Hën. Nën 25th, 2024

Perfundon pa sukses takimi ne Bruksel

Ka përfunduar pa ndonjë marrëveshje të enjten edhe rundi i ri dhe i katërt në përgjithësi mes kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, për çështjen e dinarit serb, përdorimi i të cilit u ndalua në Kosovë në shkurt.

Kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq, tha se Beogradi “bëri gjithçka për të gjetur një zgjidhje”.

“Ne dolëm me një propozim konstruktiv dhe ai propozim u vlerësua nga Brukseli, pra Lajçak, si një bazë shumë e mirë për vazhdimin e bisedimeve”, tha ai.

“Në anën tjetër, kemi Prishtinën, e cila ka ardhur në Bruksel pa komentuar idetë e BE-së dhe kjo tregon qartë se pala tjetër nuk dëshiron të pajtohet për asgjë”, sipas tij.

Takimet nisin në mëngjes, sipas praktikës së mëhershme. Fillimisht, i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun, Kosovë-Serbi, do të takohet ndaras me kryenegociatorin e Serbisë, Petar Petkoviq, dhe më pas do të ketë një takim dypalësh me kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi.

Më vonë, pritet të ketë edhe një takim trepalësh.

Ky është takimi i tretë mes kryenegociatorëve, dhe i katërti mes delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë, lidhur me përpjekjet për zgjidhjen e çështjes që lidhet me transferimin e mjeteve financiare nga Serbia për qytetarët serbë në Kosovë.

I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ditë më parë tha se në të synohet gjetja “e një zgjidhjeje të përkohshme” për personat e prekur nga vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës.

Më 1 shkurt në Kosovë hyri në fuqi një rregullore e BQK-së, e cila ndalon përdorimin e dinarit serb për kryerjen e pagesave.

Për çështjen e dinarit serb, delegacionet e Kosovës dhe Serbisë kanë zhvilluar edhe takime në të kaluarën, të cilat kanë përfunduar pa ndonjë përparim.

Rundi i fundit i bisedime për këtë çështje mes kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi, dhe atij të Serbisë, Petar Petkoviq, nën ndërmjetësimin e BE-së, u zhvillua më 4 prill. Pas atij takimi, Bislimi deklaroi se palët ende kanë “dallime të mëdha”, ndërkaq Petkoviq tha se Kosova nuk tregoi “vullnet të mjaftueshëm” për të arritur një marrëveshje për këtë çështje./REL

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *