Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë se mazhoranca nuk ka vullnet që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme përmes dorëheqjes së qeverisë.
Ai theksoi se s’ka arsye që ekzekutivi të jep dorëheqje, derisa tha se ende s’ka pasur asnjë takim të rëndësishëm ndërmjet partive politike për të diskutuar se kur është koha më e përshtatshme për zgjedhje.
Konjufca: Mazhoranca s’ka vullnet që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme përmes dorëheqjes së qeverisë
“Me sa kam njohuri deri tash nuk ka ndodhur asnjë takim i rëndësishëm i këtij niveli, pikërisht për këtë çështje që të vendoset dhe diskutohet se kur është koha më e përshtatshme që të shkohet në zgjedhje. Ky është një rast i rrallë ku të gjitha partitë pajtohen që të shkohet në zgjedhje, por nuk po arrijmë që kjo punë të bëhet. Nuk mendoj se është punë e frikës, por mungon vullneti i mazhorancës që kjo të ndodh përmes një dorëheqje të qeverisë, pasi s’ka arsye të jep dorëheqje qeveria. Qeveritë japin dorëheqje kur diçka nuk është duke funksionuar, ose ngec në procedura funksionimi i shtetit. Mazhoranca e ka shumicën në Kuvend, që mund të votojë projektligje dhe kështu me radhë”, tha ai.
Kryeparlamentari tha se kërkesa e tij për zgjedhje të reja është pasi Kuvendi e ka humbur kapacitetin e vet për të ratifikuar marrëveshjet ndërkombëtare, pasi opozita nuk po voton ato.
Konjufca: Kuvendi që disa muaj e ka humbur kapacitetin e vet për me ratifiku marrëveshje ndërkombëtare
“Mua më pengon se Kuvendi që disa muaj e ka humbur kapacitetin e vet për me ratifiku marrëveshje ndërkombëtare. Kjo është me të vërtet një dëm i madh dhe kjo ka qenë arsyeja kryesore që unë si kryetar i Kuvendit e kam shpreh qëndrimin se rrugëzgjidhja më e mirë kur kemi këso bllokada të jetës parlamentare. Parlamenti e ka pikërisht atë kapacitet ku ia vendos këtë kompetencë kushtetuta që me lidh marrëveshje ndërkombëtare. Kur ti ki donacione që po të ofrohen dhe se ki opozitën e gatshme me votu marrëveshje ndërkombëtare, kjo e qet keq shtetin e Kosovës. Ti portretizohesh që nuk ki kapacitete me hy në marrëdhënie ndërkombëtare”, theksoi Konjufca.
Këto komente Konjufca i bëri pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, ku mes tjerash tha se shumica parlamentare nuk duhet të pengojë themelimin e komisioneve hetimore.
Konjufca: Shumica parlamentare nuk duhet të pengojë themelimin e komisioneve hetimore.
“Mos të vendosen kushtëzime, pamundësim teknik për themelimin e komisioneve hetimore parlamentare. Unë si kryetar i Kuvendit e shpreh konceptin tim, qëndrimin tim që komisionet hetimore parlamentare nuk duhet të pengohen në Kuvendin e Kosovës. Nëse kjo bëhet precedent atëherë mendoj se në mënyrë afatgjate dëmtohet Kuvendi dhe parlamentarizmi në shtetin tonë. Sa i përket mos zgjatjes së mandatit kjo ishte interpretim i zyrës ligjore që e kemi në Kuvend. Ata në atë mënyrë po e interpretojnë ligjin që po thonë se komisioni hetimor parlamentar ka vetëm gjashtë muaj mandat. Por nëse do të kishte vullnet dhe marrëveshje politike kjo nuk është problem dhe mund t’i shtohet edhe tre muaj mandat”, përfundoi Konjufca.