Për herë të parë do të përfshihen edhe komunat me shumicë serbe, për të aplikuar për noterë, për të shtrirë kështu shërbimin noterial, deri ku shtrihet sovraniteti i Kosovës. Kështu tha Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu në ceremoninë e certifikimit të kandidatëve që kanë kaluar provimin e noterisë.
Ministrja Haxhiu thotë se si ministre deri më tani nuk ka mundur që t’i emëroj noterë kandidatët që kanë dhënë provimin e noterisë në procesin e vitit 2019, i cili ishte proces me ndërhyrje nga brenda dhe jashtë. Ajo shton se i duket proces i pa drejtë ndaj noterëve të rinj, sepse detyra për ta ka qenë shumë e vështirë, përkundër provimit të vitit 2019.
Haxhiu: Është e pa drejtë ndaj jush, sepse ju jeni nënshtruar një procesi transparent e meritor
“Si ministre deri më tani nuk kam mundur që t’i emëroj noterë kandidatët që kanë dhënë provimin e noterisë në procesin e vitit 2019, duke e ditur se ka qenë proces më i kompromentuar ndonjëherë, ndërhyrje nga brenda, ndërhyrje nga jashtë, gjithandej… Më duket e pa drejtë ndaj jush, sepse ju jeni nënshtruar një procesi transparent e meritor, besa ka pasur ankesa që detyra ka qenë shumë e vështirë, ndërsa ata e kundërta e kësaj, por jemi ku jemi… Kam kënaqësinë e veçantë të ju uroj të gjithë që po certifikoheni sot që në të ardhmen si noterë do t’i shërbeni dhe kontribuoni sistemit noterial dhe sistemit të drejtësisë në Republikën e Kosovës… Do të hapim 100 pozita të lira për noterët në territorin e Republikës së Kosovës për të gjitha komunat, përfshirë këtu për herë të parë dhe komunat me shumicë serbe në veriun e vendit tonë, për të shtrirë kështu shërbimin noterial, deri ku shtrihet sovraniteti i Republikës së Kosovës”, thotë Haxhiu.
Ndërsa, kryetarja e Komisionit për dhënien e provimit për noteri, Filloreta Lekiqi, uroi që të gjithë që të kenë sa më shpejtë mundësinë që të ushtrojnë profesionin dhe ta bëjnë me nderë dhe profesionalizëm.
Lekiqi: Ta bëni punën me nderë dhe profesionalizëm
“Kam nderin të i uroj kandidatët që kanë kaluar me sukses provimin e noterisë, duke marrë parasysh të gjithë angazhimet që i kemi bërë ne si komision dhe ju si kandidat… Që nga sot mund ta ushtroni profesionin për të cilin keni ardhur për t’u certifikuar, uroj që të keni sa më shpejt mundësin që të ushtroni profesionin dhe ta bëni me nderë dhe profesionalizëm”, shprehet ajo.
Vetëm 59 kandidatë nga 437 kanë kaluar provimin e noterisë, të cilët janë certifikuar sot nga Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.