Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovë, Petar Petkoviq, ka reaguar pas vizitës së kryeministrit të Kosovës në komunat në veri.
Ai ka thënë se Albin Kurti duke shkuar në komunën e Leposaviqit, e më pas në Zubin Potok, ka vendosur të ngrejë tensione të reja në veri të Kosovës vetëm një ditë para vazhdimit të dialogu në Bruksel.
Siç thuhet në deklaratë, ky është një kërcënim i ri për serbët në veri të Kosovës, “veprim me të cilin Kurti dëshiron drejtpërdrejt të shkaktojë tensione të reja në veri dhe me të cilin ka treguar se atij nuk i intereson asnjë normalizim dhe depërshkallëzimi.”
“Për të qenë absolutisht i qartë, Kurti nuk ka çfarë të kërkojë në veri të Kosovës, ku nuk është i mirëpritur. Fakti që i gjithë Leposaviqi ishte bllokuar kur shkoi në ndërtesën e komunës, ku e priste një kryetar i rremë është dëshmia më e mirë se për çfarë shfaqje force po flasim. Gjithashtu, fakti që të gjitha rrugët janë bosh në Leposaviq dhe Zubin Potok tregon qartë se populli serb tregon përbuzje ndaj provokimit të Kurtit”, tha Petkoviq.
Sipas tij ky veprim i Kurtit shkaktoi revoltë dhe indinjatë te serbët të “cilët e shohin atë si një pushtues që i keqtrajton çdo ditë dhe ushtron dhunë institucionale, fizike e të tjera ndaj tyre.”
“Shtrohet pyetja se kush e ka miratuar vizitën e Kurtit në veri dhe në çfarë mënyre, kush nga përfaqësuesit ndërkombëtarë është informuar, nëse KFOR-i dhe EULEX-i kanë ndihmuar dhe janë pajtuar për këtë provokim”, ka pyetur Petkoviq.