Kosova dhe Kroacia nuk mund të garantojnë mbrojtjen në liri të krerëve të UÇK-së
Qeveria e Kosovës dhe shteti i Kroacisë, kanë thënë se nuk mund të jenë garantues për lirim me kusht të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit nga Gjykata Speciale në Hagë.
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se Kosova nuk mund të shërbejë si garantuese për lirimin me kusht të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ngase garancia nuk kërkohet as nga shteti amë.
“Bazuar në dispozitat ligjore, garancia nuk kërkohet as nga shteti amë (Kosova) e as nga kryeministri i shtetit amë (Qeveria e Republikës së Kosovës), nga i cili vjen i akuzuari dhe të cilit shtet i takon Gjykata Speciale me juridiksion. Pra, Kosova nuk mund të shërbejë si garantues, ashtu siç po raportohet”, tha Kryeziu përmes një përgjigje me shkrim.
Sipas përgjigjes së zëdhënësit të qeverisë, “gjyqtari Kai Ambos, në opinionin e tij të ndarë nga vendimi për refuzimin e kërkesës për lirim me kusht, eksploron mundësinë që në të ardhmen ‘shtete të treta’ të mund të shërbejnë si garantues të mundshëm për ndonjë të akuzuar. Por, Kosova nuk është ‘shtet i tretë’, sepse Gjykata është ligjërisht e Kosovës”.
Kryeziu tha se “krahasimet e Gjykatës Speciale me gjykata ndërkombëtare sikurse me Tribunalin e Hagës janë të paqëndrueshme, si në raport me vetë gjykatat – njëra vendore e tjetra ndërkombëtare – ashtu edhe në raport me personat/institucionet që kanë pasur mundësi të ofrojnë garanci”.
Millanoviq: Kjo është e pamundur
Presidenti i Kroacisë, Zoran Millanoviq ka thënë se nuk mund të ofrojë garanci për ish-homologun e tij, ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.
“Kjo është e pamundur, nuk mund të jap garanci të tillë sepse kjo nuk është kompetencë e imja”, ka thënë ai duke iu u përgjigjur pyetjeve të gazetarëve gjatë vizitës në qytetin kroat, Sisak.
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi po akuzohet për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar.
Aktakuza ndaj Thaçit sipas presidentit kroat Zoran Millanoviq, është mënyrë për ta dështuar rajonin.
Presidenti kroat, Zoran Millanoviq.
FOTO GALERI
“Tani dikush në çarshinë e Beogradit ndoshta do të ma zë për të madhe, por unë nuk jam armik i serbëve, as kam qenë, as nuk do të jem kurrë. Thjesht mendoj se është e dëmshme. Thaçi është dashur të ishte akuzuar ose të ishte lënë i qetë, sepse disa njerëz nga Beogradi kalojnë lehtë (të paprekur)”, tha Millanoviq.
Ai është i bindur se Thaçi ka të ngjarë të arrijë pleqërinë para gjykatës, për shkak të akuzave “të paprovuara” në raportin e Këshillit të Evropës, lidhur me pretendimin për trafikim të organeve.
“Në këtë kuptim, konsideroj që kjo është dëmtuese, por nuk kam ofruar kurrfarë garancish – jo, dhe as që mundem ta bëj këtë. Kjo, thjesht është e pamundur. Edhe po të kisha thënë kështu, unë e kam të pamundur ta bëj këtë”, ka thënë Millanoviq.
Ai ka shtuar që Kroacia nuk do ta bënte atë që e ka bërë Hungaria, si anëtare e BE-së – që t’i japë azil ish-kryeministrit maqedonas, Nikola Gruevskit, i cili kishte ikur në Hungari, në mënyrë që t’i shmangej dënimit me burg prej dy vjetësh, për shkak të korrupsionit.
Edhe Presidenca thotë se Kosova nuk mund të jetë garantuese
Këshilltari për media i presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, Bekim Kupina, ka thënë se Kosova nuk mund të jetë garantuese për mbrojtjen në liri të ish-udhëheqësve të UÇK-së.
“Çështja e garancisë është përmendur në mendimin e ndarë të njërit prej gjyqtarëve (Kai Ambos), por nuk është pranuar si opsion nga Paneli i Apelit të Dhomave të Specializuara. Për më tepër, në mendimin e ndarë, gjyqtari Kai Ambos qartë i referohet shtetit të tretë. Republika e Kosovës, me asnjë interpretim, nuk mund të konsiderohet shtet i tretë, sepse gjykata funksionon nën juridiksionin e Republikës së Kosovës”, ka thënë Kupina.
IKD: Kosova mund të llogaritet si “shtet i tretë”
Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), tha për Radion Evropa e Lirë se Kosova mund të konsiderohet si vend i tretë dhe në të ardhmen, Kosova mund të japë garancione.
“Nëse trupi gjykues në të ardhmen, mund ta kërkojë ose mund ta konsiderojë si vlerë të shtuar garancionin nga ana e institucioneve të Kosovës për rastet në të ardhmen, Kosova hyn në kuadër të shteteve të treta, vendeve të treta dhe mund të japë garanca të tilla”, tha Miftaraj.
Sipas tij, kjo nuk mund të bëhet në këtë fazë, pasi “Gjykata Speciale nuk ka kërkuar garancione dhe institucionet e Kosovës nuk mund të japin garancione të tilla në këtë fazë”.
Ish-kandidati për deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) Hysen Berisha, ditë më parë ka deklaruar se Kroacia ka ofruar garanci për lirimin me kusht nga Gjykata Speciale, të krerëve të UÇK-së.
Radio Evropa e Lirë ka tentuar të marrë një përgjigje nga Partia Demokratike e Kosovës, por nga kjo parti nuk kanë komentuar lidhur me këtë.
Për çka akuzohen ish-krerët e UÇK-së?
Në tetor të vitit 2020, Gjykata Speciale për hetimin e krimeve të kryera gjatë luftës së Kosovës, kishte konfirmuar aktakuzën ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, nën dyshime për kryerjen e krimeve të luftës në Kosovë në 1998 dhe 1999.
Të gjithë ata janë në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit të kaluar.
Sipas aktakuzës, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi dyshohen për veprat penale që kanë të bëjnë me krime lufte: ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit: burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje, të cilat, sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit të vitit 1998 dhe shtatorit 1999.
Krimet pretendohet se janë kryer në disa lokacione të Kosovës dhe në veri të Shqipërisë, përkatësisht në Kukës dhe Cahan.
Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.
Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty./REL
Ministri Mehaj falënderon Turqinë për përkrahjen e FSK-së
Në vazhdën e takimeve me përfaqësuesit e korit diplomatik në Kosovë, ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj, priti sot në takim ambasadorin e Republikës së Turqisë në Kosovë, Çagri Sakar.
Siç bëhet e ditur në kumtesën ministrore, ambasadori Sakar, i përcolli ministrit Mehaj urimet e Ministrit të Mbrojtjes të Republikës së Turqisë Hulusi Akar.
Duke e uruar personalisht për detyrën e ministrit, ambasadori Sakar i premtoi ministrit Mehaj se Turqia, si një vend mik dhe aleat i fuqishëm i Kosovës, do të vazhdojë ta mbështesë Ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK-në, në të gjitha fushat dhe komponentët në mënyrë që t’i përmbushë me sukses të plotë synimet e saj.
Nga ana e tij, ministri Mehaj e falënderoi ambasadorin Sakar për vizitën e tij duke shprehur mirënjohjen dhe vlerësimin e lartë për Republikën e Turqisë, për ndihmën dhe mbështetjen e ofruar në ndërtimin, zhvillimin dhe avancimin e aftësive dhe kapaciteteve operacionale ushtarake të FSK-së.
Të dy u pajtuan që bashkëpunimi në nivel të ministrive të mbrojtjes të fuqizohet edhe më tej në funksion të paqes, sigurisë dhe stabilitetit rajonal e më gjerë.
Donika Gërvalla ftohet të raportojë para Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë
Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë ka ftuar ministren Donika Gërvalla për të raportuar në këtë komision më 11 maj, pasi sot raportoi lidhur me ecurinë për dialogun zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi.
Kryetari i këtij komisioni Haki Abazi ka njoftuar se anëtarët e komisionit u dakorduar që kryediplomatja të ftohet në raportim pas.
Postimi i plotë:
Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë të mbajtur raportoi Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, i cili e informoi komisionin lidhur me vizitën e tij në Bruksel dhe takimet e zhvilluara atje dhe dinamiken qe pritet ne muajt ne vazhdim. Takimi është karakterizuar me pyetje, diskutime dhe komente të frytshme për të vendosur bazat e bashkepunimit dhe komunikimit Komision Parlamentar- Ekzekutiv, me qëllim të rritjes së llogaridhënies, transparencës dhe shkëmbimit të informacioneve për proceset e rëndësishme që janë duke u zhvilluar në vendin tonë.
Gjithashtu KPJD sot miratoi fushë-veprimtarinë e komisionit. Anëtarët e komisionit u dakorduan që të kërkohet nga grupet parlamentare që të dërgohen propozimet sa i përket përbërjes së anëtarëve të grupeve të Miqësisë për Legjislaturën e VIII, ndërmjet Kuvendit të Republikës së Kosovës me parlamentet e shteteve tjera. Mbledhja vijoi me propozimin që të formohet një grup punues brenda komisionit lidhur me mundësinë e plotësim-ndryshimit të rregullores për formimin e grupeve të miqësisë, e cila rregullore daton që nga viti 2009.
Në fund të mbledhjes, anëtarët e komisionit u dakorduan që në takimin e radhës të planifikuar më datë 11 Maj 2021, të ftohet Ministrja e Punëve të Jashtme, Znj. Donika Gërvalla Schwarz, për të raportuar lidhur me Planin Legjislativ të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.
.
310 Të Shëruar Dhe 153 Raste Me Covid-19!, 4 Të Vdekur
Postimi i plote nga IKSHPK
310 TË SHËRUAR DHE 153 RASTE ME COVID-19!
Gjatë 24 orëve të fundit, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK dhe laboratoret private me metodën RT-PCR, si dhe laboratoret publike dhe private me metodën RAT, janë testuar gjithsej 1.474 mostra të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, prej të cilëve rezultojnë 153 raste pozitive.
Brenda 24 orëve janë raportuar 4 raste të vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv. Rastet e vdekjes janë nga komunat: Gjakovë 1 rast (79 vjeç), Mitrovicë 1 rast (78 vjeç), Prizren 1 rast (83 vjeç), Viti 1 rast (73 vjeç).
Numri total i rasteve pozitive është 105.864 raste nga 544.548 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 2.195 raste të vdekjes.
Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 310 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 96.322 raste, kurse numri i rasteve aktive është 7.347.
Rastet pozitive janë nga komunat: Prishtinë 35 raste, Ferizaj 17 raste, Pejë 14 raste, Gjakovë 13 raste, Kaçanik 11 raste, Gjilan 10 raste, Istog 9 raste, Podujevë 9 raste, Mitrovicë 8 raste, Vushtrri 8 raste, Fushë-Kosovë 4 raste, Klinë 4 raste, Drenas 2 raste, Obiliq 2 raste, Prizren 2 raste, Skenderaj 2 raste, Viti 2 raste, Malishevë 1 rast.
Mbuloni gojën dhe hundën me maskë! Mbani higjienën! Respektoni distancën!
Konjufca: Themelet e lirisë dhe shtetit tonë qëndrojnë mbi sakrificën e dëshmorëve
Me rastin e 5 Majit – Ditës Kombëtare të Dëshmorëve të Atdheut, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, vizitoi disa vatra të rezistencës çlirimtare në Kosovë dhe nderoi dëshmorët e martirët e rënë për lirinë e vendit tonë.
Kështu, ditën e sotme kryekuvendari Konjufca e filloi me nderime në Prekaz, te varri i Komandantit Legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Adem Jashari, për të vazhduar më pas në Kompleksin Memorial në Morinë.
Pasi vendosi lule dhe nderoi të rënët, kryetari i Kuvendit vazhdoi për në Gllogjan, për të bërë homazhe në Kompleksin “Dëshmorët e Kombit”.
Nderimin për heronjtë, kryekuvendari Konjufca e përmbylli në Kompleksin Memorial “Zahir Pajaziti” në Orllan, duke vendosur lule pranë shtatores së heroit Zahir Pajaziti.
“Sakrifica sublime e dëshmorëve të kombit qëndron e shenjtë në themelet e lirisë. Pa luftën e tyre për liri, ne nuk do ta kishim shtetin tonë e as pavarësinë. Është obligim institucional t’i nderojmë e t’i kujtojmë të rënët për liri. Ata kanë rënë në të kaluarën por nuk janë pjesë e së shkuarës, por janë shumë aktualë”, theksoi me këtë rast kryekuvendari Konjufca.
Zvicra merr vendimin, heq Kosovën nga lista e shteteve me rrezik nga Covid-19
Zvicra ka vendosur që ta heqë nga lista e karantinës shtetin e Kosovës. Kështu ka bërë të ditur Zyra Federale e Shëndetit Publik (BAG).
Kjo zyrë ka publikuar listën e re të vendeve që konsiderohen me rrezik të lartë të përhapjes së COVID-19, në të cilën listë Kosova nuk figuron më si shtet me rrezik, transmeton Telegrafi.
Karantina për qytetarët të cilët kanë udhëtuar nga Kosova drejt Zvicrës ka qenë në fuqi nga 22 marsi i këtij viti e deri më 06 maj 2021, që nënkupton se që nga nesër nuk do të ketë më karantinë për të gjithë ata persona që udhëtojnë nga Kosova në Zvicër.
Zyra Federale e Shëndetit Publik (BAG), krahas Kosovës nga lista e karantinës ka hequr edhe edhe Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Bosnjë e Hercegovinën.
Me riaktualizimin e fundit, karantina është e detyrueshme për shumë shtete, regjione dhe bashkësi të shteteve.
.
Parashikimi i motit
Gjatë ditës së enjte parashikohet mot pjeserisht me diell, temperaturat do të lëvizin nga 8 deri në 23 gradë celcius. Në Tiranë poashtu parashikohet moti pjeserisht me diell ,temperaturat do te levizin nga 12 deri në 25 gradë celcius
COVID-19 në Kosovë: Total raste: 105864,Të shëruar: 96322 të vdekur: 2195
www.rtvarberia.com