në forumet e LDK-së dhe ende nuk kemi vendim, edhe pse ata i kanë jashtëzakonisht numrat, nuk e shoh të arsyeshme bile LDK-ja me marr pjesë në bisedime, unë personalisht prapë po them që ende nuk është marrë ndonjë vendim në LDK”, ka thënë Bunjaku.
Jakupi: Udhëzimi administrativ i ka hapur rrugë importimit të vaksinave në Kosovë
Arijanit Jakupi, Kryetar i Odës së Farmacistëve të Kosovës, është shprehur se Kosova ka pasur një udhëzim administrativ me të cilin nuk janë specifikuar detajet e ardhjes së medikamenteve, si vaksina kundër koronavirusit.
“Në rastin e vaksinave, produkteve biologjike, onkologjike, ka pasur një dispozitë që ka përcaktuar që barnat e tilla para se të vijnë në Kosovë duhet të kenë regjistrim të plotë në Agjencinë Evropiane të Barnave”, ka thënë Jakupi.
Jakupi është shprehur se nënshkrimi i udhëzimit administrativ nga Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, i ka hapur rrugë sjelljes së vaksinave, kur ato nuk janë donacione.
“Ka qenë shumë e vështirë, pothuajse e pamundur që të mundësohej hyrja e vaksinave në Kosovë. Nuk ka pasur hapësirë tjetër, përveç në raste të donacioneve”.
“Udhëzimi administrativ i ka hapur rrugë të regjistrimit, autorizimit dhe importit të tyre [vaksinave] në Kosovë”.
Presidenti Biden i shkruan letër Presidentes Osmani, jep lajmin e mirë për vaksinat
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pranuar letër urimi nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, i cili e ka uruar në emër të popullit amerikan për zgjedhjen në krye të shtetit.Presidenti Biden ka përmendur marrëdhëniet e mira ndërmjet të dy shteteve dhe partneritetin e gjatë të rrënjosur në vlerat e përbashkëta, duke përmendur edhe raportin personal të familjes Biden me Kosovën. Në këtë kontekst, Presidenti amerikan ka përmendur të birin e tij Beau, i cili ka shërbyer në Kosovën në kuadër të forcave paqeruajtëse amerikane, siç thuhet në letër për “avancimin e paqes, si dhe sundimit të rendit e ligjit”.
Më tej në letër, Presidenti Biden ka theksuar se do të punojë me Presidenten Osmani në prioritetet që kanë të bëjnë me forcimin e sundimit të ligjit, luftën kundër korrupsionit, mbrojtjen e të drejtave të pakicave dhe bashkësive fetare, rimëkëmbjen nga pasojat e pandemisë Covid-19, zhvillimin ekonomik si dhe sigurimin e të ardhmes së qëndrueshme energjetike. Presidenti Biden i është përgjigjur edhe kërkesës së Presidentes Osmani që SHBA-të të ndihmojnë me vaksina, bazuar në letrën e saj të 19 marsit. Presidenti Biden ka potencuar se me shtimin e sasisë së vaksinave, SHBA-të do të punojnë me partnerët për shpërndarjen e tyre dhe se ekipi i tij do të jetë ne kontakt me Presidenten Osmani për realizimin e synimit të tillë.
14 te vdekur ,957 të shëruar dhe 442 raste me COVID-19!
Gjatë 24 orëve të fundit, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK dhe laboratoret private me metodën RT-PCR, si dhe laboratoret publike dhe private me metodën RAT, janë testuar gjithsej 3.090 mostra të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, prej të cilëve rezultojnë 442 raste pozitive.
Brenda 24 orëve janë raportuar 14 raste të vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv. Rastet e vdekjes janë nga komunat: Drenas 3 raste (91, 83, 69 vjeç), Mitrovicë 3 raste (76, 62, 61 vjeç), Leposaviq 2 raste (78, 68 vjeç), Prishtinë 2 raste (70, 69 vjeç), Gjakovë 1 rast (83 vjeç), Gjilan 1 rast (88 vjeç), Obiliq 1 rast (67 vjeç), Viti 1 rast (68 vjeç).
Numri total i rasteve pozitive është 102.236 raste nga 505.249 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 2.100 raste të vdekjes.
Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 957 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 88.380 raste, kurse numri i rasteve aktive është 11.756.
