Die. Nën 24th, 2024

SHBA, Izraeli: Koalicioni siguroi ‘disfatën spektakolare’ të sulmit të Iranit

Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli thonë se sulmi ajror iranian, gjatë të cilit u përdorën 300 dronë dhe raketa pësoi një “disfatë spektakolare”, falë përgjigjes së Izraelit dhe aleatëve. Por, siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Anita Powell, pas sulmit vëmendja është përqendruar tek ajo që ndodh më pas dhe tek thirrjet për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm në rajon.

Shtëpia e Bardhë tha të dielën se sulmi i parë i drejtpërdrejtë i Iranit ndaj Izraelit ishte një dështim.

99% e raketave iraniane u kapën para se të mund të godisnin Izraelin.

Presidenti Joe Biden ndërpreu udhëtimin e fundjavës dhe u kthye në Shtëpinë e Bardhë të shtunën, ku kaloi orë të tëra duke biseduar me udhëheqës botërorë. Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë gjithashtu u thanë gazetarëve se Uashingtoni nuk mbështet një kundërsulm izraelit.

Administrata e Presidentit Biden e bënë të qartë këtë qëndrim të dielën.

“Presidenti e ka bërë të qartë, ne nuk kërkojmë luftë me Iranin”, tha John Kirby, zëdhënës i Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë.

Pas sulmit, udhëheqësit izraelitë u përpoqën të përqëndroheshin në atë se çfarë do të thotë ky sulm për solidaritetin kundër Iranit, i cili mbështet grupet militante që kreu sulmin më 7 tetor në Izrael, duke përfshirë rajonin në dhunë.

“Ne kemi një mundësi tani për të krijuar një aleancë strategjike kundër Iranit, i cili kërcënon të përdorë mbushje bërthamore në raketa. SHBA-të, Izraeli dhe aleatët e tij qëndrojnë në krah të njëri tjetrit për t’u mbrojtur kundër këtij kërcënimi”, thotë Yoav Gallant, Ministër i Mbrojtjes i Izraelit.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Antonio Guterres bëri thirrje për përmbajtje të dielën gjatë takimit të Këshillit të Sigurimit.

“Unë dënoj fuqishëm përshkallëzimin serioz nga sulmi ndaj Izraelit nga Republika Islamike e Iranit. Bëj thirrje për një ndërprerje të menjëhershme të këtyre armiqësive. Unë gjithashtu dënova sulmin mbi konsullatën iraniane në Damask më 1 prill duke kujtuar parimin e paprekshmërisë së ambienteve dhe personelit diplomatik dhe konsullor i cili duhet të respektohet në të gjitha rastet”, tha Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres.

Teherani u zotua të hakmerret për sulmin e dyshuar izraelit në konsullatën iraniane në Damask në fillim të këtij muaji. Ambasadori i Iranit në Kombet e Bashkuara tha të dielën se sulmi ndaj konsullatës e justifikonte përgjigjen e Iranit. Ai theksoi se Irani nuk kërkon konflikt me Shtetet e Bashkuara, por e mbylli fjalimin e tij me një paralajmërim:

“Nëse SHBA-ja fillon operacione ushtarake kundër Iranit, qytetarëve apo interesave të tij, Irani do të përdorë të drejtën për t’u përgjigjur në mënyrë proporcionale”, tha Amir Saeid Iravani, ambasadori i Iranit në OKB.

Edhe pse izraelitët e prisnin këtë, nata e sulmeve ishte jashtëzakonisht shqetësuese, thanë disa prej tyre të nesërmen.

“Askush nuk e dinte se çfarë të priste. Ishte një përvojë krejtësisht e re, por, njerëzit u lehtësuan shumë sepse sulmi u bllokua”, thotë analisti Nimrod Goren i Institutit të Lindjes së Mesme.

Pikpëpyetja kryesore është se si do të reagojë Izraeli dhe kryeministri Benjamin Netanjahu.

“Unë mendoj se ndërsa Izraeli shyqrton se si do të reagojë tani e tutje, ai (Netanjahu) sheh gjithashtu disa mundësi për të përmbysur perceptimin negativ për imazhin e tij në Perëndim, duke pasur parasysh atë që ndodhi dhe përmbajtjen që po tregon për t’iu përgjigjur sulmit iranian”, thotë zoti Goren.

Ndërsa udhëheqësit botërorë mendojnë se çfarë do të ndodhë më pas, gjendja në Gazë përforcon nevojën për t’i dhënë fund konfliktit.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *