Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, i ka reaguar ashpër ambasadorit të SHBA-së në Serbi, Christopher Hill, pas deklarimeve të tij se Serbia është afër NATO-s.
Përpara pjesëmarrësve në konferencën “Avansimi i lidershipit gjithëpërfshirës si domosdoshmëri strategjike në adresimin e sfidave të shekullit 21”, presidentja deklaroi se Serbia as në ëndrra nuk e sheh NATO-n, raporton Indeksonline.
Madje, presidentja tha se një shtet si Serbia, që fle mbi varrezat masive, të thotë se është afër NATO-s, ofendon shtetet që po punojnë në këtë aspekt.
“Serbia është shtet që kurrë nuk është ballafaquar me të kaluarën e saj gjenocidale. Është një shtet i cili ka kryer gjenocid, ka kryer krime kundër njerëzimit, është një shtet që ka kryer krime lufte dhe akoma fle mbi varreza masive. Kështu që më lejoni ta them troç. Kushdo që e konsideron Serbinë si shtet që është afër NATO-s, nuk e ofendon vetëm çdo shtet demokratik që po bën hapa konkret drejt anëtarësimit, por njëkohësisht është duke i ofenduar edhe viktimat e Serbisë së Millosheviqit, e cila është njëjtë sot, siç ka qenë edhe para disa dekadave” ka thënë mes të tjerash Osmani.
Ky është deklarimi i plotë i saj për media:
Ekziston vetëm një shtet që është më larg NATO-s sesa Serbia, e ai është Rusia e Putinit. Një shtet si Sebia, i cili vazhdimisht ka shkelur vlerat kryesore mbi të cilat qëndron NATO-ja, pra mbrojtjen nga forcat autoritare, mbrojtjen nga shtetet të cilat shkelin rregullat bazike të së drejtës ndërkombëtare, siç është Serbia, lëre që është larg NATO-s, por as nuk mund të ëndërrojë një ditë të jetë pjesë e NATO-s.
E dyta, Serbia vet, për shkak se është pikërisht anti-vlerave të NATO-s, nuk ka shprehur gatishmëri që të anëtarësohet në NATO. Pra është i vetmi shtet i Ballkanit Perëndimor që ka deklaruar se nuk do të anëtarësohet në NATO sepse është kundër NATO-s.
E treta, Serbia është një shtet i cili para pak muajsh ka kryer akt agresioni kundër Republikës së Kosovës, vazhdimisht tenton të shaktërrojë Bosnje e Hercegovinën përbrenda dhe të njëjtën e bën edhe me Malin e Zi. Kjo nënkupton që ky është një shtet njësoj sikurse Rusia, që lëre që shkel parimet dhe vlerat e fqinjësisë së mirë, por në të njëjtën kohë ndërmerr veprime konkrete e të dhunshme, duke i konsideruar fqinjtë përreth si shtete të përkohshme e jo shtete të përhershme që, në fakt, jemi.
Serbia është shtet që kurrë nuk është ballafaquar me të kaluarën e saj gjenocidale. Është një shtet i cili ka kryer gjenocid, është një shtet që ka kryer krime kundër njerëzimit, është një shtet që ka kryer krime lufte dhe akoma fle mbi varreza masive. Kështu që më lejoni ta them troç! Kushdo që e konsideron Serbinë si shtet që është afër NATO-s, nuk e ofendon vetëm çdo shtet demokratik që po bën hapa konkret drejt anëtarësimit, por njëkohësisht është duke i ofenduar edhe viktimat e Serbisë së Millosheviqit, e cila është njëjtë sot, siç ka qenë edhe para disa dekadave.