Rastet pozitive janë nga komunat: Prishtinë 86 raste, Vushtrri 81 raste, Skenderaj 31 raste, Ferizaj 29 raste, Fushë-Kosovë 22 raste, Pejë 21 raste, Leposaviq 19 raste, Lipjan 17 raste, Klinë 16 raste, Gjilan 15 raste, Prizren 15 raste, Gjakovë 14 raste, Malishevë 11 raste, Suharekë 11 raste, Istog 7 raste, Kaçanik 7 raste, Mitrovicë 7 raste, Drenas 6 raste, Podujevë 5 raste, Viti 5 raste, Deçan 4 raste, Obiliq 4 raste, Kamenicë 3 raste, Shtime 3 raste, Hani i Elezit 2 raste dhe Rahovec 1 rast.
Mbuloni gojën dhe hundën me maskë!
Mbani higjienën!
Respektoni distancën
Ministri Hekuran Murati anulon dy tenderë me vlerë mbi një milion euro
Dy tenderë të planifikuar për një vlerë të përbashkët prej një milion eurove të Ministrisë së Punës, janë anuluar sot nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, të udhëhequr nga Hekuran Murati.
Dikasteri i udhëhequr nga ministri Murati anuloi dy tenderët e hapur në javën e fundit në detyrë të qeverisë Hoti.
Tenderi për “sigurimin fizik të objektit të MPMS” ishte hapur më 15 mars. Për këtë kontratë, Ministria kishte planifikuar 666 mijë euro. Ndërkaq, tenderi tjetër i anuluar sot nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, ishte iniciuar për “shërbimet e pastrimit dhe mirëmbajtjes higjienike të objekteve të MMPS” më 22 mars.
Dy tenderët e hapur në javën e fundit të qeverisë Hoti, peshonin një milion e 49 mijë euro.
Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka anuluar dy kontratat për shkak të fuzionimit të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale në kuadër të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve.
“Duke patur parasysh faktin e MPMS me rregulloren e Re të Qeverisë së Republikës së kosovës është bashkuar me Ministrinë e financave dhe tani e tutje do të jetë Ministria e Financave , Punës dhe Transfereve”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Financave për anulimin e kontratave.
Të dy tenderët do të ri-shpallen nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve.
Qeveria hesht për “kompromiset e vështira” me Serbinë
Përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), partisë në pushtet në Kosovë, konsiderojnë që dialogu me Serbinë duhet të ketë një rifillim, me parime të vendosura dhe të qarta.
Ky qëndrim vjen pas letrës së presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden për presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, ku kërkohet që Kosova të fokusohet në normalizimin e raporteve me Serbinë, drejt një marrëveshjeje përfundimtare, e cila kërkon fleksibilitet dhe kompromise të vështira.
Qeveria e Kosovës ende nuk ka dalë me një qëndrim zyrtar lidhur me kërkesën e presidentit Biden.
Albert Krasniqi, hulumtues politikash në organizatën “Demokraci Plus”, vlerëson që Qeveria e Kosovës duhet të trajtojë me prioritet dialogun me Serbinë, pasi që nuk është një çështje që mund të neglizhohet.
Mimoza Kusari-Lila, shefe Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin e Kosovës, parti kjo e cila është në pushtet, tha se procesi i dialogut me Serbinë duhet të ketë një rifillim me parime të vendosura dhe sipas saj, për këtë proces duhet të ketë një unitet brenda spektrit politik të Kosovës.
“Është kompetencë e Qeverisë së Kosovës dhe së shpejti pritet që edhe qeveria të prezantojë qëndrimin e saj në raport me dialogun”, tha Kusari – Lila, duke shtuar se kuvendi bashkë me qeverinë, duhet që të arrijnë konsensus edhe me opozitën.
Qeveria po e zvarrit dialogun me Serbinë?
Lidhur me këtë deklaratë të Kusari-Lilës, Albert Krasniqi thotë për Radion Evropa e Lirë se qëndrimi për të rifilluar dialogun mund të jetë një përpjekje për të zvarritur edhe më tej si proces, por edhe duke kërkuar që të ndajë përgjegjësinë me partitë tjera.
Qeveria e Kosovës, shton Krasniqi, duhet të trajtojë me prioritet dialogun me Serbinë.
Parashikimi i Motit
Gjatë ditës së mërkurë parashikohet mot pjeserisht me diell, temperaturat do të lëvizin nga 1 deri në 15 gradë celcius. Në Tiranë parashiohet mot pjeserisht i vranet me mundesi per te reshra te shiut ,temperaturat do te levizin nga 6 deri në 16 gradë celcius.
Covid – 19 në Kosovë: Total raste: 102236, Të shëruar: 88380, Të vdekur: 2100
www.rtvarberia.com