Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim Bertrand Bouyx, kryetar i Komitetit për Çështje Politike dhe Demokraci në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, njëkohësisht deputet në Kuvendin Kombëtar të Francës.
Në takim u diskutua për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, me ç’rast falënderoi Bouyx për lidershipin dhe mbështetjen e tij për Kosovën në Komitetin për Çështje Politike dhe Demokraci, i cili me shumicë dërmuese, votoi për të çuar përpara anëtarësimin e Kosovës për votim në Asamblenë Parlamentare.
Presidentja Osmani theksoi se anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës do të ishte hap i rëndësishëm për fuqizimin dhe avancimin e mëtejmë të të drejtave të njeriut nëpërmjet mekanizmave që i ofron Këshilli e të cilat do të shërbenin si mekanizëm shtesë për mbrojtjen e garantimin e të drejtave të të gjithë qytetarëve të Kosovës.
Në këtë frymë, Osmani tha se qasja në institucionet dhe mekanizmat e Këshillit të Evropës, siç është Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut, është mbi të gjitha në interes të qytetarëve të Kosovës, pa dallim.
Presidentja Osmani shprehu mirënjohjen dhe ritheksoi rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme të Francës në këtë drejtim, ndërsa ka shfaqur besim që anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës do të vlerësohet pozitivisht nga deputetët e shteteve anëtare në Asamblenë Parlamentare.
Tutje, Presidentja Osmani ka shprehur përkushtimin e plotë që të vazhdohet puna e përbashkët me shtete mike e aleate për ta avancuar tutje këtë proces drejt finalizimit të suksesshëm të tij.