Die. Nën 24th, 2024

NGJARJET E DITËS, E HËNË, 17.05.2021

Sveçla pas kapjes së kokainës në Lipjan: Kosova nuk do të jetë më streha e kriminelëve

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka reaguar pas kapjes së kokainës në Lipjan.
Ai u shpreh se pas këtij aksioni Kosova nuk do të jetë më streha e kriminelëve, shkruan Indeksonline.
Postimi i plotë:
Sot gjatë një aksioni të koordinur me institucionet e partnerëve tanë, Policia e Kosovës ka kapur një sasi të konsiderueshme të substancës së dyshuar, kokainë.
Falënderoj institucionet e partnerëve tanë aleat që ndihmuan në këtë zbulim dhe përgëzoj pjesëtarët e Policisë së Kosovës për kryerjen e shkëlqyeshme të detyrës së tyre.
Republika e Kosovës me të gjitha kapacitetet e saj do të jetë e pakompromis në luftimin e të gjitha aktiviteteve kriminale që rrezikojnë sigurinë e qytetarëve dhe që sfidojnë sundimin e ligjit.
Pas 14 shkurtit, Republika e Kosovës nuk do të jetë më streha e kriminelëve.

Gresa Caka-Nimani, zgjedhet kryetare e Gjykatës Kushtetuese

Gjyqtarja Gresa Caka-Nimani sapo është zgjedhur Kryetare e Gjykatës Kushtetutese. Ajo është zgjedhur Gjyqtare e Gjykates Kushtetuese nga Kuvendi i Republikës së Kosovës në fund të vitit 2015. Në biografinë e saj bie menjëherë në sy fakti se ajo është e fituese e dy cmimeve shumë të rëndësishme nga Departamenti Amerikan i Shtetit.
Gresa Caka-Nimani duket se është e vetmja shqiptare që vlerësuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit për kontribut të jashtëzakonshëm në zgjidhjen e krizave kushtetuese dhe mbrojtje të interesave strategjike në fushën e politikës së jashtme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Po ashtu, Gresa Caka-Nimani është dekoruar nga Departamenti Amerikan i Shtetit me një çmim jashtëzakonisht prestigjioz si “Michael K. White Memorial Award” për kontribut të posacëm në hartimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Në vitin 2016, shefja e USAID-it për gjithë globin, z. Gayle Smith, e kishte përzgjedhur Kryetaren në ardhje Gresa-Caka Nimani si shembull të një gruaje të sukseshme, duke marrë në konsideratë punën e saj në zhvillim të rendit institucional të Republikës së Kosovës.
Ajo do e zëvendësojë Kryetarën aktuale Arta Rama-Hajrizi dhe detyrën do e merr më 26 qershor 2021 me mandat tre vjeçar.


Osmani takohet me presidentin malazez, kundërshtojnë idetë për ndryshimin e kufijve në Ballkan

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në vazhdën e takimeve në kuadër të Samitit të presidentëve të shteteve të rajonit Brdo-Brijuni, ka zhvilluar një takim me presidentin e Malit të Zi, Milo Gjukanoviq.
Të dy presidentët i kanë vlerësuar të mira marrëdhëniet ndërshtetërore dhe kanë potencuar se komuniteti shqiptar në Mal të Zi dhe pakica malazeze në Kosovë janë urë lidhëse.
Në takim u diskutua edhe për bashkëpunimin bilateral dhe rajonal, liberalizimin e vizave, rrugën evropiane të Kosovës si dhe anëtarësimin në NATO.
Osmani dhe Gjukanoviq, kundërshtuan idetë për ndryshimin e kufijve në rajon, por edhe shfaqën shqetësimin për rritjen e ndikimit të Rusisë në rajon.
Në takimin ndërmjet të dy presidentëve, gjithashtu është diskutuar edhe për thellimin e bashkëpunimit në sferën e turizmit, kulturës, arsimit dhe shkëmbimit ekonomik e tregtar.


1 i vdekur ,196 të shëruar dhe 25 raste me COVID-19!

Njoftimi nga IKSHPK

196 TË SHËRUAR DHE 25 RASTE ME COVID-19!
Gjatë 24 orëve të fundit, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK dhe laboratoret private me metodën RT-PCR, si dhe laboratoret publike dhe private me metodën RAT, janë testuar gjithsej 2.333 mostra të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, prej të cilëve rezultojnë 25 raste pozitive.
Brenda 24 orëve është raportuar 1 rast i vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv. Rasti i vdekjes është nga komuna: Istog 1 rast (65 vjeç).
Numri total i rasteve pozitive është 106.939 raste nga 571.317 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 2.226 raste të vdekjes.
Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 196 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 99.824 raste, kurse numri i rasteve aktive është 4.889.
Rastet pozitive janë nga komunat: Prishtinë 5 raste, Gjakovë 4 raste, Gjilan 4 raste, Klinë 2 raste, Leposaviq 2 raste, Obiliq 2 raste, Pejë 2 raste dhe me nga një rast komunat Ferizaj, Lipjan, Podujevë dhe Viti.
Mbuloni gojën dhe hundën me maskë!
Mbani higjienën!
Respektoni distancën!

Presidentja Osmani në Samitin Brdo-Brijun: Krimet e kryera nga regjimi i Millosheviqit janë gjenocid

Në fjalën e saj në Samitin e presidentëve të rajonit në Brdo-Brijun, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, duke folur për perspektivën e BE-së dhe marrëdhënieve fqinjësore në rajon, ka theksuar se nuk mund të kalohet në kapitujt vijues përpara se të lexohen dhe kuptohen plotësisht kapitujt e mëparshëm. Presidentja Osmani ka theksuar se është e nevojshme pranimi i së vërtetës për atë që ka ndodhur në rajon.
“Kur flasim për atë se çfarë ndodhi në të vërtetë me viktimat, të mbijetuarit, të zhdukurit nga luftërat. Dhe më e rëndësishmja, kur flasim mbi atë se pse nuk janë prapa hekurave autorët e këtyre krimeve të neveritshme të kryera nga regjimi i Millosheviqit. Përtej detyrës sime si Presidente e qytetarëve të Republikës së Kosovës, është detyrë morale dhe njerëzore e imja të flas të vërtetën mbi atë se çfarë ka ndodhur në vendin tonë. Krimet e kryera nga regjimi i Millosheviqit t’i quajmë me emrin e tyre të vërtetë: Krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid. Dhe, më e rëndësishmja është të kërkojmë nga fqinji ynë verior, Serbia, të sjellë para drejtësisë autorët e këtyre krimeve të tmerrshme kundër civilëve të pafajshëm”, ka potencuar Presidentja Osmani.
Sipas zonjës Osmani, në vend të përgjegjësisë po ndodh mohimi dhe revizionizmi historik i asaj që ndodhi gjatë viteve të 90-ta në rajon,
“Lidershipi i përgjegjshëm dhe i guximshëm kërkon refuzim të vendosur të një veprimi të tillë të ndyrë”, ka theksuar Presidentja Osmani.
.


Haradinaj për programin qeverisës: Është vetëm ide, pa afate kohore e mënyra implementimi

Kuvendi sot mbajti seancë të jashtëzakonshme me vetëm një pikë të rendit të ditës, shpalosja e programit qeverisës për katër vjetët e ardhshme.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se ky program nuk ka të bëjë fare me plan qeverisës.
“Ky program është kryesisht ideor dhe se nuk i përngjan një plani qeverisës, për fat të keq ka mungesa të mëdha në këtë drejtim, dhe u kisha dhënë një këshillë që të hartohet një plan implementues”.
Haradinaj tha se duhet të ketë një plan veprimi të detyrave qeverisëse, me afate kohore, me kosto dhe me matjen e efektit, se çfarë do të ndodhë me veprime të tilla.
Gjithashtu, Haradinaj tha se kjo është një punë që mund të bëhet shumë lehtë, sepse qytetarët duhet të dijnë se çfarë do të ndodhë në të ardhmen.
“Nëse programi lihet në këtë mënyrë si është tani është rrezik që ministrat mbeten pa detyra konkrete dhe se mbeten të lirë të përzgjedhin vetë dinamikën e punës se sa shpejtë do të kryjnë detyrat, me çfarë kosto dhe me çfarë efektesh do kryhen punët”.
Duke theksuar se programi nuk ka plane të caktuara se si do zhvillohen pikat e hartimit të planeve, Haradinaj tha se kjo rrezikon që dhe vetë Qeveria të mos e kuptojë as vetë që nuk është në dinamika të mira qeverisëse në atë se çka ka marrë obligim dhe se kështu pasojat do i vuajnë të gjithë.
“Ne hetojmë një shpërputhje, për shembull, qëllim qeverisës e shohim deri diku një dëshirë për nisje me përmisua gjendjen që e keni trashëguar nga qeveritë e këqija të kalume, fal dëmeve e abuzimeve që kanë ndodhur e gjitha këto i konstatojmë, e i konstatoni në vazhdimësi, si do e bëni dhe ku do e marim ne diferencën e qeverisjes së mirë tani që ka ardh në përgjithësi, me këtë mundet mos me u pa edhe suksesi juaj potencial, nëse nuk e ke prerë me thënë e kemi marrë në këtë gjendje dhe e kemi sjellë në këtë gjendje, nesër e ke të vështirë me e bind qytetarin dhe neve që është rezultat i juaji, sepse mund të trashëgojmë të gjithë atë rezultat”.
Haradinaj theksoi po ashtu se nuk është në rregull largimi i memorandumeve nëpër komuna, sepse siç tha ai dihet se nuk janë të mjaftueshme financat dhe kjo e mposhtë ekonominë, mirëpo largimi i tyre nuk është zgjidhja nëse nuk mund të zbatohet brenda vitit, mund të zgjatet për dy apo tri vite.
Haradinaj tha se duhet kujdes i shtuar në kalkulimin se si hiqen parat.
“Rruga Deçan-Plavë nuk është rrugë për deçanasit, ajo është rrugë që i lidh popuj që i ka ndarë gjeografia, që i ka ndarë natyra, që i kanë ndarë pushtuesit, është e dhimbshme tash të marrin vesh malësorët e Malit të Zi se qeveria që sot ka një kryeministër shqiptar me origjinë të Malit të Zi, u’a heq paratë, u’a keni heq në qeverinë e parë që keni ardh e prap jeni duke u’a heq”.
“Nëse ke ndonjë plan me i gjujt përgjegjësit, siç keni bërë herën e parë mbas 50 ditësh, tregona gjithë neve që t’a dijmë se nuk është puna tek qeverisja, nëse e keni plan me ndejtë gjatë këtij mandati sa t’a ka caktu qytetari, ju lutem mos i zhgënjeni qytetarët”.

Parashikimi i Motit

Parashikimi i motit: Gjatë ditës së marte parashikohet mot pjeserisht me diell, temperaturat do të lëvizin nga 7 deri në 21 gradë celcius. Në Tiranë poashtu parashikohet mot pjeserisht me diell ,temperaturat do te levizin nga 12 deri në 24 gradë celcius.

Covid – 19 në Kosovë:
Total raste: 106939, Të shëruar: 99824, Të vdekur: 2226

www.rtvarberia.com

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *