Die. Nën 24th, 2024

NGJARJET E DITËS SË ENJTE, 20.05.2021

Drejtori i policisë Samedin Mehmeti takim me Ardi Veliun: Zotohen për vazhdim të bashkëpunimit në fushën e sigurisë

Në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Kosovës, drejtori i përgjithshëm i PK-së, z. Samedin Mehmeti së bashku me drejtuesit më të lartë të policisë, priti në takim Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu me bashkëpunëtorë.
Gjatë takimit Drejtori i Përgjithshëm Mehmeti i dëshiroi mirëseardhje përfaqësuesve nga Policia Shqiptare dhe theksoi se vlerëson lartë bashkëpunimin në mes dy institucioneve në të gjitha fushat e sigurisë dhe jo vetëm.

Qëllimi kryesor i takimit ishte shkëmbimi i eksperiencave dhe përvojave të deritanishme, procedurave të punës që përdorin policitë e dy vendeve, më konkretisht shkëmbimin e ekspertizës lidhur me sistemet elektronike, bazat e të dhënave në përdorim, si dhe çështje të tjera të rëndësishme të bashkëpunimit dhe ndërveprimit në mes të dy policive të të dyja vendeve.
Pas një prezantimi të bërë nga Policia e Kosovës për punën dhe funksionimin e sistemit të menaxhimit të informacionit të burimeve të policisë, palët u zotuan për vazhdim të bashkëpunimit të ndërsjellë në fushën e sigurisë si dhe mbështetjen në fusha specifike në mes të dy institucioneve policore.

Nuk kalon rezoluta për rritjen e shtesave

Pas diskutimeve dhe debatit të nxehtë në lidhje me “Uljen e shtesave të pensionistëve, stafit shëndetësor dhe institucioneve të sigurisë”, në kuvendin e Kosovës propozuesi i interpelancës, shefi i GP të AAK-së, Besnik Tahiri ka propozuar një Rezolutë që shtesat për këto kategori të kthehen nëshumën e njëjtë paraprake.
Megjithatë, kjo rezolutë nuk ka kaluar në Kuvend, pasi që vetëm 22 deputetë kanë qenë për, 56 kundër dhe 1 abstenim.
Tahiri: Kërkojmë që shtesat për kategoritë pensionale të kthehen në shumën e njëjtë
“Rezolutën e kemi propozua me dy rreshta, kërkojmë që shtesat për pensionistët, për punëtorët shëndetësor, për institucionet e sigurisë dhe për kategoritë tjera që kanë përfituar nga shestat gjatë kësaj periudhe që kanë përfituar gjatë kësaj kohe pandemie të kthehen në shumën e njëjtë paraprake, pikë. Çka bëhet në këtë seancë të nderuar ministër i financave, e zëvendës kryeministër. Folët për popullizëm. Po a ka more ma popullzim se me dalë e me lyp votën dhe me thënë se po i rritim ‘penziat’ e me shkua derë më derë e takuat çdo sindikatë dhe në fund me ardhur me na thënë nuk ka buxhet”, tha Tahiri.
Kuvendi ka miratuar Propozim-vendimit për ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit nr. 08-V-006, dt. 02.04.2021 formimin e komisioneve parlamentare, ndërsa tash është duke votuar për zgjedhjen e pesë (5) zëvendësve të Avokatit të Popullit.
.

AAK: Vendimi për ambasadorë i paprecedentë dhe i papjekur politikisht

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës vendimin për tërheqjen e 12 ambasadorëve të Kosovës nga misionet e tyre diplomatike e ka konsideruar vendim të paprecedent dhe të papjekur politikisht.
Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj këtë veprim e quajti skandaloz, ndërsa ka kërkuar të ftohet në raportim në Komisionin për Punë të Jashtme ministrja e këtij dikasteri, Donika Gërvalla.
Kadrijaj: Vendimi për ambasadorë i paprecedentë dhe i papjekur politikisht
“Vendimi i ministrisë së Punëve të Jashtme për lirim nga detyra të një numri të ambasadorëve të Kosovës është i paprecedentë dhe i papjekur politikisht që do të ketë ndikime negative ne politikën e jashtme të Kosovës. Për veprimin skandaloz të ministres së Punëve të Jashtme kam kërkuar nga kryetari i Komisionit që në mbledhjet e radhës si Komision për punë të Jashtme dhe Diasporë ministrja të përgjigjet para komisionit për fshesën e zezë dhe për planin për shkarkim të këtyre ambasadorëve. Mendoj se është e papranueshme që në një shtet demokratik rreth 12 ambasada në një kohë të ndjeshme siç është tash të mbesin pa përfaqësim në vendet të tjera, por kjo është politika e partisë-shtet”, tha ajo.
Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj tha se largimi pa paralajmërim i ambasadorëve e dobëson Kosovën she dëmton subjektivitetin e shtetit.
Ajo tutje tha se partia në pozitë në mungesë së vizionit përdorën fshesën për largim të ambasadorëve dhe bordeve për t’i zëvendësuar ata me militantët e vetë.
Kadrijaj: Largimi i ambasadorëve dëmton subjektivitetin e shtetit tonë
“Largimi i paparalajmëruar i ambasadorëve të Kosovës në mes të detyrës në një periudhë të sfidave dhe shtetësisë së Kosovës e dobëson pozitën e saj dhe e dëmton angazhimin dhe ndërtimin e partneritetit me shtetet e tjera pritëse. Kjo do të thotë që ne po e dëmtojmë subjektivitetin e shtetit tonë me largimin e këtyre ambasadorëve… Kjo është një logjikë e partisë së Kurtit sepse në mungesë të vizionit se çfarë të bëjë dhe si të merr vendime për shtetin e Kosovës, e vetmja detyrë që e njeh mirë është përdorimi i fshesës dhe largimi nga bordet dhe ambasadorëve zëvendësim me militantët e tyre politikë”, u shpreh deputetja e AAK-së.
Gjatë ditës së djeshme ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla ka propozuar tërheqjen e 12 ambasadorëve të shtetit të Kosovës me arsyetime se janë emëruar politikisht

Murati: Janë ngrirë rreth një milion euro, dyshohet për shpëlarje parash dhe financim të terrorizmit

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, në një konferencë për media ka thënë se kanë bërë identifikimin e disa transfereve të dyshimta si dhe pagesa të dyfishta të parregullta.
Ai po ashtu tha se gjithashtu kjo janë rreth një milion euro që kanë të bëjnë me shpëlarje të parasë dhe me financim të terrorizmit.
“Kemi bërë identifikimin e disa transfereve të dyshimta, ku janë identifikuar prej barazimit që kemi kërkuar, më 11 maj. Ka dhe raste tjera ku ka pas pagesë të dyfishtë dhe të parregullt. Keqbërësit do t’i ndjekim deri në fund. Në kapacitetin e kryesuesit të Bordit të Njësisë së Inteligjencës Financiare që janë ngrirë edhe një shumë rreth 1 milion euro, që dyshohet kanë të bëjnë me shpëlarje të parave dhe financim të terrorizmit”, ka thënë Murati.
Murati po ashtu u pyet për shumën e vjedhur nga Thesari i Shtetit, 2.1 milionë euro.
Ai tha se me rastin e vjedhjes së 2.1 milionë eurove të vjedhura nga Thesari i shtetit është duke u marrë Prokuroria.
“Ne kemi kontaktuar me prokuroren e rastit dhe jemi njoftuar se shumë shpejtë do të fillojë kthimi i atyre mjeteve që janë të bllokuara, kurse për pjesën tjetër do të zhvillohet proces gjyqësor”, ka thënë Murati.

2 te vdekur ,331 të shëruar dhe 55 raste me COVID-19!

Njoftimi nga IKSHPK

331 TË SHËRUAR DHE 55 RASTE ME COVID-19!
Gjatë 24 orëve të fundit, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK dhe laboratoret private me metodën RT-PCR, si dhe laboratoret publike dhe private me metodën RAT, janë testuar gjithsej 3.134 mostra të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, prej të cilëve rezultojnë 55 raste pozitive.
Brenda 24 orëve janë raportuar 2 raste të vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv. Rastet e vdekjes janë nga komunat: Prishtinë 1 rast (73 vjeç), Skenderaj 1 rast (63 vjeç).
Numri total i rasteve pozitive është 107.120 raste nga 582.797 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 2.237 raste të vdekjes.
Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 331 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 100.943 raste, kurse numri i rasteve aktive është 3.940.
Rastet pozitive janë nga komunat: Prishtinë 17 raste, Gjakovë 8 raste, Mitrovicë 5 raste, Podujevë 5 raste, Pejë 4 raste, Prizren 4 raste, Gjilan 3 raste, Malishevë 2 raste, Vushtrri 2 raste dhe me nga një rast komunat Fushë-Kosovë, Kaçanik, Obiliq, Suharekë dhe Viti.
Mbuloni gojën dhe hundën me maskë!
Mbani higjienën!
Respektoni distancën!

Murati i kundërpërgjigjet Haradinajt: Qeveria Kurti s’ka ndarë miliona euro për veri, kjo është shpifje

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati iu ka përgjigjur kryetarit të AAK-së Ramush Haradinaj për pagesën e rrymës në veri.
Ministri Murati tha se ishte pikërisht ministri i AAK-së në Qeverinë Hoti, i cili në vitin e kaluar kishte transferuar 10 milionë euro për rrymë në komunat veriore.
Ai ka sqaruar se ndarja e 11 milionë eurove për veriun është e pa vërtetë dhe shpifje nga ish-kryeministri Haradinaj dhe deputeti i AAK-së Bekë Berisha.
Murati: Qeveria Kurti nuk ka ndarë miliona euro për veri, kjo është shpifje
“E ndije obligim të jap një sqarim, por po ashtu edhe parafolësve të tjerë që e ngritën të njëjtën çështje. U tha disa herë që Qeveria ka vendosur t’i jep 11 milionë euro për KOSTT ose për të paguar rrymën në veri. Kjo është e pa vërtetë, është shpifje. Madje, në fakt janë pikërisht deputetët të opozitës që në Komisionin për ekonomi kanë thënë se Qeveria duhet me i paguar. Nëse dëshirojmë ta dimë se cila qeveri ka bërë pagesë të tillë, atëherë e kam një lajm për ju deputeti Berisha: më 26 nëntor të vitit të kaluar, ku ju keni qenë në Qeveri, LDK-AAK-Nisma, edhe PDK-ja që e mbajti ‘zhagin’ i janë transferuar KOSTT-it për të paguar energjinë elektrike në veri, në vlerë 10 milionë euro. Pra, janë paguar 10 milionë euro. Qeveria Kurti 1 asnjë transfer nuk e ka bërë, ju e keni bërë. Qeveria juaj e ka marrë vendimin në gusht. Tranferin e ka bërë ministri i AAK-së, Blerim Kuqi, i cili ia ka transferuar 10 milionë euro KOSTT-it për të paguar rrymën në veri”, tha Murati.

Biografia e shkurtër e 12 ambasadorëve të shkarkuar të Kosovës

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës në krye me ministren Donika Gërvalla, ka propozuar shkarkimin e 12 ambasadorëve të Kosovës në shtetet e huaja, duke i falënderuar për kontributin e deritanishëm.
Në emrat e ambasadorëve që pritet të lirohen nga detyra pasi presidentja Vjosa Osmani të aprovojë propozimin e MPJ-së, janë Nait Hasani — Shqipëri, Gjergj Dedaj — Maqedoni e Veriut, Ylber Hysa — Mal i Zi, Shpend Kallaba — Hungari, Arbër Vllahiu — Çeki, Gëzim Kasapolli — Kroaci, Avni Kastrati — Slloveni, Beqë Cufaj — Gjermani, Lirim Grajqevci — Holandë, Hajdin Abazi — Australi, Amir Ahmeti — Katar dhe Avni Arifi — Emiratet e Bashkuara Arabe.
Nait Hasani ishte emëruar ambasador i Kosovës në Shqipëri në muajin gusht të vitit 2019, ka qenë një nga nënshkruesit e deklaratës së Pavarësisë më 17 shkurt të vitit 2008 dhe është ish i burgosur politik në burgun e Dubravës. Me profesion është albanolog dhe i specializuar në marrëdhënie ndërkombëtare dhe diplomaci si dhe në lidership për menaxhimin e krizave.
Gjergj Dedaj ishte zgjedhur ambasador i Kosovës në Maqedoninë e Veriut në vitin 2018. Lajmin e kishte bërë të ditur vetë Dedaj, ku kishte falënderuar ish-presidentin Hashim Thaçi për besimin dhe dekretimin e tij në pozitën e ambasadorit. Dedaj ka diplomuar në UP- Dega Filozofi-Sociologji, ka shërbyer më vonë si profesor dhe ka qenë themelues i Partisë Liberale në vitin 1991.
Ylber Hysa ishte emëruar ambasador i Kosovës në Mal të Zi nga ish-presidenti Hashim Thaçi në vitin 2019. Karrierën diplomatike, Hysa e kishte nisur në vitin 2012 kur ishte emëruar ambasador i Kosovës në Maqedoninë e Veriut. Gjatë viteve 2004-2007 ka qenë deputet i partisë ORA në Kuvendin e Kosovës dhe pjesëtar i Grupit Negociator kosovar gjatë bisedimeve për statusin në Vjenë.
Shpend Kallaba ishte emëruar ambasador i Kosovës në Hungari në muajin nëntor të vitit 2018. Kallaba ishte emëruar ambasador në të njëjtën ditë me ish-deputetin e PDK-së, Hajdin abazin, i cili ishte emëruar ambasador i Kosovës në Australi. Kallaba ka qenë këshilltar i kreut të AKR-së, Behgjet Pacolli dhe ish-kandidat i AKR-së për deputet.
Arbër Vllahiu ishte emëruar ambasador i Kosovës në Çeki në prill të vitit 2018. Deri në momentin kur ishte emëruar ambasador, Vllahiu kishte shërbyer si këshilltar i kryeministrit të atëhershëm, Ramush Haradinajt. Lajmin për emërimin e Vllahiut si ambasador e kishte bërë të ditur këshilltarja e Haradinajt, Diellza Hoti. Vllahiu ka qenë ish-këshilltar i presidentes Atifete Jahjaga, ndërkohë së fundmi i ishte bashkuar Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Ai ka qenë kandidat i kësaj partie për kryetar të Prishtinës.
Gëzim Kasapolli ishte përzgjedhur ambasador i Kosovës në Kroaci në vitin 2017. Deri sa ishte emëruar në pozitën e ambasadorit, Kasapolli kishte qenë këshilltar i ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veselit. Kasapolli kishte shërbyer më herët si zëdhënës i Partisë Social Demokrate dhe kishte qenë zëvendës ministër i Integrimeve në Kosovë.
Avni Kastrati ishte dekretuar nga ish-presidenti Hashim Thaçi, si ambasador i Kosovës në Slloveni në vitin 2018. Kastrati kishte qenë kryetar i Komunës së Mitrovicës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, ndërsa gjatë vitit 2014 kishte shërbyer në pozitën e zëvendësministrit në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë.
Beqë Cufaj ishte emëruar ambasador i Kosovës në Republikën Federale të Gjermanisë në vitin 2018 nga ish-presidenti Hashim Thaçi. Cufaj ka studiuar gjuhën dhe letërsinë në Prishtinë dhe është shkrimtar e gazetar i njohur. Aktualisht, Cufaj jeton në Shtutgart të Gjermanisë.
Lirim Grajqevci ishte emëruar ambasador i Kosovës në Holandë në vitin 2018. Dekretimi i tij ishte bërë nga ish-presidenti Hashim Thaçi, ndërsa deri në vitin 2018 kishte shërbyer në pozitën e ambasadorit të Kosovës në Londër. Grajqevci ka qenë këshilltar politik i kryeministrit Hashim Thaçi dhe anëtar i delegacionit kosovar në bisedimet me Serbinë.
Hajdin Abazi ishte emëruar ambasador i Kosovës në Australi nga ish-presidenti Hashim Thaçi në vitin 2018. Abazi ka qenë profesor universitar dhe një ndër themeluesit e diplomacisë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e më vonë edhe deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës. Abazi ka shërbyer edhe si zëvendësministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kryetar i Komunës së Ferizajt si dhe ndihmësministër për informim në Ministrinë e Mbrojtjes në Qeverinë e Përkohshme të Kosovës.
Amir Ahmeti ishte emëruar ambasador i Kosovës në Katar në vitin 2019 nga ish-presidenti Hashim Thaçi. Ahmeti kishte shërbyer më herët si këshilltar politik i ministrit të Punëve të Jashtme nga radhët e AKR-së, Behgjet Pacolli. Pas emërimit të Avni Arifit si ambasador i Kosovës në Emiratet e Bashkuara Arabe, Amir Ahmeti kishte vazhduar punën si shef i Misionit Diplomatik të Republikës së Kosovës në Katar.
Avni Arifi ishte emëruar ambasador i Kosovës në Emiratet e Bashkuara Arabe në vitin 2019 nga ish-presidenti Hashim Thaçi. Arifi ka qenë më herët si pjesë e Ekipit Negociator të Kosovës. Deri në vitin 2019 kishte shërbyer edhe si këshilltar i ish-kryeministrit, Ramush Haradinaj.
Propozimi për shkarkimin e të gjithë ambasadorëve të lartcekur është bërë ditën e djeshme nga ministrja Gërvalla nga Ministria e Punëve të Jashtme tek presidentja Vjosa Osmani, ndërsa sot pritet të finalizohet vendimi.

Parashikimi i Motit

Gjatë ditës së premte parashikohet mot pjeserisht me diell,, temperaturat do të lëvizin nga 6 deri në 18 gradë celcius. Në Tiranë poashtu parashikohet mot pjeserisht me diell ,temperaturat do te levizin nga 10 deri në 23 gradë celcius.

Covid – 19 në Kosovë:
Total raste: 107.120, Të shëruar: 100.943, Të vdekur: 2237

www.rtvarberia.com

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *