Hën. Nën 25th, 2024

Fillon procesi i regjistrimit të popullsisë në Kosovë

Fatmir Sylejmani, banor i Prishtinës, ishte ndër qyetarët e parë që u intervistuan sot nga regjistruesit e Agjencisë së Statistikave të Kosovës, duke nisur kështu procesin e regjistrimit të popullsisë në vend.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Agjencisë së Statistikave, Avni Kastrati, tha se regjistrimi i popullsisë pritet të përfundoj brenda gjashtë javëve të ardhshme, dhe se në të janë të angazhuar mbi katër mijë regjistrues dhe mbikëqyrës.

“Gjatë këtyre dy tri ditëve ata do t’i vizitojnë qarqet ose zonat ku do të regjistrojnë dhe e kanë për detyrë t’i shpërndajnë disa letra njoftuese për ekonomitë familjare, për qyetarët, dhe një letër kontakti në secilën ekonomi familjare. Që nga fillimi i javës së ardshme do të fillojnë intervistat, nuk presim sfida madhore në aspektin teknik”, tha ai.

Por, procesi i regjistrimit të popullsisë duket se do të jetë sfidues në pjesën veriore të Kosovës, të banuar me shumicë serbe. Subjekti më i madh politik i serbëve të Kosovës, që është themeluar dhe mbështetet nga Beogradi – Lista Serbe, i bëri thirrje sot këtij komuniteti që ta bojkotojnë regjistrimin e popullsisë. Pjesëtarët e komunitetit serb nuk kishin marrë pjesë as në procesin e fundit të regjistrimit që është zhvilluar para 13 vjetësh.

“Agjencia e Statistikave ua ofron kushtet e barabarta secilit komunitet dhe e mëbshtet në aspektin logjistik, nëse ata vendosin që nuk do të marrin pjesë në regjistrim ne e kemi për obligim që ta bëjmë një vlerësim të popullsisë për atë zonë”, tha ushtruesi i detyrës së drejtorit të Agjencisë së Statistikave, Avni Kastrati.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti të mërkurën i bëri thirrje pakicës serbe që të marrë pjesë në regjistrim dhe të mos e lërë sic tha “këtë detyrë shumë të rëndësishme të qytetarëve për javën e fundit”.

“Kur bëjmë planet tona për subvencione, për investime, për punë, për arsim, për shëndetin e qytetarëve, për sistemin shëndetësor, duhet të kemi si pasqyrë gjendjen e skanuar të popullatës sepse kjo do të pasqyrohet në buxhetin që e ndajmë”, tha ai.

Në pjesën veriore të Mitrovicës, qytetarët shprehen në favor të pjesëmarrjes në procesin e regjistrimit.

“Pse jo? Duhet të dihet se sa është numri i popullsisë, sa ka popullatë serbe që jeton në Kosovë, jo vetëm serbë por edhe kombësi të tjera”, tha një qytetar që nuk deshi të identifikohej.

“E di që regjistrimi ka filluar dhe mendoj se të gjithë ata që jetojnë në Kosovë duhet të marrin pjesë, posaçërisht ne serbët”, tha Nada Brkljaq.

Në pyetësorin e Agjencisë së Statistikave këtë herë është përfshirë edhe një pjesë ku qytetarët do të deklarohen për dëmet që u ka shkaktuar lufta gjatë viteve ‘98/’99.

“Këto të dhëna vetëm do tu ndihmojnë institucioneve që janë të thirrura për të hulumtuar. Ne vetëm marrim informacione se ku ka pasur raste por nuk e kemi atë autoritet për të hyrë në hollësi për ndonjë hulumtim apo analizë”, tha zoti Kastrati.

Sipas Ligjit për regjistrimin e popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave, çdo person mund të gjobitet nga 30 deri në 2 mijë euro, nëse refuzon t’i japë informacionet e kërkuara nga regjistruesi. Këtu nuk përfshihen informacionet mbi përkatësinë etnike dhe fetare, të cilat nuk janë të detyrueshme.

Regjistrimi i popullsisë ishte planifikuar të zhvillohej në vitin 2021, por u shty për shkak të pandemisë COVID-19.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *