Die. Nën 24th, 2024

Agjencitë amerikane të zbulimit paralajmërojnë ligjvënësit për pasojat e ndërprerjes së ndihmave për Ukrainën

Në raportin e përvitshëm mbi vlerësimin e kërcënimeve ndaj sigurisë, të publikuar të hënën, drejtuesit e agjencive amerikane të zbulimit u thanë ligjvënësve se lufta në Ukrainë është në një pikë, ku rezultati i saj do të varet nga ndihma amerikane. Senatorët amerikanë po i bëjnë thirrje udhëheqësve të Dhomës së Përfaqësuesve që ta miratojnë projektligjin për ndihmat e huaja prej 95 miliardë dollarësh, i cili përfshin edhe ndihmat për Ukrainën.

Ukraina po përballet me mungesa të municionit dhe armëve të tjera dhe është në pritje të një raundi të ri ndihmash nga Shtetet e Bashkuara. Një projektligj, që përfshin afër 60 miliardë dollarë ndihma për Ukrainën, është miratuar nga Senati, por ende nuk është hedhur për votim në Dhomën e Përfaqësuesve nga Kryetari i saj republikan, Mike Johnson. Disa senatorë thonë se ky është një gabim serioz.

“Kam frikë se vendimi i Dhomës së Përfaqësuesve për të mos marrë në shqyrtim deri më tani projektligjin, që ofron mbështetje për Ukrainën në luftën kundër agresionit të Putinit, ka qenë një nga vendimet e saj më dëmshme për çështjet e sigurisë kombëtare”, tha Kryetari i Komisionit të Senatit për Zbulimin, Mark Warner.

Agjencitë amerikane të zbulimit thanë të hënën në raportin e tyre të përvitshëm mbi kërcënimet ndaj sigurisë në botë se Presidenti rus Vladimir Putin shpreson në lëkundjen e mbështetjes së Perëndimit për Ukrainën.

“Ne jemi në një kryqëzim shumë të rëndësishëm për Ukrainën, sigurinë e Evropës dhe interesat amerikane afatgjata në botë. Mendoj se me një shtim të ndihmave, të miratuara nga Kongresi, krijohet një mundësi reale e çimentimit të një suksesi strategjik për Ukrainën dhe një humbjeje strategjike për Vladimir Putinin”, tha Drejtori i CIA-s William Burns.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *