Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj ka thënë se që nga greva e shtetorit të vitit 2022, SBASHK-u ka dërguar kërkesa për takim me ministren Nagavci, por që s’ka ndodhur, pasi siç thotë ai nga stafi i është thënë se ajo është e zënë me aktivitete.
Derisa ministrja ditë më parë shprehu gatishmëri për tu takuar me SBASHK-un, Jasharaj thotë se kjo nuk qëndron pasi me 22 prill se i është nisur kërkesë por që nuk ka pasur përgjigje nga ajo vetë dhe nga Qeveria.
“Më 25 prill ta dërguam edhe një shkresë dhe të informuam për protestën e 1 majit dhe t’i dërguam edhe të gjitha kërkesat legjitime të anëtarësisë, të cilat edhe mediet e nderuar i publikuan. Ti ministre vazhdove me qasjen e njëjtë dhe me heshtjen dhe i ik ende takimeve me ne, por tregoje të vërtetën para medieve.
Ne e dimë se ke urdhër nga Kryeministri, dhe jo vetëm ti, që të mos takoheni me sindiktat dhe duhet të merrni leje nga ai e ndokush tjetër, se kur e me këtë të takoheni, por të lutemi mos deklaro para medieve se ke gatishmëri të takohesh me SBASHK e me të tjerët sepse kjo nuk është e vërtetë.”, ka shkruar mes tjerash Jasharaj në reagim.
Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës, ka paralajmëruar protestë më 1 maj, me arsyetimin se qeveria ka qasje të keqe ndaj punëtorëve të arsimit dhe të tjerëve.
Rreth kësaj proteste ka folur për IndeksOnline, Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj.
Ai ka thënë se kjo protestë, do të jetë paralajmërimi i parë për Qeverinë. Përmes kësaj proteste ata do të shpalosin kërkesat e tyre, ku në mungesë të qasjes së institucioneve nuk kanë mundur ti shprehin asnjëherë që nga shtatori I vitit 2022.
‘’Me datën 1 maj ne kemi paralajmëruar protestë, ku do të jemi të pranishëm në shesh para qeverisë me udhëheqësit sindikal të të gjitha niveleve. Do të thotë do të jenë Kryetarët e shoqatave sindikale, që nga çerdhet, shkollat fillore, të mesme, nga universitetet e Kosovës, bashkë me kryetarët e niveleve komunale, kryesinë dhe bashkë më ne në këtë protestë do të jetë edhe një pjesë e sektorit privat, që e përfaqësoj Jusuf Azemi.
Do të jetë një protestë me numër të kufizuar, dhe do të jetë paralajmërimi i parë për qeverinë. Ne do të shpalosim kërkesat tona , të cilat në mungesë të dialogut dhe qasjes së gabuar të Kurtit dhe Nagavcit për Sektorin e Arsimit, ku që nga shtatori 2022, nuk kanë gjetur kohë të takohen me ne.’’
Tutje, Jashari ka kujtuar vitin 2022, ku greva zgjati rreth një muaj dhe u shpreh se po frikësohet se kjo gjë mund të ndodhë sërish nëse Qeveria vazhdon të sillet njësoj duke I nënçmuar kërkesat e tyre.
‘’Kjo protestë do të jetë alarmi I parë ndaj qeverisë duke I kritikuar për qasjen e gabuar ndaj sindikatave, ndaj dialogut dhe duke I kritikuar që asnjëherë nuk kanë shprehur gatishmëri që të merren me kërkesat tona, jo vetëm ne arsim por në tërë sektorin publik si policia, zjarrfikësit etj.
Uroj që mesazhi i 1 majit të kuptohet mirë, dhe uroj që qeveria mos ta ketë harruar vitin 2022, ku edhe atëherë u fillua me një protestë modeste, ku qeveria heshti dhe pastaj ndodhi ajo qe nuk duhej të ndodhte. Pra greva që zgjati një muaj e më shumë në vitin 2022, kam frike që një histori e tillë do të përsëritet prapë.
Por unë do të bëjë çmos bashkë me stafin dhe kryetarët sindikal, do ti lusë edhe anëtarësinë që viti shkollor mos të dëmtohet me greva të gjata, pasi edhe u fillua keq me vendimin e teksteve shkollore nga Nagavci.’’ tha Jasharaj