Mar. Nën 26th, 2024

Ministrja Gervalla në NATO

Vizitën e sotme në selinë qendrore të NATO-s, Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla e ka nisur me takimin me Ndihmës- Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s për Çështje Politike dhe Politika të Sigurisë, Ambasadorin Boris Ruge si dhe Ndihmës Sekretaren e Përgjithshme për Operacione në NATO, znj. Burcu San.

Ministrja Gërvalla shprehu falënderimin e saj ndaj NATO-s dhe strukturave të saj civile dhe ushtarake për mbështetjen e vazhdueshme për vendin tonë, duke u ndalur me theks të veçantë te bashkëpunimi ynë i shkëlqyer me KFOR-in dhe me NALT-in në Kosovë.

Duke marrë parasysh rolin që të dy drejtuesit dhe divizionet përkatëse e kanë në NATO, si shtylla me interes te veçantë, Ministrja Gërvalla theksoi edhe domosdoshmërinë e përparimit të proceseve integruese për Kosovën në NATO deri në anëtarësimin e plotë në këtë organizatë.

Ministrja Gërvalla tutje ka theksuar se Republika e Kosovës është e gatshme dhe e vendosur të fillojë dialogun dhe procesin e konkretizimit të marrëdhënieve tona, duke vënë në pah se Kosova si faktor kyç dhe i dëshmuar si kontributdhënëse për paqe dhe siguri në rajon dhe përtej i ka përqafuar vlerat euroatlantike, të cilat i ndan me aleatët, miqtë dhe partnerët e saj ndërkombëtarë.

Vëmendje e veçantë gjatë këtij takimi kanë zënë dhe aspektet politike dhe të sigurisë në Kosovë dhe rajon, duke nënvizuar obstruksionet dhe sulmet e vazhdueshme të Serbisë si dhe ndërhyrjet e vazhdueshme të influencave të huaja për destabilizim të Kosovës dhe rajonit, në veçanti asaj ruse në Ballkanin Perëndimor.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *