Avokatja e Pjetër Shalës, Leto Cariolou, në deklaratën e saj përmbyllëse tha se në viti 1999, privimi i lirisë së dikujt për arsye sigurie në një konflikt të armatosur jondërkombëtar në vetvete nuk ka qenë vepër penale, sipas të drejtës ndërkombëtare zakonore.
Cariolou u përqendrua të pika e parë e akuzës që ka të bëjë me ndalim arbitrar në një konflikt të armatosur jondërkombëtar, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Tani problemi është se neni 3 i artikullit të përbashkët të Konventës së Gjenevës, nuk përmban veprën penale të ndalimit arbitrar. Kur përcaktohet baza ligjore e kësaj vepre, Prokuroria nuk ju referua Kushtetutës së Republikës Federale Socialiste të Jugosllavisë së vitit 1974, nuk ju referua Kodit Penal të vitit 1977, nuk ju referuan asnjë ligji vendor apo traktati të ratifikuar”, tha avokatja.
Sipas Cariolou, kjo nuk është për shkak të pakujdesjes, por për shkak se krimi i ndalimit arbitrar në një konflikt të armatosur jondërkombëtar, nuk gjendet në asnjërën prej këtyre dispozitave ligjore.
“Ndalimi arbitrar në një konflikt të armatosur jondërkombëtar nuk përbënte vepër penale në Kosovë në kohën në fjalë. A duhet të kërkojmë tjetërkund bazën ligjore për akuzën e Prokurorisë? Kushtetuta e vitit 1974 e ndalon një gjë të tillë, neni 181 i Kushtetutës e parasheh se veprat penale dhe ndëshkimet nuk duhet të përcaktohen nga Ligji, lidhur me zbatimin e ligjit ndërkombëtar, Kushtetuta kërkon që vetëm Traktatet Ndërkombëtare të ratifikuara mund të zbatohen drejtpërdrejt nga gjykatat. Ky është neni 210 i Kushtetutës”, tha ajo.
Avokatja theksoi se kjo është mënyra se si Kushtetuta është interpretuar dhe zbatuar në disa aktgjykime nga Gjykata Supreme e Kosovës.
“Në kornizën ligjore të Kosovës veprat penale të ndëshkimeve duhet të parashikohen në legjislacionin konkret vendor, për rrjedhojë veprat penale që burojnë nga Ligji zakonor ndërkombëtar pa inkorporim në ligjin vendor, nuk mund të merren parasysh për veprat penale në Kosovë në vitin 1999. Për më tepër, në vitin 1999 që është edhe koha relevante e vetme për të cilën jemi këtu, ligji zakonor ndërkombëtar nuk parashihte veprën penale të ndalimit arbitrar në një konflikt të armatosur jondërkombëtar”, shtoi ajo.
Carioloi deklaroi se në vitin 1999, privimi i lirisë së dikujt për arsye sigurie në një konflikt të armatosur jondërkombëtar në vetvete nuk ka qenë vepër penale, sipas të drejtës ndërkombëtare zakonore.
Sipas avokates Cariolou, në rastin e Pjetër Shalës nuk mund të ketë veprime prapavepruese të ligjeve me qëllim që të përligjet ndjekja penale ndaj tij.
“A mund të konsiderohet kjo në mënyrë prapavepruese vepër penale, në mënyrë që të përligjet ndjekja penale e zotit Shala. Përgjigja është jo. Nuk mund të funksionojnë kështu dispozitat përkatëse, mund të zbatohen vetëm në kushtet që janë të favorshme për të akuzuarin”, tha Cariolou.
Paraprakisht, mbrojtësi tjetër i Pjetër Shalës, Mohamed Hedi Aouini në fund të fjalës se tij tha se Shala nuk ka pasur pushtet, dhe shtoi se një dokument që i ka dhënë atij komandën e diçkaje ka dalë që të jetë i falsifikuar.
“Çdo ndalim, keqtrajtim apo krim është bërë për një qëllim, një arsye, e hakmarrje personale në të cilën Pjetër Shala nuk ka marrë pjesë. Ai nuk ka patur pushtet, autoritet, pozitë apo gradë. Një dokument që i ka dhënë atij komandën e diçkaje ka dalur që të jetë i falsifikuar”, tha Aouini.
Sipas tij, pretendimet janë bazuar në thashetheme, fjalë kafeje.
“Njëri tha që ishte i zi që hidhte kufoma në liqen. Një tjetër identifikoi “Ujkin” në një fotografi që ishte e falsifikuar. Fotografia nuk ishte e Shalës, por Prokuroria e mori sërish. Ishte kërcënim, ishte dëshmi e rreme…Përgjigja e Prokurorisë në këtë ishte “Lëre rehat”, tha avokati Aouini.
Sipas avokatit, akuzat false ndaj Shalës kanë filluar dhe janë shtuar deri në arrestimin e tij.
“Në momentin kur provat u vunë, u testuan dhe u ballafaquan, përkundër aty dolën kundërthënie, të pavërteta… E gjitha ajo që ishte aty, ishte një takim që ka ndodhur pasi kishte shpërthyer lufta, Shalës iu është thënë diçka lidhur me një tradhti që ai nuk mund ta pranonte. Ka dhënë dy shpulla në një rast dhe asgjë më tepër. Pastaj, akuzat false filluan, janë shtuar deri në arrestin tij. E vërtetë është e qartë dhe ata që shohin dhe kanë sy hapur dhe vendimi është në duart e tuaja. Jeta e një njeriu sot është në lojë dhe nuk ka vend këtu për gabime të mëtejshme”, përfundoi Aouini.
Deklaratat përmbyllese të palës mbrojtëse do të vazhdojnë edhe nesër, ku sipas tyre, ju duhen edhe rreth një orë për të përfunduar me deklarimet e tyre.