Komisioni Parlamentar i Stabilizim Asociimit BE-Kosovë, në sesionin e dytë të punës ka miratuar një sërë rekomandimesh, ku mes tjerash kërkohet mbështetja e vendeve anëtare të BE-së për aplikimin e Kosovës në Këshill të Evropës. Po ashtu, u miratua rekomandimi ku i kërkohet BE-së që të kërkojë nga Serbia të dorëzojë kriminelët përgjegjës për sulmin e 24 shatorit, ku mbeti i vrarë rreshteri policor, heroi Afrim Bunjaku.
Krahas kësaj, u theksua se euro është valuta e vetme zyrtare në Kosovë, megjithatë u inkurajua qeveria e Kosovës që të ofrojë zgjidhje për zbatimin e saj pa vështirësi te përfaqësuesit e komunitetit serb.
Rekomandimet i lexoi bashkëkryesuesja e komisionit, deputetja Mimoza Kusari-Lila.
closevolume_off
Kusari-Lila: Euro është e vetmja valutë zyrtare, por kuptojmë vështirësitë që iu janë shkaktuar komunitetit serb në Kosovë
“I bën thirrje komunitetit ndërkombëtar që të bëjë presion ndaj Serbisë që të përmbahet nga përpjekjet për të izoluar vendin fqinj Kosovën nga skena ndërkombëtare duke bërë fushatë kundër njohjes së saj, ose duke e përjashtuar vendin nga organizata ndërkombëtare, duke shkelur në mënyrë efektive marrëveshjen e Brukselit… Euro është e vetmja valutë zyrtare në Republikën e Kosovës, megjithatë kuptojmë disa vështirësi që iu janë shkaktuar për përfaqësues të komunitetit serb me fillimin e zbatimit të rregullores së BQK-së. Inkurajojmë Qeverinë e Kosovës dhe të gjithë akterët relevantë që të ofrojnë zgjidhje për zbatimin pa vështirësi pa dallim përmes ofrimit të alternativave funksionale”, tha ajo.
Miratimin e këtyre rekomandimeve e mirëpriti edhe kryesuesi tjetër i komisionit, euro-deputeti austriak, Lukas Mandl.
Mandl: Kemi dhënë mesazhe të qarta me miratimin e këtyre rekomandimeve
“Jam më se i lumtur që kemi jo vetëm rekomandime, por jo gjithmonë në të kaluarën e kemi përmbyllur kuvendin tonë me rekomandime, por edhe mesazhe shumë të qarta në këto rekomandime. Pra, siç thashë në fillim, jam i lumtur që është dëshmuar se parlamentarizmi është gjithmonë pjesë e zgjidhjes, kjo është ajo që ne mund të largohemi nga të dy parlamentet, duke i dhënë publikut mesazhin e qartë, punë të mirë parlamentare. I falënderoj të gjithë për kontributin, dhe pres që të mbetem në kontakt të mirë, jo vetëm për kuvendet tona, por edhe në jetën e përditshme politike. Ka shumë për të bërë në interes të qytetarëve të Bashkimit Evropian, të Kosovës dhe të Evropës në tërësi”, tha ai.
Pro të njëjtave votuan deputetë nga Kuvendi i Kosovës por edhe deputetë të Parlamentit Evropian që ishin pjesë e takimit të 11-të të Komisionit Parlamentar të Stabilizim Asociimit BE-Kosovë.