Hën. Nën 25th, 2024

Osmani priti në takim përfaqësuesit e ekipit këshillues dhe ndërlidhës të NATO-s, u diskutua për situatën aktuale të sigurisë në vend

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim drejtorin në largim të ekipit këshillues dhe ndërlidhës të NATO-s (NALT), gjeneral brigade Ralf Peter Hammerstein, si dhe drejtorin e ardhshëm të NALT-it, gjeneral brigade Christian Nawrat, të shoqëruar nga Shefja e sektorit të Operacioneve Aktuale nga Selia e NATO-s, znj. Ariella Viehe.

Gjatë takimit, Presidentja Osmani falënderoi dhe shprehu mirënjohjen e thellë për bashkëpunimin dhe shërbimin njëvjeçar të Gjeneral Hammerstein duke i dëshiruar suksese në përgjegjësinë e ardhshme dhe karrierën e mëtejme ushtarake.

Gjithashtu, drejtorit në ardhje, gjeneralit Nawrat, i dëshiroi suksese duke besuar se në mandatin e tij sipas traditës së deritashme, niveli i bashkëpunimit të ndërsjellë do të vazhdojë në kuadër të mandateve respektive.

Presidentja Osmani në këtë takim ritheksoi përkushtimin për maksimizimin e mundësive të bashkëpunimit Kosovë-NATO për zhvillimin dhe avancimin e mëtejmë të FSK-së me standardet më të larta të NATO-s, të gatshme dhe të ndërveprueshme me forcat aleate dhe partnere të NATO-s në misione të përbashkëta, krahas synimit tonë strategjik shtetëror drejtë anëtarësimit të plotë në NATO.

Në takim u diskutua edhe për situatën aktuale të sigurisë në vend, ku Presidentja Osmani ndër të tjera theksoi se, NATO dhe KFOR-i kanë besueshmëri të lartë nga qytetarët e Kosovës në misionin për paqe dhe siguri në vendin tonë.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *