Sot bëhen 16 vjet nga miratimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Ajo u ratifikua më 9 prill 2008 dhe hyri në fuqi më 15 qershor të po atij viti.
Në këtë përvjetor, Lidhja Demokratike e Kosovës, po pretendon se Qeveria e Kosovës e ka shkelur 7 herë Kushtetutën e Kosovës.
“Në vend të urimit, në ditën e Kushtetutës kujtojmë 7 shkeljet e Kushtetutës nga Qeveria”, thuhet ndër të tjera në reagimin e LDK-së.
Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, ka uruar ditën e Kushtetutës.
Krasniqi në një postim në “Facebook”, ka thënë se kushtetuta, më shumë se fjalë në letër, është simbol i unitetit, drejtësisë dhe fuqisë së demokracisë, përcjell IndeksOnline.
Postimi i plotë:
Urime Ditën e Kushtetutës!
Sot, nesër dhe çdo ditë tjetër të jetës, të respektojmë dhe mbrojmë me çdo kusht themelet e të drejtave dhe lirive tona. Kushtetuta, më shumë se fjalë në letër, është simbol i unitetit, drejtësisë dhe fuqisë së demokracisë.
Fatkeqësisht, në tri vitet e fundit kemi pasur nevojë që Kushtetutën tonë ta mbrojmë më së shumti nga vet Qeveria e Kosovës – që e ka obligim ligjor, institucional dhe kombëtar t’i dalë zot asaj.
Angazhimi që duke ndjekur parimet e Kushtetutës tonë, të ndërtojmë një shtet të drejtë, të sigurt dhe barabartë për të gjithë, ka qenë, është dhe mbetet zotimi ynë i përhershëm!