Hën. Nën 25th, 2024

Vendimet e sotme të Qeverisë

E drejtuar nga Kryeministri Albin Kurti, Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhjen e rregullt në të cilën ka miratuar vendime dhe dokumente të tjera të fushës së përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore.

Vendimi për ndryshimin dhe plotësimin e vendimit të Qeverisë për themelimin e Grupit Punues ndërinstitucional për rishikimin e Strategjisë së Sigurisë të Republikës së Kosovës 2021-2030, ka qenë i pari i miratuar në mbledhjen e sotme. Me ndryshimet e bëra, Shefi i Stafit në Zyrën e Kryeministrit të Republikës së Kosovës është kryesues i grupit punues, ndërsa këshilltari për çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes i kryeministrit është zëvendës-kryesues i Grupit Punues dhe z.Hajriz Sejdiu nga Qendra për Menaxhimin e Emergjencave, anëtar. Afati i rishikimit të Strategjisë së Sigurisë të Republikës së Kosovës është deri më 1 shtator 2021, nga dita e hyrjes në fuqi e këtij vendimi.

Në vazhdim të mbledhjes, ka marrë miratimin Projektligji për Ratifikimin e Amendamentimit të Marrëveshjes Ndërkombëtare me Bankën Evropiane për Investime për Financimin e Projektit për Rehabilitimin e Linjës Hekurudhore 10. Me këtë Ligj ratifikohet marrëveshja në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për financimin e projektit të rehabilitimit të linjës hekurudhore 10.

Është miratuar në vazhdim të mbledhjes edhe vendimi për shtyrjen e afatit për katër (4) muaj për të paraqitur Draftin e Strategjisë se Qeverisjes Elektronike për miratim ne Qeveri. Vendimi obligon Ministrinë e Punëve të Brendshme që të ndërmarr hapat e nevojshëm për finalizimin e draft-strategjisë për qeverisjen elektronike.

Qeveria në mbledhjen e sotme ka shqyrtuar dhe miratuar nëntë (9) nisma për negocim të marrëveshjeve ndërkombëtare:

Për Financimin e “Projekti Emergjent i Kosovës për COVID-19, Financim shtesë”, ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim. Marrëveshja është vazhdim i marrëveshjes paraprake dhe synon të sigurojë edhe 15 milion euro për menaxhimin e pandemisë COVID-19;
Për Amendamentimin e Marrëveshjes mbi përvetësimin e kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim;
Për negocimin e Marrëveshjes Ndërkombëtare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Zvicrës, e përfaqësuar nga Departamenti Federal i Punëve të Jashtme përmes Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, për Projektin “Menaxhimi i Integruar i Resurseve Ujore në Kosovë – Faza 1”. Marrëveshja do të sigurojë 20 milionë euro për financimin e projektit;
Për negocimin e Marrëveshjes së Bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Kosovës, dhe Bankës Evropiane për Investime dhe Ndërmarrjes Publike “Termokos” për “Shërbimet e konsulencës për ta mbështetur zgjerimin e ngrohjes qendrore në Prishtinë”. Marrëveshja do të sigurojë mbështetje teknike në vlerë prej 1,5 milion euro;
Për Amendamentimin Nr. 01 të Marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për Hapjen e Pikës së Përbashkët të Kalimit Kufitar Krushevë (DRAGASH)- Shishtavec (KUKES) në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë;
Për lidhjen e Marrëveshjes Ndërkombëtare ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për Rregullimin e Regjimit të Trafikut Lokal të Kufirit;
Për lidhjen e Marrëveshjes Ndërkombëtare ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për Heqjen e Leje qëndrimit të Përkohshëm;
Për lidhjen e Marrëveshjes për Bashkëpunim në Fushën Juridike ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Shtetit të Katarit; dhe
Për lidhjen e Marrëveshjes ndërkombëtare e të partneritetit për “Menaxhimin e Grant-kontratës të asistencës teknike në kuadër të programit për Bashkëpunim Ndërkufitar ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë (2014 – 2020)”
Në mbledhjen e sotme kabineti qeveritar ka shqyrtuar dhe miratuar Raportin Vjetor të Statistikave për vitin 2020, sipas procedurave të parashikuara në Rregulloren e Punës së Qeverisë. Raporti përmban të gjitha të dhënat e nevojshme dhe në përputhje me legjislacionin që rregullon funksionimin e statistikave në vendin tonë. Pas miratimit nga Qeveria ky raport dërgohet për miratim në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Kabineti qeveritar ka shqyrtuar dhe miratuar në mbledhjen e sotme Projekt-udhëzimin Administrativ për Regjistrimin e Zyrave së Përfaqësisë të Shoqërive të Huaja Tregtare, që është kërkesë e Ligjit për Shoqëritë Tregtare dhe përmes tij përcaktohet procedura e regjistrimit të zyrave përfaqësuese të shoqërive të huaja tregtare në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve në Kosovë.

Pas shqyrtimit, ka marrë miratimin e kabinetit qeveritar edhe Drafti i Planit të Veprimit për zbatimin e Strategjisë për Modernizimin e Administratës Publike për vitin 2021, i cili synon arritjen e rezultateve në fushat:

Sistem i avancuar, adekuat për menaxhimin, monitorimin dhe zbatimin e legjislacionit për shërbimin civil dhe krijimin e mundësisë për një shërbim civil profesional, efikas dhe efektiv që do të zhvillohet në bazën e parimeve të administratës së mirë dhe të orientuar drejt zbatimit të obligimeve ligjore.
Shërbime administrative publike të qasshme në mënyrë të lehtë, me përdoruesin në qendër, duke ndjekur procedura administrative të cilat përmirësojnë në vazhdimësi bazuar në informata kthyese të përdoruesve.
Administratë publike transparente dhe llogaridhënëse, me organizim të qartë dhe racional dhe linja të qarta të llogaridhënies midis organeve të administratës publike.
Me plotësimin dhe ndryshimin e vendimit të Qeverisë së Kosovës për emërimin e Këshillit Shtetëror për Vlerësim dhe Disiplinë, Bedri Zyberaj, drejtor i Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, emërohet anëtar i këtij Këshilli.

Në mbledhjen e sotme është miratuar vendimi për rimbursimin në formë të kompensimit për pjesëmarrësit të cilët i kanë tërhequr dhjetë për qind (10%) të kursimeve pensionale në Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës, duke filluar nga viti 2023. Shuma e rimbursuar për çdo vit fiskal deri në masën e përcaktuar me Ligjin për ndarjet buxhetore në vitin fiskal përkatës. Janë 372,650 persona përfitues në shumën totale 101,772,415.81 Euro.

Ka marrë miratimin e kabinetit qeveritar edhe vendimi për Krijimin e Komitetit Nacional Koordinues për hartimin e Planit Nacional të Veprimit për vitet 2022-2024, në kuadër të partneritetit për qeverisje të hapur. Vendimi obligon Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal që të fillojë me procedurat e krijimit dhe të udhëheqjes së këtij Komiteti në bashkëpunim me organizatat e shoqërisë civile.

Në mbyllje të mbledhjes, Kryeministri Albin Kurti ka përkujtuar anëtarët e kabinetit për angazhimin e tyre në përgatitjen e raportit të punës për 100 ditët e para të kësaj Qeverie. Kryeministri ka theksuar se qytetarët e vendit duhet të informohen për gjithë punët dhe arritjet e këtij kabineti në funksionimin 100 ditor të Qeverisë së Kosovës, në këtë mandat.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *