Sht. Nën 23rd, 2024

​S’ka kuorum, dështon sërish miratimi i marrëveshjeve ndërkombëtare në Kuvend

Trembëdhjetë marrëveshje ndërkombëtare kanë dështuar sërish të votohen në Kuvendin e Kosovës, në seancën e sotme plenare. Të njëjtat nuk u hodhën fare në votim, pasi në sallën plenare nuk ishin mbi tetëdhjetë deputetë.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, tha se marrëveshjet do të vihen në rend të ditës sërish në seancat e radhës.

Mirëpo, për marrëveshjen ndërkombëtare për ndërtimin e tunelit Tetovë-Prizren pati debat ndërmjet deputetëve.

closevolume_off
Deputeti i PDK-së, Ferat Shala, tha se kjo marrëveshje ka paqartësi të madhe juridike, ekonomike dhe shkencore.

Sipas tij, ky investim kaq kapital për vendin nuk i referohet asnjë ligji apo rregullore në Kosovë.

“Ky projektligj është shumë i veçantë, por me paqartësi shumë të madhe juridike, ekonomike dhe shkencore. Qëllimi i këtij projektligji është ratifikimi i projektit të ndërtimit të tunelit Tetovë-Prizren. Do të pajtohesha edhe profesionalisht dhe juridikisht me këto tri nene, sikur marrëveshja që po orvatemi të ratifikojmë do të ishte e mirë profesionalisht dhe e qartë e zbatueshme. Do të pajtohesha sikur marrëveshja të mbështetej në ligjet e Kosovës… Në asnjë nen, asnjë shprehje nuk i referohemi asnjë ligji, rregullore të brendshme qeveritare apo të jashtme ndërkombëtare. Pra kjo marrëveshje nuk thirret në asnjë pikë dhe rregullativën ligjore të Kosovës”, tha ai.

Mirëpo atij i reagoi deputeti i LVV-së, Artan Abrashi, i cili tha se është për keqardhje mosvotimi i kësaj marrëveshje, që sipas tij lidh Prizrenin me Tetovën.

“Kjo është për keqardhje. Me të vërtet është për keqardhje. Le ta dinë qytetarët e Prizrenit se kush po i bllokon, kush po i mban të izoluar dhe kush po e ndal një aspiratë të kamotshme. Por një gjë e di se kjo qeveri, LVV-ja dhe kushdo që i thotë deputet vetit, nuk do të ndal dhe do të gjejë rrugë për të shtyrë këtë projekt përpara. Rruga Prizren-Tetovë do të realizohet. Kot e keni”, tha ai.

Por, deputeti opozitar tha se ai nuk është kundër ndërtimit të rrugës, por është kundër që në emër të rrugës, siç tha të vidhet.

“Unë jam për me ndërtu rrugën, por nuk jam në emër të rrugës me vjedh. Në projekte kapitale nuk vidhet”, theksoi Shala.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *